DURRES- Rastet e zjarreve të shtuara në këtë fund shtatori, kanë detyruar policinë të rrisë gatishmërinë në Qarkun e Durrësit. Shefi i Rendit në policinë e Durrësit, Bajram Mara kërkoi mbështetjen e popullatës në shuarjen e zjarreve.
Tre raste zjarresh me tre të ndaluar janë shënuar këto ditë në Krujë, Shijak e Durrës. Në të tre rastet, këto zjarre kanë qenë me pasoja, ku në Sukth janë djegur dy kavaleta bari dhe janë rrezikuar disa shtëpi; në fshatin Murqinë, Bashkia Krujë, është dëmtuar linja hekurudhore; dhe në Njësinë Administrative Gjepalaj, janë djegur një sipërfaqe e mbjellë me ullinj.
Në terren janë angazhuar për parandalimin e zjarrvënies, si dhe për evidentimin e autorëve, edhe agjentët e Policisë Kriminale.
Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e banorëve për të parandaluar zjarrvënien, dhe i fton ata të denoncojnë në kohë në numrin 129 dhe 112 çdo rast sado të vogël të shkaktimit të zjarrit në toka bujqësore, kullota apo pyje.
(BalkanWeb)