SHKODËR- Banorët e përmbytur në vitet 2010-2011 në Shkodër si dhe ata që preken nga ndërtimi i stadiumit kanë tentuar të takojnë sot Kryeministrin Edi Rama por janë ndaluar nga Garda e Republikës. Kryeministri ndodhet në Shkodër ku është takuar me kryebashkiaken Voltana Ademi.

Pas përfundimit të takimit prej 90 minutash me kryebashkiaken Ademi ku ka diskutuar për planin urbanistik të qytetit dhe parkingun tek stadiumi i ri, kryeministri Rama ka biseduar për disa çaste me banorët. Ai iu ka thënë se pavarësisht kundërshtimeve do të zbatohen pikë për pikë kërkesat e UEFA-s.

“Nëse UEFA kërkon parametra sigurie që të kemi hapësirë më të madhe para tribunës ne do respektojmë kërkesën e UEFA. Çdo godinë që do të duhet të preket do shpronësohet paraprakisht. Çdo kush që do largohet që aty do ketë marrë lekët më parë. Kjo varet vetëm nga standardet e UEFA”, tha Rama.

Por banorët nuk kanë qenë dakord, pasi sipas tyre dëmshpërblimi është qesharak. Banorët i kanë dalë sërish para për të marrë një përgjigje prej tij ndërsa hynte në makinë duke i kërkuar shpjegime, por janë larguar nga policia.

“Nuk mund të na ndaloni ta takojmë. Të drejtat tona do t’i kërkojmë deri në fund. Kërkojmë dëmshpërblimet për përmbytjet”, kanë thënë ata.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: