Beteja e vërtetë në këto zgjedhje është ajo për proporcionalin. Problemi që do të zgjidhin këto zgjedhje është a do të kemi një opozitë plurale, ku ka vendin e vet të denjë një PD që sheh nga e ardhmja në respekt të historisë së saj dhe në marrëdhënie të ngushta me SHBA dhe vendet Perëndimore, apo do të kemi vetëm një opozitë të provuar e të stërkonsumuar në pushtet dhe, për me keq, në marrëdhënie të ngrira me SHBA dhe Perëndimin

Zgjedhjet si rregull, zgjidhin ose vënë në rrugën e zgjidhjes një problem të madh. Që zakonisht është rrotacioni pushtetit. Sipas rastit, edhe çështje të tjera specifike, që nganjëherë marrin një rëndësi më të madhe se vetë rrotacioni.

Por zgjedhjet vendore nuk prodhojnë rrotacion të pushtetit qendror. Nëse opozita i fiton bindshëm shumicën e bashkive, ato e tronditin qeverinë, përshpejtojnë dhe garantojnë rënien e saj. Nëse prodhojnë një ekuilibër relativ, ato i paraprijnë rrotacionit në zgjedhjet politike pas dy vitesh. Ky është në përgjithësi rregulli.

Çfarë parashikohet të ndodhë në zgjedhjet vendore të 14 majit? Cili është problemi i madh që u shtrohet atyre për zgjidhje ? Nëse referojmë rezultatin e zgjedhjeve të pjesshme të 6 marsit të vitit të shkuar dhe një seri sondazhesh që janë bërë në vijimësi e po shtohen këto ditë, shihet se Partia Socialiste në pushtet ka një avantazh të dukshëm për të fituar shumicën e bashkive dhe këshillave. Ndërkohë që opozita është larg rezultateve të saj të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2021. Do të thotë më larg fitores se sa ka qenë. Kur duhej të ishte kundërta. Me kohën që ka kaluar, me gjendjen e përkeqësuar dhe sidomos me plasjen e skandaleve të mëdha, nga ai inceneratorëve te afera “McGonigal”, opozita duhej ta kishte parakaluar tashmë qeverinë. Dhe kur nuk e ka kaluar në sondazhe, merret me mend sa mund ta kalojë në zgjedhje reale, ku qeveria dhe kandidatët e saj e kanë zakon të përdorin asete publike dhe para nën dorë për të blerë vota.

Krerët e partive opozitare i shohin dhe i dinë këto gjëra. Ata, sigurisht, s’do reshtin deri në fund të kërkojnë dhe të luftojnë për fitoren- ky është rregull i çdo gare elektorale. Por gjendja reale është kjo që është, diferencat në tërësi janë të tilla që nuk premtojnë përmbysje në fushatë.

Arsyet pse opozita është në këtë derexhe dihen. Shkaku kryesor është përçarje e PD-së si forca më e madhe opozitare në vend. Pastaj vinë rrjedhjet elektorale që lidhen me riciklimin e Berishës dhe Metës pasi i kanë provuar dy e tri herë gjithë pushtetet. Në vend të tretë, por që mund të vendoset një vend më lart, është ç’organizimi në grupin e PD-së zyrtare, lënia jetim në kuptimin figurativ të fjalës e elektoratit demokrat që ka besuar e beson se nuk mund të fitohet me SHBA e Britaninë e madhe kundër dhe me një BE dyer-mbyllur. Madje nuk duhet çuar nëpër mend të fitohet. Edhe po të ndodhë të lajthisë shumica e zgjedhësve (që zor se ndodh), lidershipi i ndriçuar duhet të investohet për mirënjohjen, për busullën e fatit kombëtar, duke e refuzuar turpin e votimit kundër mirëbërësve, kundër “diellit që lind nga perëndon”, siç thoshte për vendin tone poeti kombëtar Naimn Frashëi.

Në një shkrim të mëparshëm jam përpjekur të arsyetoj pse Berisha refuzoi propozimin e PD-së zyrtare për të dalë me kandidatë të përbashkët, duke marrë për bazë në shumicën dërmuese të bashkive kandidatët e primareve të organizuara prej tij. Sot, në dritën e zhvillimeve të fundit dua të shtoj një arsye që nuk mund të më shkonte ndërmend para një jave. Për zotin Berisha dalja me një kandidat të vetëm mund të realizohej me rrugë të tjera, pa qenë nevoja e investimit të tij në një marrëveshje reciprokisht angazhuese me njerëz që ai i konsideron armiq. Një “rrugë tjetër” ishte moskandidimi për kryetarë nga PD-ja zyrtare në një numër shumë të madh bashkish, tërheqja si në shprehjen “sheh rrushi dhe rrushin dhe piqet” e ndonjë tjetri. E gjithë kjo e ka bërë fakt të kryer daljen e opozitës me një kandidat të Rithemelimit në shumicën dërmuese të gjashtëdhjetë e një bashkive.

Në vlerësimin tim, bashkimi me marrëveshje rreth një kandidati unik do të kishte qenë më mobilizues dhe më efektiv se sa dalja me një kandidat sepse nuk po merren vesh, apo nuk e kanë vënë ujët në zjarr drejtuesit e PD-së zyrtare. Sidoqoftë, tani kemi një situatë elektorale ku sekush prej aktorëve politikë do të këtë mundësi të verifikojë me votime reale çfarë ka prodhuar opsioni që ka mbrojtur. Opsioni “Alibej” do të mund të verifikojë ndërlidhjen mes kandidatit për kryetar dhe votave për këshilltarë në ato pak bashki ku garohet edhe për postin e kryebashkiakut. Opsioni “Bardhi-Tabaku” do të mund të verifikojë përfitimet apo firot eventuale në votimin e listës së këshilltarëve nga moskandidimi për kryetarë bashkish. Në grupin e Rithemelimit, zoti Berisha ka rastin të verifikojë efektet e daljes me një kandidat pa marrëveshje si pale të ndryshme me grupin tjetër.

Por Berisha nuk se e vret mendjen për ketë gjë. Objektivi i tij kryesor në këto zgjedhje është të marrë ekskluzivitetin e opozitës në kuptimin që të mos ketë opozitë tjetër veç asaj që drejtohet prej tij, plus PL-së se Ilir Metës. Kjo nënkupton që PD-ja zyrtare nën drejtimin e Enkelejd Alibejt të pësojë një humbje turpëruese, të marrë një përqindje të papërfillshme ose të zhduket fare bashkë me mëtimin për të qenë një bastion i euroatllantimit në spektrin e së djathtës shqiptare.

Sikur e dëgjoj Berishën duke bërë thirrje për të mos u dhënë asnjë votë “këshilltarëve të vulës” ! Drejt do ta ketë. Kanë qenë dhe janë naivitete ato që janë thënë e thuhen andej- këndej në kampin e PD-së zyrtare se në shkëmbim të votave që do t’u japim për kandidatët për kryetarë, Rithemelimi do të na votojë siglën, domethënë listën e këshilltarëve.

Beteja e vërtetë në këto zgjedhje është ajo për proporcionalin. Problemi që do të zgjidhin këto zgjedhje është a do të kemi një opozitë plurale, ku ka vendin e vet të denjë një PD që sheh nga e ardhmja në respekt të historisë së saj, në marrëdhënie të ngushta me SHBA dhe vendet Perëndimore, mbështetëse e palëkundur e drejtësisë dhe sundimit të ligjit, premtuese dhe programuese pa qenë në asnjë konflikt interesi e një projekti të plotë zhvillimi për vendin. Apo do të kemi vetëm një opozitë të provuar e të stërkonsumuar në pushtet përgjatë viteve dhe, për me keq, në marrëdhënie të ngrira me SHBA dhe Perëndimin.

Problem shumë i madh për supet e zgjedhjeve vendore. Por kështu erdhën punët. Duhet ta themi se zgjedhjet nuk zgjidhin gjë vetë. Kjo është një mënyrë të thëni. Zgjidhjen e ka vetë subjekti politik, drejtuesit e tij, njerëzit. Fjala që përmbledh në këtë periudhë sfidën ekzistenciale të PD-së zyrtare është proporcionali. Proporcionali si asnjëherë tjetër më parë, kur kjo parti i përdorte votat për këshilltarë për të dorovitur parti aleate apo faktorë lokalë. Kjo nuk do të thotë të hiqet vëmendja nga kandidatët për kryetarë në ato pak bashki ku kandidojnë. Përkundrazi. Vetë kandidatët janë një parmendë për proporcionalin./Liberale.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: