Gjyqi në Hagë për ish-komandantët e UÇK-së që drejtojnë Partinë Demokratike të Kosovës, ka nxitur një reagim pothuajse të unifikuar në Shqipëri. Nga njëra anë Gjyakta Speciale, e votuar në 2014 nga vetë të pandehurit, anatemohet si vegël e Serbisë që po bën një proces të padrejtë kundër viktimës në një luftë që nuk pati të dënuar mjaftueshëm nga agresorët.

Nga ana tjetër një gjyq që Edi Rama ka nisur ndaj Lulzim Bashës si përkthyes dhe udhërrfyes i prokurorëve dhe ndaj PD dhe LSI që votuan rezolutën e 2011 në Këshillin e Europës për hetimin e krimeve të supozuara nga UÇK, dokument që pretendohet se është baza për krijimin e Gjykatës Speciale dhe dosjeve kundër gjithë komandantëve të Ushtrisë Çlirimtare.

Ndërsa Basha denoncon papërgjegjshmërinë me të cilën Edi Rama po trajton pandeminë, nxjerr video të njerëzve që kurohen nëpër ambulance, me shpresën që një krevat do të lirohet, Rama i kujton Uzinën e Metaleve në Kukës dhe ‘Shtëpinë e Verdhë’ në Burrel, ku sipas tij, Lulzim Basha ka shoqëruar hetuesit ndërkombëtarë që kanë hartuar dosjet kundër Thaçit dhe bashkëpunëtorëve të tij. Me shpresën se diçka do të ngjisë në mënyrë që afishja nacionaliste të mbulojë katastrofën qeverisëse.

Një betejë që përtej konfirmimit të shprehjes “nacionalizmi është streha e fundit e maskarenjve”, zbulon refuzimin ndaj drejtësisë si një sëmundje jo vetëm shqiptare. Është e vërtetë ulëritëse që Serbia i strehon të kërkuarit nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës, që i rehabiliton të dënuarit, që i fut në Parlament kriminelët duke refuzuar Drejtësinë.

Është një konsensus politik dhe social për të mos e pranuar fajin, për të mbrojtur të shkuarën kriminale të një shteti shovinist. Kosova nuk e ka bërë këtë. Ka dorëzuar Ramush Haradinajn kur ishte kryeministër tek Gjykata Ndërkombëtare e Hagës dhe pastaj për herë të dytë te Gjykata Speciale, po pa e ngritur aktakuzën.

Të tjerë komandantë të UÇK-së u dënuan nga Gjykata Ndërkombëtare, të tjerë u thirrën në një process nga Gjykata Speciale, e cila u ngrit me votat e të gjithëve përveç Vetëvendosjes.

A duhet të krenohet Vetëvendosje sot me votën kundër të 2014? A duhet me të njëjtën logjikë të krenohet Edi Rama sot për votën kundër në 2010? Kjo varet nga raporti që ata duan të kenë më Drejtësinë. Nëse është krenari ta bllokosh dhe t’i shmanegsh, atëherë janë në të drejtën e tyre.

Në fakt Kosova zgjodhi të përballet me Drejtësinë. Sjellja e Kosovës në paqe, ashtu si në luftë, është përsëri e kundërta e sjelljes së Serbisë që e refuzoi drejtësinë, megjithëse krimet serbe janë të pakrahasueshme me episodet e UÇK.

Vota pro hetimit, si në 2010 në Strasburg, edhe në 2014 në Prishtinë nuk i hap dyert e burgut Thaçit, Veselit, Krasniqit etj., por një procesi gjyqësor, që në përfundim të tij, me apo pa dënimin e ish-komandantëve, do të pastrojë qëllimet e luftëtarëve të UÇK, ndoshta jo gjithë luftën e tyre.

Sido që të jetë rezultati i gjyqit, edhe nëse ata dënohen, hapja e rrugës për drejtësinë, tregoi se shqiptarët nuk e mbrojnë krimin, nuk i fshehin kriminelët, nuk i gradojnë, edhe kur ata janë çlirimtarë, edhe kur krimet e tyre kanë brenda pafajësisnë e një luftëtari të pamësuar me ligjet e luftës, edhe kur ata janë në krye të shtetit.

Kjo që po bën Rama, që po u kujton sot kundërshtarëve të tij, se ai e refuzoi hetimin, përveçse tregon raportin e tij me drejtësinë, konfirmon, me siguri pa dashje, akuzat që janë ngritur në Hagë.

Nëse ato janë sot vetëm akuza dhe do të dalin nga procesi gjyqësor nëse janë të vërteta, Edi Rama i konfirmon. Duke akuzuar kundërshtarët politikë, ai vetëm sa pohon se krimet janë bërë, por nuk duheshin lejuar të hetoheshin. Nëse nuk do ta mendonte këtë, nuk kishte pse të fajësonte hetimin për prangat në duart e Thaçit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: