Banka ProCredit inauguroi qendrën rajonale të trajnimeve, ndërtuar në Prevallë të Prizrenit. Kjo qendër do të ofrojë për stafin e bankave ProCredit që operojnë në rajon, trajnime të dedikuara për të thelluar dhe përditësuar njohuritë e specializuara të punonjësve.

Kjo qendër, investim i cili ka vlerën 3,2 milion euro, do jetë në funksion të stafit të bankave ProCredit që operojnë në rajon, si Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni. Aty do të mbahen trajnime të ndryshme, si ProCredit Entry Programme ashtu edhe trajnime të tjera të avancuara që shoqërojnë në mënyrë të vazhdueshme stafin e këtyre bankave dhe që kanë si qëllim zhvillimin profesional në fushat e tyre të veprimtarisë dhe të rrisin aftësitë e tyre analitike dhe ndërpersonale.

Adela Leka, drejtuese e Drejtorisë Ekzekutive e ProCredit Bank Shqipëri theksoi se: “Eksperienca prej më shumë se dy dekadash në treg ka treguar se ne nuk jemi vetëm një bankë komerciale tradicionale, por jemi një institucion i përgjegjshëm financiar, i cili në themel të tij ka ofrimin e shërbimit cilësor për SME-të, sepse janë këto bizneset që sigurojnë qëndrueshmëri ekonomike dhe gjenerojnë punësim. Në operacionet tona ne fokusohemi tek bizneset të cilat kanë një vizion afatgjatë, që synojnë të zhvillojnë biznesin e tyre në mënyrë të qëndrueshme dhe që ndajnë të njëjtat vlera etike me ne. Për të identifikuar dhe shërbyer kësaj kategorie klientësh sigurisht që nevojitet staf i përzgjedhur me kujdes dhe që zotëron aftësi të larta profesionale. Jemi të sigurt që kjo qendër do t’i shërbejë këtij qëllimi”.

“Qendra e re rajonale në Kosovë, është një shembulli i përkryer që tregon seriozitetin, kur themi që ne ofrojmë një ambient stimulues për stafin tonë në të cilin ata mund të zhvillojnë më tej aftësitë e tyre dhe të mësojnë më shumë nga njëri-tjetri”, theksoi Borislav Kostadinov, anëtar i Bordit të Menaxhimit të ProCredit Holding.

Qendra Rajonale e Trajnimeve është objekti i parë në Kosovë që është ndërtuar me standarde të larta ekologjike, duke qenë se janë bërë investime në panele fotovoltaike, panele diellore për ngrohje të ujit, izolim termik, impiant për trajtimin e ujërave. Qendra ka një sipërfaqe prej 3300 metër katror, 4 klasa mësimi të pajisura me të gjitha mjetet për trajnim, 33 dhoma gjumi që sigurojnë kapacitet optimal, restorant dhe mundësi për aktivitete të shumta sportive.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: