Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha përmes një statusi në ‘Facebook’ ka komentuar takimin që zhvilloi sot me përfaqësues të agjencive turistike në Durrës.

Lideri demokrat tha se në bisedë me operatorët turistikë u fokusua tek kriza që sipas tij ka goditur ekonominë për shkak të pandemisë.

Basha tha se prej 8 vitesh, Shqipëria ka mbetur në vendnumëro me Ramën, dhe sipas tij agjensitë turistike janë shembulli tipik i bizneseve që nuk kanë marrë asnjë ndihmë nga qeveria.

REAGIMI I BASHËS
Bisedova me disa operatorë turistikë në qytetin e Durrësit, ekonomia e të cilit është goditur rëndë nga rënia e madhe e turizmit dhe braktisja e plotë e qeverisë. Prej 8 vitesh, Shqipëria ka mbetur në vendnumëro me Ramën, dhe agjensitë turistike janë shembulli tipik i bizneseve që nuk kanë marrë asnjë ndihmë nga qeveria.
Së bashku folëm për ndikimin e madh pozitiv që do të ketë për turizmin unifikimi i TVSH-së 6% për të gjithë bizneset e këtij sektori. Bashkë me masat e tjera si taksa e sheshtë 9%, heqja e taksës Rama mbi karburantet 240 lekë/litër, ulja e çmimit të energjisë dhe moratoriumi i inspektorëve për 1 vit, TVSH 6%, do të nxisë hapjen e vendeve të reja të punës dhe më shumë investime në turizëm.
Programi ynë nuk është një listë premtimesh por një plan serioz pune. Ulja e taksave dhe kostove të prodhimit dhe programet e mbështetjes për operatorët turistikë, janë plane pune të cilat do të bëhen realitet sapo unë të zgjidhem kryeministër. Është koha për ndryshim. Në 25 prill, Shqipëria meriton të kthehet në rrugën e duhur, meriton të fitojë. Më 25 prill Rama humb dhe Shqipëria fiton.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb