TIRANE- Kryeministri Edi Rama është takuar pasditen me kreun e Kuvendit, Ilir Meta per rreth 3 orë . Në takimin e zhvilluar në ambientet e “Vilës 30”, në kryeqytet, janë të pranishëm edhe ministrat Tahiri dhe Ahmetaj.

Kështu (rreth orës 17:10 minuta) në “Vilën 30”, janë mbledhur Kryeministri Edi Rama, Kryetari Kuvendit, njëherazi Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, kreu i Partisë për Drejtësi dhe Unitet, Shpëtim Idrizi, si edhe Ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, krerët e grupeve parlamentare PS-LSI, si dhe deputeti i LSI, Spartak Braho.

Ngritja e Byrosë Kombëtare të Hetimit por edhe Reforma në Drejtësi mendohet se është në fokus të takimit këtë pasdite të krerëve të mazhorancës qeverisëse.

Takimi vjen 24-orë pas diskutimeve të ashpra në kuvend, lidhur me ngritjen e këtij institucioni kaq të rëndësishëm në luftën ndaj korrupsionit tek zyrtarët e lartë. Partia Demokratike ka kërkuar dhe këmbëngul se institucioni nuk duhet të jetë në varësi të qeverisë, teksa mazhoranca lobon që ky institucion fillimisht të jetë në varësi të qeverisë e më tej të kalojë në ngarkim të prokurorisë, pas reformës në drejtësi.

Paralelisht me këtë takim, mësohet se po zhvillohet edhe takimi i ekspertëve për Reformën në Drejtësi.

Më herët gjatë ditës së sotme, në Kryesinë e Kuvendit, ambasadori amerikan Donald Lu, i shoqëruar nga ekspertë të SHBA-së, kanë prezantuar sot praktikat ligjore amerikane, që lidhen me verifikimin e figurës së ‎politikanëve dhe zyrtarëve shtetërorë.

Në përfundim të takimit ministri i Ekonomisë, Ahmetaj deklaroi se do priten konkluzionet e Komisionit të Venecias për Reformën në Drejtësi, ndërsa nuk komentoi Ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Ai shtoi se në takim u diskuta edhe për raportin e fundit të FMN.

“U diskutua për reformën në Drejtësi dhe do priten të gjitha konkluzionet e Komisionit të Venecias”,- tha ai.

Pritet që ky opinion të bëhet publik më 12 mars, siç raportoi gazetarja Eglantina Alliaj, ndërsa shtoi se nga ky opinion do shikohet edhe ngritja e Byrosë së Hetimit apo institucioneve të tjera.

(el.sp/ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: