KRUJË- Policia e Durrësit ka goditur një grup kriminal që trafikonte eksploziv C4 dhe aksesorë ndihmës si detonatorë e fitila zjarrpërcjellës duke arrestuar dy të rinj. Gjithashtu është sekuestruar një sasi eksplozivi dhe mjetet e tyre.

Burime zyrtare bëjnë me dije se Specialistët e Sektorit kundër Krimit të Organizuar në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, pas informacioneve të marra në rrugë operative, kanë finalizuar me sukses operacionin e koduar “Qarku i mbyllur”.

Si rezultat i këtij operacioni u arrestuan në flagrancë shtetasit:
• Alfred Gurra 26 vjeç, banues në Krujë;
• Drini Lika 35 vjeç, banues në Krujë, me precedentë në fushën e lëndëve narkotike dhe armëmbajtje pa leje në Itali.

Operacioni u zhvillua në zonën e Krujës, pasi personat e mësipërm do t’ia shisnin lëndën eksplozive, kapsollat detonatorë dhe fitilin zjarrpërcjellës një grupi tjetër kriminal.

U sekuestruan në cilësinë e provave materiale:
• 40 kallëpë eksplozivë C4;
•100 kapsolla detonatorë;
•43 metër fitil “zjarrpërcjellës”;
• automjeti tip “Mitsubishi” me targa LA7607 A;
•automjeti tip “Benz” me targa AA 888 Ç.

Vijon puna hetimore dhe gjurmuese në zbulimin dhe vënien para përgjegjësisë penale të personave të tjerë të përfshirë në këtë grup kriminal.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Krimeve të Rënda Tiranë për veprime të mëtejshme për veprën penale “Trafikimi i armëve, municioneve dhe lëndëve plasëse” në bashkëpunim.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb