Real Madrid prezantoi sot Aurélien Tchouaméni, nënshkrimin e dytë të sezonit, pas Rüdiger. Francezi nënshkroi me “Los Blancos” deri në vitin 2028. Një kontratë 6- vjeçare, me të cilën të bardhët sigurojnë një nga mesfushorët me të ardhmen më të madhe të futbollit europian dhe për të cilën paguan 80 milionë euro te Monaco.

Ja disa nga deklaratat e xhevahirit transalpin, të cilin bëri çmos ta rrëmbente edhe PSG, por ndryshe nga situata me Mbappe, dështoi kësaj here.

Ancelotti – “Po, kam folur me të gjatë negociatave. Ai ishte shumë i mirë. Më tha që, nëse doja të vazhdoja të rritesha dhe të mësoja, duhej të vija te Real Madridi. Pas nënshkrimit, ai më tha se ishte shumë i lumtur”.

Cesc Fabregas dhe ndihma e tij – “Kur mbërrita te Monaco e dija që, nëse do të kisha një marrëdhënie të mirë me të, ai do të më jepte një këshillë të mirë. Ai më tha të vija këtu pa asnjë hezitim. Fabregas më mësoi të shikoja të gjithë fushën dhe të dija se çfarë të bëja me topin. Më shtyu të përmirësohesha në të gjitha aspektet e lojës”.

Idhulli i parë i madh – “Zidane është një ikonë për Real Madridin, por ne francezët e kujtojmë atë nga Kupa e Botës 2006. Zidane dhe Karim Benzema janë idhujt e mi”.

Fanella – “Kam luajtur me numrin 8, por këtu e mban Toni Kroos. Kësisoji mora numrin 18, që është gjëja më e afërt”.

Paratë e PSG apo ëndrra e Madridit – “Sapo u interesua Real Madridi i thashë agjentit tim që ta mbyllte marrëveshjen. Kishim negociata të tjera, por opsioni i parë ishte Real Madridi”.

Konkurrenca – “Është një sfidë, por nuk po mendoj për Kupën e Botës në nëntor. Po mendoj të luaj te Real Madridi, të stërvitem me këtë klub të madh. Ndoshta në ekipet e tjera kam pasur më shumë garanci për të luajtur më shumë minuta, por e kam dashur këtë sfidë”.

Çmimi – “Nuk më takon mua të flas për këtë. Mundohem të jem më i miri në fushë. Çmimi i nënshkrimit nuk më intereson aspak”.

Nga frymëzohet – “Unë shikoj video të Kobe Bryant, të Michael Jordan. Ato janë legjenda të sportit. Ne nuk mund të pushojmë për asnjë moment. Dita ime është gjithmonë të punoj në maksimum dhe të përmirësohem”.

Përmbysjet e Real Madridit – “Në finalen e Ligës së Kampionëve kisha tashmë negociata me Real Madridin. Është e vërtetë që kur pashë ndeshjet kundër PSG-së apo Manchester City i shkrova agjentit tim dhe i thashë: bëj gjithçka që të më çosh atje, të lutem!”

Pozicioni në fushë – “Që i vogël kam luajtur me dy mesfushorë. Te Real Madridi, me modulin 4-3-3, pozicioni im do të ishte 6, por mund të luaj edhe si 8. Mund të luaj në të dyja pozicionet. Nuk e kam problem të luaj mbrapa apo përpara”.

A i bëri presion Mbappé – “Kylian vendosi të qëndronte te PSG. Ai e dinte se do të largohesha nga Monaco dhe donte të dinte nëse mund t’i bashkohesha atij në Paris. Unë i thashë pa asnjë mëdyshje se doja Real Madridin dhe ai e kuptoi në mënyrë të përsosur”.

Ndjenja – “Kur Real Madridi më telefonoi, nuk hezitova dhe fola për këtë me familjen time”.

Çfarë ju kanë thënë Benzema dhe Camavinga – “Kam pasur fatin të flas me Benzema dhe Camavinga. Në rastin e Camavinga, ne kemi parë se si ai është përmirësuar në vitin e tij të parë këtu. Unë do të jem mjaft me fat që të luaj për klubin me sulmuesin më të mirë në botë. Kur negociatat përparuan, ai më shkroi dhe më pyeti nëse mund të më ndihmonte”.

A shtyu shumë PSG – “Sapo mbërriti oferta e Real Madridit, nuk hezitova. Dua të lë gjurmë në futboll dhe klubi më i mirë për këtë është Real Madridi. Është vendimi më i mirë për mua. Jam shumë i lumtur që nënshkruaj me Real Madridin. Është klubi më i mirë në botë dhe ne do të punojmë shumë për të vazhduar të fitojmë tituj dhe të pasurojmë historinë e klubit”

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb