Furnizimi me gaz rus në Gjermani nëpërmjet gazsjellësit Nord Stream 1 në Detin Baltik është ndërprerë për 10 ditë.

Operatorët e tubacionit të mbështetur nga Rusia thonë se masa është për shkak të mirëmbajtjes, por ministrat gjermanë besojnë se mbyllja është e motivuar politikisht për të ushtruar presion mbi Berlinin.

Muajin e kaluar, ministri gjerman i Ekonomisë Robert Habeck tha se presidenti rus Vladimir Putin po përdor gazin “si armë” në përgjigje të sanksioneve të BE-së.

Në mesin e qershorit, firma shtetërore ruse e gazit Gazprom shkurtoi sasinë e gazit që kalonte përmes Nord Stream 1 në vetëm 40% të kapacitetit të tubacionit.

Qeveria gjermane është e shqetësuar se furnizimet me gaz mund të reduktohen ose të ndërpriten përgjithmonë.

Mbyllja e tubacionit po prek gjithashtu Italinë, ku grupi energjetik Eni tha se do të merrte rreth një të tretën më pak gaz nga Gazprom i Rusisë të hënën, krahasuar me vëllimet mesatare të furnizuara gjatë ditëve të fundit.

Kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, Fatih Birol, ka paralajmëruar se Rusia mund të ndërpresë plotësisht furnizimin me gaz në Evropë dhe se Evropa duhet të përgatitet sa më shpejt të mundet.

Rusia tashmë ka shkurtuar furnizimet me gaz për Poloninë, Bullgarinë, Holandën, Danimarkën dhe Finlandën për shkak të refuzimit të tyre për të përmbushur një skemë të re pagese.

Që nga pushtimi rus i Ukrainës në shkurt, Gjermania ka reduktuar varësinë e saj nga gazi rus nga 55% në 35% dhe dëshiron të ndalojë plotësisht përdorimin e gazit nga Rusia.

Por nëse furnizimet ruse ndërpriten papritur, kjo mund ta çojë Gjermaninë në një recesion të madh, sepse industri të tëra mbështeten në gaz dhe shumica e shtëpive gjermane e përdorin atë për ngrohje.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb