Drejtori i Informacionit në “News 24”, Robert Rakipllari, i ftuar në emisionin “Real Story”, deklaroi se në zgjedhjet e 25 prillit, do të kemi rotacion politik ose ekuilibrim të pushtetit.

Rakipllari theksoi se mandati i dytë i Ramës ka qenë praktikisht pa një bilanc.

“Vihet në diskutim nëse maxhoranca është apo jo legjitime. Maxhoranca bëri vetë rregullat e lojës, duke hequr koalcionet, janë shumë gjëra të rënda që ka bërë në rrugën drejt shkuarjes së zgjedhjeve. Ka shanse që të kemi zgjedhje të lira, por duke qenë se kryeministri aktual zgjedhjet i ka për të konfirmuar ato që thotë, nuk di si ndodh që maxhoranca ndërsa qeveris, i rriten kreditet.

Ne po shkojmë drejt një palë zgjedhjeve, ku ose do kemi rotacion ose ekuilibrim të pushtetit.  Njerëzit shkojnë në zgjedhje për të gjykuar një qeveri, që e dimë si ka qeverisur në 8 vjet. Pas Enver Hoxhës, Rama ka më shumë pushtet dhe nuk ka asnjë bilanc. Pas 25 prillit, do ketë së paku opozitë të fortë. Nëse Rama do ketë mandat të tretë, do jetë ky mandat me forca të ekuilibruara”, tha Rakipllari.

Robert Rakipllari nënvizoi se fenomene të tilla si tërmeti dhe pandemia, i kanë dhënë mundësi qeverisë që të jetë më afër njerëzve dhe rrjedhimisht të marrë kredite politike.

“PD dhe LSI janë faktorë të rëndësishëm opozitarë, kjo nuk diskutohet. Opozita duhet të caktonte disa gjëra. Nga kjo pikëpamaje, është e vonuar. Çfarë do lloj gjëje të bëjë kjo opozitë, nuk ia del dot nga pikëpamja e përdorimit të resurseve që ka maxhoranca etj.

Në këtë vit, për më tepër kishim tërmetin dhe pandeminë. Qeveria dha ndihmën e saj dhe opozitës iu zvogëlua mundësia që të bëjë politikë. Qeveria kishte më shumë mundësi që të afrohet tek njerëzit, qoftë në pikëpamjen e ndihmave ndaj popullit”, deklaroi Rakipllari.

(d.xh/ Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb