Ura e Hoshtevës në Zagori, monument kulture por që kryen edhe funksion praktik pasi lidh fshatra të Zagorisë, do ti nënshtrohet restaurimit.

Shqetësimin për këtë urë e cila rrezikon të shembet si pasojë jo vetëm e amortizimit të saj ndër vite por edhe dëmtimeve që pësoi nga përmbytjet e kohëve të fundit, e kanë ngritur banorët e kësaj zone të cilët janë ankuar edhe pranë Bashkisë Libohovë.

Në përgjigje të këtij shqetësimi, ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro ka deklaruar se ndërhyrja te ky monument do të kryhet brenda këtij viti sikundër ishte planifikuar, ndërsa specialistë të Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare në Gjirokastër kanë bërë vlerësimet përkatëse.

Kumbaroi sqaron se që në 2015 është përgatitur nga DRKK një projekt paraprak konsolidimi i cili është miratuar tashmë nga Këshilli Kombëtar i Restaurimeve. Nga raportet e monitorimeve teknike është konstatuar që ura mbart gjurmët e amortizimit të shekujve dhe të dekadave.

“Pas inspektimeve të fundit në dhjetor, pas përmbytjeve, dhe në ditët e para të janarit të inxhinierëve të DRKK (edhe me bashkëpunimin vullnetmirë të inxhiner Agron Doracit, një nga mjeshtrat e Monumenteve të Gjirokastër), përmbytjet e fundit nuk kanë shkaktuar dëmtim të posaçëm dhe nuk rrezikohet shembja e urës”, deklaron ministrja.

Duke vënë në dukje se restaurimi i kësaj ure është priroitet i ministrisë për 2018, Kumbaro sqaron se me këtë strategji u ndërhy në 2017 në kishën e Bënjës, dhe në atë të Kosinës në Përmet, në kishën e Sopikut në Pogon.

Sipas saj, u realizua ndërhyrje shumë profesionale e të vështirë në kishën e Labovës e cila ishte po ashtu një nevojë absolute, ose në 4 kishat e Voskopojës, në Qendrat historike të Dhërmiut e Vunoit, e me radhë.

“Edhe si deputete unë e kam konfirmuar këtë projekt të qeverisë për ta realizuar në vitin 2018. Në këtë moment po punohet për përditësimin e plotësimin e projektit ekzistues dhe do të futet në zbatim sapo të miratohet versioni përfundimtar, por edhe të stabilizohet moti për të punuar në kushtet të cilat favorizojnë ndërhyrjen në sit”, sqaron më tej Kumbaro.

Gjithashtu, ministrja informon se restaurimit do ti nënshtrohet edhe Kisha e Peshkëpisë, objekt që prej dekadash nuk ka njohur ndërhyrje dhe që ka nevojë për konsolidim.

“Por duhet të kuptoni që me gjendjen shumë të rëndë të trashëguar në inventarin e monumenteve të kulturës në të gjithë Shqipërinë, është e pamundur që investimet e munguara në 30 vjet t’i realizojmë të gjitha në 4 vjet”, shprehet Kumbaro.

Ministria e Kulturës ka përgatitur dhe ka dërguar tashmë në parlament një projektligj të ri për Trashëgiminë Kulturore ku parashikojmë rregullat dhe modele menaxhimi të cilat krijojnë kushte të reja për ruajte, mbrojtje, vlerësim dhe adminsitrim të trashëgimisë kulturore, që përfshijnë jo vetëm pushtetin qendror siç ka qenë deri tani, por i jep role të posaçme pushtetit vendor, shoqërisë civile, bashkësive fetare, pronarëve të pasurive kulturore, subjekteve private dhe biznesit.

Trashëgimia kulturore është pasuri kolektive, e trashëgojmë të gjithë, e gëzojmë të gjithë, të gjithë kemi detyrë ta mbrojmë, ta zhvillojmë dhe ta investojmë. Ky projektligj krijon mundësinë e një strategjie të tillë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: