Nga: BUJAR VANI*
Turistit që vjen të vizitojë kryeqytetin shqiptar në këto ditë të nxehta vere, nuk ka sesi të mos i bëjë përshtypje, në qendër të bulevardit kryesor, një hapësirë e madhe me pak gjelbërim anash dhe me një gërmadhë piramidale në mesin e saj, në të njëjtin krah rruge me një tjetër gërmadhë “të gjelbëruar” që dikur ka qenë hoteli më i famshëm i Tiranës, hotel “Dajti”. E natyrshëm nuk mund t’i shkojë ndërmend edhe se mund të jenë objekte muzeale arkeologjike të lashtësisë, pasi as nuk figurojnë si të tilla në guidat turistike që ka në dorë, e as nuk të krijojnë ndonjë ide të këtillë!
Ndërsa qytetarit të vëmendshëm të Tiranës, i cili ka kaluar për vite e vite me radhë këtij bulevardi e vijon të kalojë përditë, padyshim që i kujton faktin se ky objekt në një segment të rëndësishëm të qendrës së qytetit nuk është tjetër veçse një ndër gërmadhat e papërgjegjshmërisë pushtetare të këtyre viteve. Për më tepër mund t’i bjerë ndërmend edhe fakti tjetër se për ta ndërtuar këtë piramidë-muze u deshën vetëm dy vjet (‘86-88), ndërsa për ta kthyer në gërmadhë u desh dhjetëfishi i kohës…
Degradimi në vatër kulture, e pastaj në gërmadhë
Duke kaluar në retrospektivë kalvarin e kthimit të një objekti muzeal në gërmadhë “autentike” në mes të kryeqytetit, kujtojmë se mbas viteve ’90 ai funksionoi disi si objekt publik e privat me vendosjen në të të disa televizioneve, të disa diskove e kafeneve, të zyrave të OJQ-ve të ndryshme, si një institucion ku iu gjendej vend “i rehatshëm” pune disa miqve e dashamirëve të pushteteve, nën emërtesën Qendra Ndërkombëtare e Kulturës.
Ndjehej gjithsesi se objektit i ishte caktuar një destinacion tranzitor, pasi nuk përbënte një objekt mirëfilli publik me ngarkesë të plotë e të përhershme funksionale. Në kalimin e viteve mori edhe emrin QNK “Pjetër Arbnori”, duke shënuar edhe më tepër fatin tranzitor të tij, si identifikim të palës pushtetore të radhës. Madje, duhet kujtuar se kur ndërroheshin drejtorët, edhe muret e korridoreve e të mjediseve të qendrës lyheshin në bojën përkatëse të partisë që kishte ardhur në pushtet.
Në parantezë, si qendër ndërkombëtare kulture viteve të fundit aty u zhvilluan edhe ndonjë koncert romësh të ardhur nga Serbia, ndonjë konkurs iluzionistësh sllavë, me raste panairesh u ngritën edhe disa kioska qoftexhinjsh serbë, e në përgjithësi deri pa u kthyer në gërmadhë, për nga cilësia e veprimtarive kulturore të zhvilluara në të, mori më tepër karakterin e një “vatre kulture”, prej atyre që gëlonin fshatrave të Shqipërisë njëherë e një kohë, sesa të një qendre ndërkombëtare kulture!
Për të, ndonëse me destinacion tranzitor, para vitit 2010 u lëvruan fonde disa milionë dollarëshe, sipas disa të thënave për ta kthyer në “teatër alternativ” e qendër multifunksionale. Por mesa duket ato fonde nuk shërbyen për gjë tjetër veçse për të zhveshur fasadat e jashtme prej pllakave të shtrenjta të mermerit (të mos harrojmë se ishte ndërtuar si muze për Enver Hoxhën!), për të zhveshur mjediset e brendshme nga orenditë e elementët dekorues, për të bastisur magazinat me mallra deri të para vitit ’90, për të “eliminuar” çdo gjurmë të një objekti që më parë kishte qenë funksional dhe që mund ta funksionalizonte përsëri.
Piramida-muze-QNK-gërmadhë, për vetë fondet publike që kishte përthithur qysh nga ndërtimi fillestar e përgjatë kalvarit njëzetvjeçar të rrënimit të saj, tashmë ngjasonte (e vazhdon mesa duket të ngjasojë) me një skemë të madhe piramidale.
Dhe pas “avullimit” të këtij fondi e të veshjeve të brendshme e të jashtme të objektit, befas në vitin 2011 nga pushteti i kohës erdhi verdikti që duhet të hidhej një fond tjetër i konsiderueshëm, tashmë për ta shembur krejtësisht godinën, e në vend të saj të ndërtohej salla e re e Kuvendit të Shqipërisë. Argumenti: Ai objekt simbolizon kujtimin e diktatorit! U zhvillua edhe një debat politik e mediatik me palët pro dhe kundër shembjes, e si rrjedhojë me ç’duket për shkak edhe të vështirësisë që kërkonte “zhgulja” e asaj gërmadhe betoni, mbeti në gjendjen që ishte katandisur me fondin e parë…
Edhe në këtë debat nuk u pa të hidhej ndonjë ide për t’i dhënë objektit një rëndësi dhe destinacion të përhershëm, për vetë peshën që ka në ansamblin arkitekturor të bulevardit qendror të kryeqytetit.
Ringjallja e debatit
Megjithëse qytetarët e Tiranës vijonin të kalonin me trishtim përballë e krah asaj gërmadhe hijerëndë, gjithashtu edhe turistët e habitur, për rreth katër vjet ishte jashtë vëmendjes politike e mediatike. Shumë-shumë shërbente vetëm si sfond mjedisor për kronikat dhe komentet televizive të vrasjeve të 21 janarit. E dukej se harresa do të vijonte po të mos bëhej shkak para pak ditësh konkursi “Lost Architecture Competion” dhe një projekt arkitektësh kinezë për ristrukturimin e Piramidës. Më tepër se projektet e paraqitura në këtë konkurs, fantazitë mediatike i nxiti mesa duket pikërisht asociacioni i piramidës-muze me një projekt kinez. Si përherë politizim dhe ideologjizim i faktit, duke hedhur më pas për konsum mediatik një valë debati në formë fishekzjarresh festive.
E në këtë debat, njëra palë (ajo zyrtare) mbrojti projektin ristrukturues të Xing Çenit dhe idenë e Ministrisë së Kulturës për ta kthyer në një qendër multifunksionale që do t’i shërbejë komunitetit (!), e një palë tjetër u kujtua përsëri për variantin e prishjes totale e të ngritjes së kompleksit parlamentar, në sebep të kujtimeve të hidhura që ngjall ai objekt muze i diktatorit. Për të qetësuar shpirtrat, zëvendësministri Çuni garantoi se nuk ka ndonjë plan për rikthimin e relikeve të Enver Hoxhës brenda godinës!
Përveç debatit të palëve mirëfilli politike, u pa edhe një fushatë tjetër specialistësh e analistësh që dhanë versionet e tyre për të ardhmen e Piramidës. Projektin kinez e kundërshton edhe z.Artan Shkreli që argumenton se ai i heq objektit karakterin që e ka klasifikuar monument kulture dhe arkitekture, ndërsa projektuesi i tij Klement Kolaneci mendon se objekti duhet të ristrukturohet si qendër multifunksionale dhe t’i kthehet rinisë. Pati nga ata që të ngazëllyer iu kthyen idesë së ruspave dhe dinamitit për ta zhdukur atë gërmadhë komuniste! (Nuk e di a kanë atë mendim edhe për hidrocentralet që mbanin emrin e Partisë!). Të tjerë dhanë mendime që të kthehet në muze të diktaturës komuniste në Shqipëri, në muze të vuajtjeve të diktaturës etj., duke mbetur në një mendësi tranzitore dhe të ideologjizuar.
Pra, edhe në debatin e fundmë nuk u pa të hidhet ndonjë vizion që një objekt i këtillë të marrë vlera funksionale përhershmërie, me një destinacion që t’i rezistojë politikave të ditës, palëve ideologjike apo politike, por si një objekt publik i rëndësishëm që ka “ngrënë” mjaft nga pasuria publike për t’u ndërtuar e “ristrukturuar”, t’i kthehet publikut tashmë në një formë përfundimtare.
Në të vërtetë, një objekt i këtillë, me arkitekturë të paracaktuar si muzeale nga projektuesit, në një vendosje të rëndësishme në arkitekturën e kryeqytetit, me mjediset e hapura dhe funksionale të brendshme, por edhe me hapësirat e jashtme të tij, mund të kishte mjaft mirë një destinacion muzeal, jo të karakterit tranzitor (si muze diktature etj), por të konsoliduar njëherë e mirë. Një karakter të tillë për shembull do të merrte nëse strukturohej si Muze Arkeologjik, si Muze Etnografik, apo të dyja së bashku, si muze i vlerave të përhershmërisë, çka do të ishte dhe një destinacion i dobishëm turistik. Duke i hequr kështu edhe imazhin e një skeme piramidale që vetëm thith e gllabëron fonde, e duke e kthyer në një mjedis atraktiv, të dobishëm e njëkohësisht fitimprurës në interesin publik.

(g.b/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: