Ndërsa opozita pritet të protestojë më 16 shkurt, kryeministri Edi Rama duket se nuk do të jetë në Tiranë ditën e shtunën. Kreu i qeverisë, mësohet se do të qëndrojë në Vlorë, ku do të marrë pjesë në takimet publike në kuadër të turit “Bashkia që duam”.

Axhendën, por edhe vendndodhjen e kryeministrit më 16 shkurt e ka zbuluar ish ministri Damian Gjiknuri në një postim në facebook.

“Në kuadër të takimeve publike të turit “Bashkia që duam”, Kryeministri Edi Rama do të jetë të Shtunën në qytetin e Vlorës. Vëmendja e shtuar e qeverisë për Qarkun e Vlorës tashmë është e prekshme përmes investimeve të kryera dhe projekteve të planifikuara. Ftoj të gjithë qytetarët të jenë në ora 10:30 në Sheshin e Flamurit.” –shkruan Gjiknuri në profilin e tij në facebook.

Me turin e takimeve të parashikuar në Vlorë, duket se nënkryetari i PD, Edi Paloka i cili sot e spërkati me bojë kryeministrin, veprim për të cilin tha se është fillimi i 16 shkurtit, ka fituar edhe ‘bastin’ për vendndodhjen e tij ditën e protestës. Përmes një postimi në facebook, Paloka shkruante se me date 16 shkurt Rama ose do te jete jashte ose do te shkoj ne Vlore.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb