TIRANË- Në datën 19 dhjetor 2015 do të hyjnë në provim rreth 3.700 mësues të cilët janë kualifikuar në fazën e parë të konkurrimit me dosje. Numrin më të madh të aplikantëve e ka Drejtoria Arsimore e Tiranës, me rreth 700 kandidatë. Por, ndërkohë që provimi i mësuesve është vetëm dy ditë larg, Ministria e Arsimit dhe Sportit nuk ka publikuar asnjë të dhënë për sa u përket vendeve vakante në sistemin arsimor parauniversitar. Ky testim do të zhvillohet në mbarë vendin në të njëjtin orar. Kandidatët duhet të paraqiten rreth 30 minuta para orës së zhvillimit të provimit në vendin ku do kryhet testimi, vend të cilin e kanë të përcaktuar tashmë nga Drejtoritë Arsimore. Provimi nis në orën 10:00 dhe përfundon në orën 12:30. Testi në total do të ketë 70 pikë, dhe është i ndarë në dy pjesë.

Struktura e testit
Testi, të cilit do t’i nënshtrohen mbi 3.700 kandidatë ditën e shtunë, ndahet në dy pjesë. Pjesa e parë përmban dokumentet zyrtare, që kanë të bëjnë me veprimtarinë e mësuesve, programet lëndore përkatëse, metodologjinë e mësimdhënies dhe të të nxënit, në përgjithësi dhe të lëndës, etikën dhe komunikimin e mësuesit në institucionit arsimor, aspekte të drejtshkrimit të gjuhës shqipe. Pjesa e dytë përmban përmbajtjen shkencore të lëndës sipas programit orientues përkatës. Vlerësimi i testeve kryhet në Tiranë nga komisionet e vlerësimit të testeve. Vlerësuesit e testeve janë të trajnuar dhe të certifikuar nga IZHA.

Komisioni vlerëson me pikë secilën nga dy pjesët e testit dhe veçon testet e dyshuara për kopjim. Pikët e kandidatit për secilën pjesë të testit vendosen në krye të fletës dhe testi nënshkruhet nga të dy vlerësuesit. Vlerësimi përfundimtar i kandidatit bëhet me sistemin e 70 pikëve, i cili përbëhet nga pikët e pjesës së parë të testit (30 pikë) dhe nga pikët e pjesës së dytë të testit (40 pikë). Pas testimit, hartohet lista e kandidatëve për çdo profil/lëndë dhe listohen kandidatët sipas pikëve të grumbulluara në testim.

Këtyre pikëve u shtrohen edhe pikët e marra nga dosja dhe përpilohet një listë përfundimtare e pikëve të fituara. Faza e tretë e konkurrimit është zgjedhja e vendit të punës, ku përparësi i jepet kandidatit që ka grumbulluar numrin më të madh të pikëve. Kandidatët nuk mund të refuzojnë më shumë se tri vende pune të lira në tri njoftime të komisionit. Në rast se refuzojnë më shumë se tri, kandidatët hiqen nga lista e renditjes.

MESUESIT E KUALIFIKUAR NGA VLERESIMI I DOSJEVE

DAR Tiranë 684 kandidatë
DAR Tiranë qark 225 kandidatë
ZA Kamëz 74 kandidatë
ZA Kavajë 44 kandidatë
DAR Vlorë 250 kandidatë
ZA Sarandë 85 kandidatë
DAR Elbasan 549 kandidatë
ZA Peqin 31 kandidatë
ZA Gramsh 36 kandidatë
DAR Korçë
ZA Pogradec 269 kandidatë
ZA Devoll 82
DAR Fier
ZA Lushnjë 247 kandidatë
ZA Mallakastër 33 kandidatë
DAR Gjirokastër 73 kandidatë
ZA Tepelenë 61 kandidatë
ZA Përmet 30 kandidatë
DAR Durrës 134 kandidatë
DAR Shkodër 397 kandidatë
ZA Malësi e Madhe 13 kandidatë
Dar Kukës 30 kandidatë
DAR Lezhë 65 kandidatë
ZA Kurbin 51 kandidatë
ZA Mirditë 15 kandidatë
DAR Dibër 50 kandidatë

(m.k/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: