TIRANË

PD reagoi sot përmes koordinatorit kombëtar për shëndetësinë, Gazment Koduzi lidhur me raportin e publikuar pak ditë më parë nga “Together for Life”, sipas të cilit ka mungesë transparence me prokurimet dhe tenderët për Pandeminë Covid-19.

Në një dalje për mediat nga selia e PD-së, Koduzi tha se raporti konfirmoi akuzat e PD, ku miliona euro tendera sekretë e prokurime korruptive për përballimin e COVID-19.

Ndër të tjera ai akuzoi kreun e qeverisë se përdori pandeminë për të vjedhur shqiptarët.

Postimi i plote: 

Edi Rama dhe qeveria e tij nuk kursyen as pandeminë për të vjedhur shqiptarët përmes tenderëve dhe koncesioneve korruptive.
Shqipëria renditet sot si vendi më i korruptuar i Europës sipas Raportit të Transparency Internacional.
Nga premtimi për shëndetësi falas, në fakt shëndetësia u kthye në gropën e zezë të korrupsionit e cila ka detyruar shqiptarët të paguajnë nga viti në vit edhe më shumë para nga xhepat e tyre për shërbime shëndetësore.

Në një raport të fundit të Organizatës Together for Life theksohet se mbi 55% e tenderëve të zhvilluar nga viti 2016 deri në dhjetor të vitit 2021 në shëndetësi kishin vetëm një operator pjesëmarrës në garë. Edhe aty ku u përdor garë e hapur ajo nuk ishte rale pasi kriteret u përpiluan për të favorizuar kompanitë e lidhura me autoritetin kontraktor.

Që nga fillimi i pandemisë autoritet shëndetësore zhvilluan 198 procedura prokurimi mbi përballimin e Covid-19 me vlerë mbi 35 milionë euro. Gjysma e tyre, u bënë vetëm me një operator konkurrues, të cilët përfituan në fondin limit.

Nga marsi 2020 deri në maj 2021, institucionet e shëndetësisë kontraktuan 60 kompani për furnizime me materiale, që kishin lidhje me pandeminë, nga të cilat 11 kompani, ishin sekrete, procedurë e cila i mundëson qeverisë të mos bëjë transparencë e parave e të fshehë abuzimin.

Në raport veçohet prokurimi i drejtpërdrejtë për blerjen e 54 respiratorëve me 1.1 milionë euro, nga të cilat një kompani fituese e kontratës sekrete solli vetëm 5 respiratorë.

Abuzimi me tenderët e shëndetësisë paraqitet edhe në raportin e Transparency International ku theksohet se qeveria ka përdorur pandeminë e Covid-it si pretekst për të mos dhënë informacion për shpenzimet publike e po kështu edhe FMN-në thotë se prokurimet emergjente për përballimin e pandemisë nuk ishin transparente.

Korrupsioni dhe abuzimi me tenderët ka qenë një shqetësim i vazhdueshëm për institucionet ndërkombëtare.
Gjykata Europiane e Auditit ka theksuar se në Shqipëri 30% e tenderëve publikë janë të paracaktuara.
Ne i bëjmë thirrje SPAK të hetojë tenderët korruptiv të qeverisë të cilat po pamundësojnë gjithnjë e më shumë shërbimin ndaj qytetarëve dhe po i varfërojnë ata.
Askush nuk habitet sot se si Rama vjedh shqiptarët me tenderë e koncesione Edi Rama është i korruptuar.

Qeveria e tij është e korruptuar.
Me këta në krye, Shqipëria nuk mund të ketë zhvillim. Shqiptarët duhet ta braktisin të shkuarën dhe të korruptuarit!

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb