Nga: Klodiana LALA

TIRANE– Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri mbërriti mbrëmjen e së dielës në Shqipëri, pas qëndrimit dy ditor në Gjermani ku vizitoi babain i cili po kurohet në një spital atje.

Ikja e Tahirit ngjalli dyshime të forta se mund të ishte arratisur, pas hetimit të çelur nga Prokuroria për Krime të Rënda, si i dyshuar për përfshirje në grupin kriminal “Habilaj”. Udhëtimi ish-ministrit hapi një debat të madh, nëse mundej ose jo ai të dilte jashtë territorit të vendit.

Kjo për faktin se Kuvendi kishte autorizuar ndalimin e daljes jashtë shtetit për deputetin tashmë të përjashtuar nga Partia Socialiste. Pyetjet që shtrohen janë; përse prokurorët nuk iu drejtuan gjykatës për bllokimin e pasaportës së ish-ministrit në një kohë që në Këshillin e Mandateve dhe Imuniteteve këmbëngulën se ekzistonte rreziku që Saimir Tahiri të ndërhynte për prishjen e provave si dhe të largohej jashtë vendit për t’iu shmangur drejtësisë? A ka ndryshuar qëndrimi i organit të akuzës karshi çështjes “Tahiri”?

Lidhur me këto pyetje, zyrtarët e prokurorisë të kontaktuar nga News24 dhe BalkanWeb japin këto sqarime:
Sipas nenit 73 pika dy të Kushtetutës Parlamentit ju kërkua autorizimi për ‘heqjen e lirisë, arrestin dhe kontrollin personal e të banesës’. Në këto kushte, theksoi prokuroria, Kuvendi duhet të shprehej vetëm për objektin e kërkesës. Prokurorët sqaruan se pas refuzimit të kërkesës për arrestim, çdo masë tjetër shtrënguese ndaj personit nën hetim u konsiderua e papërshtatshme. Gjykatës iu drejtuam me kërkesën për kontroll banese sipas autorizimit të dhënë nga Kuvendi.

Prokuroria është e të njëjtit mendim, se vetëm nëse do të ishte nën arrest, ish-ministri, s’do të kishte asnjë mundësi për të prishur provat. Duke u ndalur te pika e shumëdiskutueshme, nëse duhej ose jo Kuvendi të autorizonte ndalimin e Tahirit për të dalë jashtë shtetit, prokurorët thanë se çdo masë tjetër shtrënguese, jashtë asaj që u kërkua në Këshill, e vendos vetëm gjykata, si organ i autorizuar nga ligji dhe jo Kuvendi.

Edhe avokati Maksim Haxhia tha për News24 dhe BalkanWeb se Saimir Tahiri është shtetas i lirë dhe mund të udhëtojë, pa pasur detyrimin të informojë prokurorinë.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: