NGA VITORE NDOJ

LEZHË- Dikur njerëzit silleshin me forcë në kampin e internimit në Torovicë, ndërsa sot banorët e varfër nga veriu e kanë zgjedhur atë si strehë të tyren. Të harrur nga shteti ata jetojnë në kushte ekstreme varfërie. Pa drita, pa ujë, të papunë dhe të pa ushqyer, shtyjnë ditët e mbijetesës.

Nuk janë në internim. Nga ajo kohë kanë kaluar shumë vite. Por, kushtet ku jetojnë sot banorët e ardhur nga të gjitha zonat malore të Shqipërinë në ish-kampin e Torovicës, tregojnë të kundërtën.

Në kohën e komunizmit këto godina u ngritën për të internuarit dhe të padëshiruarit e partisë, sot dhjetëra familje nga zona të thella të veriut kanë zënë vendin e tyre.

Rruga që të çon për tek ish-kampi është një sfidë më vetë, në fakt janë më pak se 20 km rrugë, por që për të shkuar deri atje duhet më shumë se 1 orë e 30 minuta për shkak të amortizimit të tejskajshëm të rrugës.

Rruga e dëmtuar duket sikur të përgatit për atë që do të vij më pas, skamjen dhe mjerimin në të cilin janë zhytur banoret.
Godinat e ish-kampit janë të vendosura bri malit atje ku dielli bie më pak së 3 ore në ditë, vitet i kanë amortizuar ndjeshëm dhe aty këtu sheh çarje të murit dhe dëmtime të shumta. Duket e pabesueshme që në këto godina jetojnë rreth 40 familje.

Fillimisht u pritëm në familjen Gjoka ku jetojë 8 persona. Varfëria është e skalitur në çdo cep të shtëpisë. Gjithçka mungon. I zoti i shtëpisë Nikoll Gjoka tregon që kanë ardhur nga Mirdita në vitin 1985 me shpresën për një jetë më të mirë. “Ajo me të cilën u përballëm,- rrëfen ai ishte edhe më keq,- pas rënies së komunizmit fermat u shkatërruan dhe s’kishte më punë”. 8 anëtarët e kësaj familje ushqehen me rrogën e nuses së shtëpisë, e cila punon në një fabrikë për përpunimin e peshkut, më një pagë prej 150 mijë lekësh të vjetra.

E zonja e shtëpisë Marie Gjoka tregon se papunësia është plaga më e rëndë e të gjithë banorëve të ish-Kampit. Pjesa më e madhe e të rinjve por edhe familje janë larguar drejt Gjermanisë dhe vendeve të Evropës për të kërkuar azil edhe pse shumë prej tyre i kanë kthyer.

Zef Sherri është një tjetër banor i ish-kampit. Ai tregon rrezikun që iu kanoset çdo ditë nga frika e shembjes së godinës, e cila në disa pjesë të saj është dëmtuar rendë. Sipas tij qeveria dhe pushteti vendore i kanë braktisur dhe shkojnë për t’i parë vetëm gjatë fushatave elektorale.

Rrugës ne u takuam edhe me Pashko Qosaj i cili na tregon për njëmijë e një halle në të cilat është zhytur kjo zonë.
Mungesa e vëmendjes së pushtetit për të investuar në këtë zonë për Pashkon është e papranueshme.
Nga njëra familje tek tjetra situata është edhe më e rendë. Në këtë godinë jetojë 4 anëtarët e familjes Paplekaj, të cilët kanë ardhur para një viti nga Tropoja.

Ndalesa jonë e fundit në këtë kamp është edhe më e dhimbshmja. Ky është Ndue Papleka, 84 vjeç i cili jeton në një dhomë të ngushtë dhe të zbrazët. I ftohti depërton në të katërta anët dhe Ndue përpiqet që t’i bëjë ballë të ftohtit dukë u strukur poshtë mbulesave.

Sëmundja e ka detyruar që të shtrihet pasi ai zakonisht del në mal për të mbledhur sherbelë që të sigurojë ndonjë lekë pasi pensioni nuk i mjafton as për nevojat minimale. Ai kërkon nga pushteti vendor që t’i ndihmojë qoftë edhe me ushqime. E ndërsa nevoja me e domosdoshme e tij është së paku një dhomë e ngrohtë.

Torovica është një ndër zonat me të varfra të Lezhës gjithashtu një ndër zonat që ka vuajtur më së shumti mungesën e investimeve nga pushteti vendore dhe qendrore.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb