PD denoncon rastin e Arben Kalemajt, një qytetar i sëmurë nga Elbasani që jeton me rreth 50 euro asistencë ekonomike në muaj dhe është gjobitur me 10 mijë lekë nga Shoqëria Rajonale Ujësjellës Kanalizime Elbasan.
Zëdhënësesja për Antikorrupsionin në PD, Genta Vangjeli denoncon se administratori Luan Tabaku ka firmosur më 7 korrik njoftimin për gjobën, me pretendimin se Kalemaj kishte ndërhyrë në rrjet me tub fleksibël.
Kalemaj e mohon ndërhyrjen dhe deklaron se më 4 korrik, pas komunikimit me kryebashkiakun Gledian Llatja, një operator i dërguar prej bashkisë ndërhyri për të rikthyer furnizimin me ujë në banesën e tij.
PD kërkon verifikimin e menjëhershëm të rastit dhe anulimin e masës administrative, duke e cilësuar trajtimin e qytetarit si të padrejtë dhe diskriminues ndaj një familjeje në vështirësi ekonomike.

Deklarata:

Arben Kalemaj, qytetari i sëmurë, që jeton vetëm me rreth 50 euro asistencë ekonomike në muaj, edhe njëherë tjetër u detyrua të vinte nga Elbasani për të denoncuar veprimet e shoqërisë rajonale të Ujësjellës Kanalizime Elbasan.

Në datën 7 Korrik 2026 administratori Luan Tabaku ka nënshkruar njoftimin për vendosjen e gjobës në banesën e Kalemaj.

Këtij njoftimi i bashkëlidhet edhe akti i konstatimit dhe fleta e gjobës që ngarkon abonentin të shlyejë detyrimin prej 10 mijë lekëve për shkak të ndërhyrjes në rrjet me tub fresibël. Moskryerja e pagesës sjell si pasojë ndërprerjen e furnizimit me ujë.

Nga ana tjetër Kalemaj shpjegon se jo vetëm që ai dhe familjarët e tij nuk kanë ndërhyrë në rrjet por se ka qenë vetë kryetari i bashkisë Elbasan Gledian Llatja , i cili në datën 4 Korrik pasi ka komunikuar me Arbenin, i ka premtuar ta zgjidhë problemin e tij brenda po të njëjtës ditë, dhe ashtu ka ndodhur.

Denoncuesi dëshmon se po në datën 4 Korrik Llatja ka dërguar një operator terreni i cili ka ndërhyrë duke lidhur ujin për të risjellë furnizimin në banesë.

PD kërkon që Shoqëria Rajonale Ujësjellës Kanalizime Elbasan të verifikojë menjëherë rrethanat dhe të anulojë masën administrative.

Ky është shteti i kalbur i Edi Ramës dhe e tillë është qeverisja socialiste.

Asnjë familje nuk duhet të trajtohet në këtë mënyrë vetëm sepse është e varfër dhe nuk ka mundësi të mbrohet.

Kjo është arsyeja pse ndryshimi nuk është më një zgjedhje politike, por një domosdoshmëri për rikthimin e shtetit në shërbim të qytetarëve.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb