Akademiku Pëllumb Xhufi shprehet se Rusia gaboi në përllogaritjen e reagimit që do të kishte sulmi i saj ndaj Ukrainës.

Në një intervistë për News 24 ai shprehet se pas sulmit ndaj Kievit, Putini priste që aleanca e NATO-s të shpërbëhej, që në fakt ndodhi e kundërta.

– Profesor, Rusia ka sulmuar Ukrainën duke krijuar një situatë lufte në Evropë më se 70 vite pas Luftës së Dytë Botërore dhe një situatë të re gjeopolitikash globale. Si e shihni një luftë në Evropë në shekullin XXI?
Kjo është një luftë që u bë kundër një shteti sovran, Ukrainës, por që ka përfshirë gjithë globin, gjithë botën, jo vetëm Europën. Do thosha që në planin ekonomik pasojat po duken që tani në të gjitha vendet e botës. Ka përfshirë në planin politik, shtete të rëndësishme si ato të BE-së, SHBA, por edhe Kina është përfshirë në mënyrën e saj apo edhe Japonia e vendet arabe. Kriza ekonomike ngërthen edhe krizë politike dhe rrezikon që të ekspandohet në planin ushtarak, në atë që thuhet si rreziku i një lufte të tretë Botërore. Është një risk i llogaritur nga Putini, ai e ka llogaritur sigurisht mirë edhe momentin, edhe implikimet që do të kishte sulmi ndaj Ukrainës. Ka dashur të të bëjë një lojë të rëndë. Kjo është një lojë vërtetë e rëndë dhe tepër, tepër e rrezikshme. Mirëpo, nuk llogariti reagimin. Reagimi ka qenë i papritur për të, qoftë nga populli i Ukrainës dhe nga ushtria por edhe nga komuniteti ndërkombëtar. Ai priste që aleanca transatlantike të shpërbëhej, të dobësohej më tej, se vitet e fundit është dobësuar realisht. Priste gjithashtu që vendet e veçanta evropiane me të cilat ka pasur raporte jo të këqija, jo vetëm ekonomike por edhe politike, priste që të vidheshin të shkëputeshin nga NATO e BE, nuk u arit kjo, u arrit e kundërta. NATO u kompaktësua si aleancë politiko ushtarake, BE-ja po ashtu u kompaktësua. Shtete të veçanta evropiane, si Gjermania, patën dyfishim të buxhetit ushtarak.

-Dhe ndryshimi i politikës pacifiste të Gjermanisë?
Padyshim, si edhe prerja e importimit të gazit, që është një gjë e rëndë për ekonominë gjermane, por kjo tregon një qëndrim të vendosur, që Putini nuk e priste e aq më shumë, edhe qëndrimi i SHBA dhe kompaktësimi i mëtejshëm i lidhjeve transatlantike mes BE-së dhe SHBA, lidhje që gjatë qeverisjes së presidentit Trump, u dobësuan goxha. Presidenti Trump kishte një tjetër qëndrim ndaj Evropës, dhe ndaj NATO-s dhe është shprehur për një braktisje të Europës dhe NATO-s dhe madje është shprehur për një marrëdhënie preferenciale me Rusinë e Putinit. Jo vetëm Trump por edhe shumë drejtues të tjerë, qoftë në Europë por jo vetëm, si përshembull Bolsanaro, sovranistët, apo ksenofobët, si quhen, ose parafashistë a paranazistë, pra edhe këto terma janë thënë për udhëheqës të tillë, siç ka qenë edhe Orbani në Hungari, siç është Salvini në Itali; pra këta tipa udhëheqësish që ishin kundër organizimeve demokratike në dekadat e fundit në Europë, ishin për t’i shpërbërë dhe për t’u kthyer te shteti nacionalist, sovranist. Kjo përvojë dështoi pa nisur mirë, se ja ku jemi dhe “salvinët” e “orbanët” janë që tani figura të dështuara. Dhe ka dalë me forcë të madhe e kundërta dhe vetë Hungaria ka shumë solidarizim me popullin ukrainas dhe me refugjatët që po vijnë me shumicë në Hungari.

– Të gjithë këta udhëheqës që ju përmendët, a krijuan një shtrat politik e ideologjik në Europë, për të ardhur në situatën e luftës ku ne jemi sot?
Sigurisht kjo gjendje ku ne jemi sot, ka parahistorinë e saj. Le të nisim nga Putini që është autori i kësaj rrëmuje, edhe i këtij shqetësimi të madh. Ai priti momentin duke shfrytëzuar dobësitë e Perëndimit në këto dekada, duke krijuar lidhjet ekonomike me shumë vende të Evropës e Azisë, duke shfrytëzuar burimet e veta energjetike në një kohë të stërzgjatur krize energjetike dhe arriti të bëjë rimëkëmbje ekonomike me drejtim ushtarak. Ajo që ka ecur në Rusi në këto dekadat e fundit është industria e teknologjia ushtarake në një kohë që për qëllime paqeje, Rusia mbetet vend i prapambetur në raport me vendet e tjera në momentin që e ndjeu veten të fortë dhe mendoi që partnerët ishin dobësuar e shpërtheu këtë luftë edhe për të dhënë një mesazh që shkon realisht përtej Ukrainës. Natyrisht mesazhi i tij është përtej që do vazhdojë edhe me shtetet e tjera.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb