Ish-presidenti Bujar Nishani ka ndërruar jetë sot në një spital në Gjermani.

Ai vuante nga një pneumonia bilaterale me insuficience respiratore, si pasojë e komplikacioneve të shkaktuara nga koronavirusi.

Ish-presidenti ndërroi jetë në moshën 55-vjeçare.

Nishani ishte president për një mandat 5-vjeçar, ndërsa në këtë post u zgjodh në 24 korrik të 2012-ës deri në 24 korrik të 2017-ës.

KUSH ISHTE NISHANI
Bujar Nishani u lind më 29 shtator 1964 në qytetin e Durrësit. Studimet e larta i kreu në Akademinë Ushtarake “Skënderbej” në Tiranë, ndërsa studimet pasuniversitare i kreu në Kaliforni, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për “Menaxhimin e Resurseve të Mbrojtjes”, në vitin 1996. Studioi për Jurispudencë në Fakultetin e Drejtësisë, në Universitetin e Tiranës, ku u diplomua si jurist në vitin 2004.
Karrierën profesionale e nisi si pedagog në Akademinë Ushtarake “Skënderbej” në vitin 1988. Më pas, në vitin 1993 punoi në Drejtorinë për Marrëdhëniet me Jashtë në Ministrinë e Mbrojtjes, duke vazhduar në vitin 1994 në Ministrinë e Jashtme në Drejtorinë e Marrëdhënieve me NATO-n dhe në vitin 1996 në Kabinetin e Ministrit të Mbrojtjes. Në vitin 1997 kthehet në profesion të lirë si Kryetar i Forumit të Ushtarakëve Euro-Atlantikë.

Në vitin 1991 Bujar Nishani u anëtarësua në Partinë Demokratike; në vitin 2001 u zgjodh Sekretar i Degës së Partisë Demokratike për Tiranën, në vitin 2005, anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike dhe më pas anëtar i Kryesisë Qendrore të kësaj partie.
Në korrik të vitit 2005, zoti Nishani u zgjodh deputet në zonën elektorale 34, në Tiranë si përfaqësues i Partisë Demokratike.
Nga marsi 2007-shtator 2009 mbajti portofolin e Ministrit të Brendshëm, nga shtatori 2009-prill 2011 kreu detyrën e Ministrit të Drejtësisë; për t’u rikthyer përsëri në prill të vitit 2011 si Ministër i Brendshëm, deri në qershor të vitit 2012, kohë kur Kuvendi i Shqipërisë e zgjodhi në detyrën e Kreut të Shtetit në raundin e katërt me 73 vota pro dhe 1 votë kundër. Në 24 korrik 2012, Bujar Nishani betohet në Kuvendin e Shqipërisë si President i Republikës.

Gjatë mandatit të tij, Nishani ishte përqendruar në procesin e integrimit evropian të vendit dhe sfidat globale që prekin Shqipërinë, siç është kriza e imigrantëve ose luftimi i ekstremizmit islamik dhe radikalizmit. Gjatë shumicës së vizitave shtetërore jashtë vendit, politika e Nishanit ishte orientuar maksimalisht në forcimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, duke përmendur mbështetjen e saj për pjesëmarrjen e Kosovës në të gjitha aktivitetet multilaterale rajonale dhe ndërkombëtare. Bujar Nishani ishte bashkëshort i Odeta Nishanit dhe baba i dy fëmijëve, Ersi dhe Fjona Nishani.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb