*Shehaj: Do rikonstruktojmë kontrollin tatimor, biznesi i vogël do trajnohet

*Anti-informaliteti, Fagu: Janë ushtruar 4682 kontrolle, kemi referuar në prokurori 46 raste kontrabande

TIRANE- Në takimin me strukturat tatimore të përfshirë në aksionin kundër informalitetit dhe evazionit fiskal, kryeministri Edi Rama tha se mbyllja e syve para korrupsionit dhe evazionit fiskal nuk i ndihmon të varfrit. Duke vënë theksin në rëndësinë e këtij aksioni, kreu i Qeverisë u shpreh se informaliteti e polarizon ekonominë e vendit dhe nuk lejon konkurrencën e ndershme.

“Informaliteti është një kancer, që nuk luftohet me karamele. Por duhet të trajtohet ashpër. Mbyllja e syve nuk ndihmon të varfrit, pasi lëmosha rrit hendekun të varfër-të pasur. Informaliteti nuk lejon konkurrencën e ndershme, dhe e polarizon ekonominë e vendit”, tha kryeministri Rama.

Ndërkaq, Drejtoresha e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, Briseida Shehaj tha se do të përforcohet kontrolli ndaj inspektorëve që nuk zbatojnë ligjin. Si lehtësi për bizneset e vogla, Shehaj njoftoi nisjen e trajnimeve nga data 2 nëntor për të shmangur penalitetet nga moszbatimi korrekt i ligjit.

Drejtoresha e Doganave Pranvera Fagu, tha se deri më tani janë ushtruar 4682 kontrolle për zbatimin e legjislacionit doganor, të akcizës, të rentës minerare dhe të hidrokarbureve dhe në 159 raste u konstatuan shkelje.

Ndërkohë, Ermonela Felaj, ministre e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, u ndal tek ndryshimet ligjore, që sipas saj, ndihmojnë në luftën kundër informalitetit dhe evazionit fiskal.

RAMA: INFORMALITETI SI KANCER, LUFTOHET ME AGRESIVITET
Kryeministri Edi Rama e krahasoi informalitetin e ekonomisë me një kancer që ka prekur organizmin e vendit.

“Informaliteti dobëson cilësinë e produteve dhe dobëson shërbimet, njësoj si një kancer që dobëson organizmin. Takimi i sotëm dhe diskutimet shërbejnë për të kuptuar batakun ku ka gëluar ekonomia shqiptare për shkak të informalitetit”, theksoi Rama.

Kreu i qeverisë kritikoi ata që “flasin në emër të aspiratave duke mbrojtur të varfërit duke thënë se po të jesh i varfër ke incentivë shkeljen e ligjit dhe për të varfrit çdo qeveri u mjaftoka me mbylljen e syve dhe sigurimin e lëmoshës. Kjo nuk e zgjidh varfërinë, por krijon një rreth vicioz, ku hendeku mes të pasurve dhe të varfëreve shkon duke u zgjeruar. Nuk ka asnjë teori që mbron informalitetin që pretendon se një ekonomi informale ka një ndarje më të arsyeshme”.

Sipas kreut të ekzekutivit, ekonomia informale godet në radhë të parë të dobtit, nuk i lejon të forcohen dhe stimulon pasurimin marrmandës të një grupi gjithnjë më të vogël njerëzish.

“Nuk ka asnjë teori që justifikon informalitetin apo që pretendon se mbi një ekonomi informale ka një rishpërndarje më të arsyeshme dhe një ekuilibër më të arsyeshëm në funksion të garantimit të atyre që janë më të dobët dhe më të varfër. Ekonomia informale godet në radhë të parë më të dobtit, nuk lejon që më të dobtit të forcohen, stimulon pasurimin marramendës të një grushti të vogël njeërzish dhe shpërbërjen e shtetit, të institucioneve njësoj si një organizëm që sfilitet dhe rrënohet nga një kancer. Ekonomia informale është kancer dhe kanceri nuk luftohet me predikime, as me karamele, as me aspirina; kanceri luftohet me agresivitet maksimal. Informaliteti është arsyeja kryesore që sot kemi një polarizim të thellë të shoqërisë sa i përket të ardhurave. Informaliteti është arsyeja kryesore pse sot ne kemi një grup shumë të vogël njerëzish që janë pasuruar me shpejtësi shumë të madhe dhe një shtresë të tërë që nuk kapërcen dot përtej një kufiri që e vendos informaliteti.

Ne kërkojmë të jemi vend europian dhe pikërisht pse jemi të varfër duhet të synojmë lart dhe të përballemi me problemet. Nëse do e kishim bërë këtë gjë 20 vjet më parë, sot nuk do të përballeshim me këto biseda. Shqiptarët që punojnë ndershëm dhe që janë shumica e duan këtë reformë, edhe biznesi i ka kërkuar hapur qeverisë për të formalizuar ekonominë”, tha Rama.

Kryeministri u shpreh se shitësit ambulantë nuk do të kenë më detyrimin e regjistrimit të QKR. Ato vetëm do të paguajnë një tarifë muajore të vendosur nga pushteti vendor.

“Të gjithë ata që janë bzines i vogë em qarkullim deri në 20 milionë lekë të vjetra dhe që janë të vetëpunësuar dhe oforojnë shërbim apo produkte ku ajo që ofrojnë është krijuar nga puna e tyre, nuk do të paguajnë më asgjë, vetëm do të regjistrohen si persona civil. Sistemin tatimor do ta bëjmë tërësisht transparent. Dhe bizneset do të mund të shohin on-line se kur kanë hyrë tek zona e riskut. Së dyti duam të stimulojmë procedurat e kontrollit on-line. Pas këtij operacioni do të kemi gati reformën e adminstratës tatimore dhe doganore dhe do të bëjmë tërheqje masive të personave në terren”, th Rama.

ANTI-INFORMALITETI, FAGU: JANË USHTRUAR 4682 KONTROLLE, KEMI REFERUAR NË PROKURORI 46 RASTE KONTRABANDE
Drejtoria e Doganave ka referuar në Prokurori 46 raste kontrabande, në kuadër të aksionit kundër informalitetit të zhvilluar në dy muajt e fundit. Në takimin e mbajtur në Pallatin e Kongreseve për të analizuar rezultatet e operacionit, drejtoresha e Doganave Pranvera Fagu, tha se deri më tani janë ushtruar 4682 kontrolle për zbatimin e legjislacionit doganor, të akcizës, të rentës minerare dhe të hidrokarbureve dhe në 159 raste u konstatuan shkelje.

“Janë aplikuar penalitete në vlerën 526 milionë lekë për shkeljet dhe penaliteti shkon në total 526 mln lekë. Procesi do të hyjë në një fazë të re, që konsiston në trajnime për vetë operatorët ekonomikë, për një sërë procedurash për të cilat konstatuam se ata kishin paqartësi”, tha Fagu.

Drejtoresha e Doganave u ndal edhe tek kontrollet e ushtruara tek kompanitë hidrokarbure dhe për akcizat.

“Nëse në periudhën Shtator–Tetor 2014 janë kryer 2 124 kontrolle, për periudhën Shtator–Tetor 2015 u kryen 87 701 kontrolle, me qëllim evidentimin e mallrave me pullë fiskale të falsifikuar. Është rritur me 40 herë, në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kontrolli me skaner i pullave fiskale në mallrat e akcizës”, tha Fagu.

Ndërkaq, Fagu tha se 23 punonjës në dogana janë për shkelje në detyrë.

fagu

SHEHAJ: DO RIKONSTRUKTOJMË KONTROLLIN TATIMOR, BIZNESI I VOGËL DO TRAJNOHET
Gjatë aktivitetit për bilancin e aksionit kundër informalitetit, drejtoresha e Tatimeve Briseida Shehaj tha se do të bëhet një risktrukturim tërësor i strukturës së kontrollit tatimor. Shehaj u shpreh se biznesi i vogël do të trajnohet për zbatimin e ligjit fiskal.

“Do të ketë një ristrukturim tërësor të strukturës së kontrollit tatimor, me qëllim rritjen e efektivitetit të administratës për të ulur korrupsionin. Administrata tatimore do vazhdojë përpjekjen në luftën kundër informalitetit dhe evazionit fiskal. Nga data 2 nëntor do fillojmë trajnimet për biznesin e vogël, në mënyrë që t’i ndihmojmë të zbatojnë ligjet fiskale dhe për të reduktuar masat administrative. Qëllimi ynë nuk është gjobitja e tyre, por rritja e zbatueshmërisë së ligjit nga tatim-paguesit”, tha Briseida Shehaj.
shehaj

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb