Ashtu siç pritej gara për kreun e ri të FSHF-së që do të vendoset më 7 shkurt po monitorohet me kujdes nga UEFA dhe FIFA. Pedro Pinto, drejtori i Komunikimit në “qeverinë europiane të futbollit”, në një deklaratë për top channel flet rreth asaj që po ndodh me fushatën e kandidatëve në Shqipëri, qëndrimin e tyre për ndikimin politik mbi zgjedhjet dhe atë se çfarë do të ndodh në vazhdim.

“Mendoj që është e drejtë që të themi se ky është një moment i artë për futbollin shqiptar. Përfaqësuesja Shqiptare arriti që të kualifikohet në finalet e kampionatit europian dhe përpos kësaj kjo skuadër bëri një paraqitje shumë të mirë edhe në kualifikueset e botërorit. Nuk mund të lë pa përmendur këtu edhe përmirësimin e dukshëm të rezultateve me ekipet kombëtare të moshave apo ndërhyrjet e dukshme në infrastrukturë. Në total mund të themi se federata shqiptare e futbollit ka shkuar drejt një modernizimi dhe përfshirja e saj në programet e UEFA-s, siç është edhe projekti grassruts tregon qartë përmirësimet e këtij institucionit të futbollit shqiptar. Ne presim që kjo gjë të vazhdojë”, thotë Pinto.

“Sigurisht UEFA është e informuar për atë që po ndodh me zgjedhjet e datës 7 shkurt. Ne jemi në dijeni që janë dy kandidat, mbetemi gjatë gjithë kohës në kontakt edhe me FIFA-n duke grumbulluar paralelisht informacione nga terreni për t’u siguruar që gjithçka të shkojë ashtu si duhet”, vijon ai.

“Pozicionimi i UEFA-s në ndërhyrjet politike është shumë i qartë, 0 tolerancë. Kjo është pjesë e statutit të UEFA-s, statutit të FIFIA-s ashtu siç edhe ju e dini, për këtë arsye ne nuk do të lejomë asnjë ndërhyrje të politikës në çdo formë të futbollit. Sa i përket procesit të zgjedhjeve UEFA do të sjellë në Shqipëri një grup të fortë delegatësh që do të ndjekin procedurat dhe të sigurojnë mbarëvajtjen e procesit. Do të na duhet të sigurojmë kryesisht që delegatët të mos ndjejnë asnjë presion gjatë procesit të votimit dhe që vota të mbetet sekrete. Ne do të monitorojmë situatën nga shumë afër që çdo gjë që parashikon rregullorja të ndiqet dhe më pas do të kemi një raport nga delagatët tanë. Vetëm pas këtij procesi UEFA do të vlerësojë situatën”, shton zyrtari i UEFA-s.

“Nuk do të donim të krahasonim asnjë situatë që ka ndodhur në vende të tjera, të vetmen gjë që dua të them është se do të ketë 0 tolerancë nga çdo ndërhyrje politike në çdo nivel të futbollit dhe procesi zgjedhor është një nivel futbolli në këtë rast, për këtë arsye do të ketë 0 tolerancë”, përfundon Pinto.

Kujtojmë se deri më tani në garën për FSHF-ë janë dy kandidate, kreu aktual Armando Duka dhe Bashkim Fino. Afati për propozime të reja është deri më datën 18 janar dhe nuk përjashtohet mundësia që në zgjedhjet e 7 shkurtit të jenë më shumë se 2 kandidatë.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: