PERRENJAS– Gjatë një takimi elektoral në qytetin e Përrenjasit, kryeministri Edi Rama ka hedhur akuza ndaj kryetares së bashkisë së këtij qyteti, Miranda Rira, e cila vjen nga radhët e LSI. Rama u shpreh se i ka dhënë fonde kryetares së bashkisë, por nuk ka bërë asgjë. Ai tha se kryetarja e bashkisë së Përrenjasit, Miranda Rira ka punësuar gjithë fisin në bashki.

“Më vjen keq se e kam mbështetur kryetaren e bashkisë dhe jo për kryetaren e bashkisë si person, por për këtë komunitet fantastik njerëzish që nuk meriton të jetojë akoma si në një xhep fallso. I kam dhënë fondet që në fillim të vitit për atë pjesën hyrëse atje që të bëhet një hyrje normale, që kur kalojnë njerëzit nga këtu andej të mos u duket sikur kalojnë në një varrezë makinash, plus një fond për fushën sportive, bulevardin. Por ku janë? Asgjë nuk shoh unë këtu”-tha Rama.

Me tej ai u shpreh: Jam shumë i keqardhur që duhet të bëj tani edhe ketë, pasi mbasi dola në Delvinë dhe tregova si pushteti merret nga populli dhe pastaj kthehet në tepsi. Shikoni si mund të funksionojë pushteti kështu. Këtu në Përrenjas:

Inspektori i Financave, vajza e dajës së kryebashkiakes
Specialist i Financave, djali i dajës së kryetares
Specialist për problemet e dhunës në familje, vajza e motrës së kryetares
Inspektor për mbrojtjen e konsumatorit, kushërira e kryetares së bashkisë
Specialist shërbimesh, djali i dajës së kryetares
Hidraulik, kunati i drejtorit te shërbimeve
Shofer, djali i motrës
Roja i shkollës, djali i tezes
Kunata, punë në bashki
Djali i hallës, punë në bashki
Drejtori i rrugëve, krushku (se këta të gjithë duan dhe krushkun)
Administratori i bashkisë, djali i tezes
Drejtori i Ujësjellësit, burri i gocës tezes
Drejtore e Përgjithshme e Drejtorisë së Bashkisë, goca e tezes
Asistentja e kryetares së bashkisë, goca e xhajës
Specialist i elektronikës në bashki, çuni i hallës i kryetares
Specialiste e prokurimeve në bashki, goca e hallës (normal tenderat i bën goca e hallës)
Inspektor i sportit dhe ngritjes së peshave, kushëri (edhe ngritjen e peshave këryre ja bëjnë kushërinjtë)
Mirëmbajtja e fushave të sportit, dhëndri i kushuririt të dytë.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb