NGA BEGZAD BALIU
Më 25 qershor 2014, akademiku Rexhep Qosja mbushi 78 vjeç. Shqiptarët, kudo janë, në Kosovë a në hapësirën shqiptare, në Europë a në hapësirën globale përgjithësisht, kanë arsye t’i gëzohen jo vetëm moshës së tij mbi mesataren europiane, por edhe shëndetit fizik dhe elokuencës mendore, të cilin profesor Qosja e dëshmon me paraqitje të shpeshta publike: në takime shkencore, kulturore dhe madje, politike. Shqiptarët, për më tej, ende kanë arsye t’i gëzohen muzës së tij krijuese të gjithëkohshme, të cilën ai e shpreh me veprat dhe me oratorinë e shkëlqyeshme në paraqitjet e tij. Në frazeologjinë shqiptare ka shumë shprehje dhe urime për ditëlindjen, përkatësisht “shumë pranvera”, ndërsa krahas kësaj kemi edhe sinonimet “shëndet” përkatësisht “verë” (“shnet e verë”, “shnet si vera”, “ish bâ verë” etj.), si kusht për të pasur vlerë mosha e një personi.

Profesor Rexhep Qosja vjen në pranverën e 78-të edhe me pranverën e librave, edhe me verën e vlerave të tyre për shëndetin e kulturës dhe të dijes kombëtare.

Historian i letërsisë, estet, kritik letrar, publicist, prozator e dramaturg, polemist e gojëtar, Rexhep Qosja lindi më 25 qershor 1936 në Vuthaj të Malit të Zi. Gjimnazin e mbaroi në Ivangrad, Normalen në Prishtinë, studimet i vazhdoi në Beograd, ndërsa doktoratën në Prishtinë. Ishte bashkëpunëtor, anëtar dhe drejtues i pothuajse të gjitha institucioneve arsimore, shkencore dhe kulturore të Kosovës nga vitet ’60 e këndej. Gjatë këtyre tri dekadave të jetës së tij, nga Vuthaj në Ivangrad, Prishtinë, Mitrovicë e Beograd, profesor Qosja trashëgoi kujtesën e dhimbshme të historisë së familjes së tij, të qenit në kufi dhe në konflikt të përhershëm me sllavët e jugut (ruajtur në nëntekstin e eposit që nga antikitetit i vonë), kujtesën e të qenit në kufirin fundor të Perandorisë Osmane në rënie dhe në shtetin e zgjatur të Perandorisë Ruse që po formohej; kujtesën për krenarinë epike të formuar nën paradigmën e eposit shqiptar dhe tekstet letrare e historike të bardit të kombit shqiptar Gjergj Fishta; përmbajtjen estetike dhe historike të literaturës së sllavëve të jugut në Ivangrad dhe të letërsisë e filozofisë franceze, gjermane e ruse në Beograd etj.

Do të vijnë më tej dekadat e tjera kur profesor Qosja, për më shumë se 50 vite do të shquhet për angazhimin e tij krijues në botën intelektuale, shkencore, arsimore dhe kulturore e politike shqiptare. Me tekstet e tij metodologjikisht antidogmatike, me gjuhën e tij polemizuese, me mendimin e tij kritik, me konceptet bashkëkohore të njohjes, fillimisht në fushë të mendimit kritik e më tej edhe mendimit kulturor, shkencor, historiko-letrar dhe politik, Rexhep Qosja ka sjellë kurdoherë diskutime të gjera e të thella në opinionin e kohës. Veprat e tij me karakter teorik, historik, filozofik, estetik, antropologjik, historiko-letrar e kulturor dhe më në fund, edhe Ditari i tij, dëshmojnë për angazhimet e tij në jetën qytetare, kulturore dhe institucionale të kohës, që më parë se sa konceptet ideologjike të pranishme dendur në Prishtinë dhe mbretëruese në Tiranë, sundoheshin prej veprave të filozofëve klasikë: Zhan-Zhak Rusosë, Erasmusit të Roterdamit, Konfuciusit, Deni Didrosë dhe filozofëve bashkëkohorë të kohës: Zhan Pol Sartrit, Klod Levi Strosit, Mihail Bahtinit si dhe prej veprave të letërsisë së përbotshme (Eskilit, Dantes, Shekspirit, Gëtes, Andre Zhidit etj.), por me referencë majat e letërsisë moderne europiane, ruse dhe amerikane: Dostojevskin, Marsel Prustin, Xhejms Xhojsin, Uilliam Folknerin, Albert Kamynë etj. Veprat shkencore dhe letrare, dhe për më tej Ditari i tij dëshmojnë për formimin e tij shkencor, letrar dhe intelektual pikërisht në këtë periudhë të pesë dekadave të para të jetës së tij. Profesor Qosja gjatë kësaj kohe do të ideojë projektin e madh të “Historisë së letërsisë shqipe” (Romantizmi I, II, III), që për nga rëndësia e trajtimit dhe e sqarimit teorik të disa problematikave të procesit historiko-letrare në të, mbetet ende një nga nevojat e rikonceptimit të përgjithshëm të “Historisë së letërsisë shqiptare” sot. Sikur mund të shihet prej Ditarit të tij, gjatë kësaj kohe ai ka projektuar dhe botuar një numër të madh prozash, duke përfshirë këtu edhe “Inkuizitorin”, por do të botojë vetëm romanin “Vdekja më vjen prej syve të tillë”, dramat e përmbledhura me titull “Mite të zhveshura” dhe kolanën e veprave “Panteon i rralluar”, “Anatomia e kulturës”, “Morfologjia e një fushate”, si dhe do të shkruajë, por nuk do ta botojë traktatin “Tri mënyrat e shkrimit shqip”. Në veprat e tij gjatë kësaj kohe profesor Qosja do të provojë insistimin e tij, që në ditar e quan “mision me pasoja personale”, për të kundërshtuar zhvillimet kulturore, letrare dhe historike nën aureolën e realizmit socialist, si prirje dogmatike dhe antihistorike me rrjedhat europiane të kohës. Në të vërtetë, prej Ditarit të tij nuk është vështirë të shihet se më shumë se sa me zhvillimet kulturore e institucionale, më shumë se sa me zhvillimet gjuhësore dhe identitare dhe më shumë se sa me zhvillimet etnokulturore e historike në Kosovë e në Shqipëri, të shfaqura në veprat e tij, ai nuk do të jetë i kënaqur me qëndrimin dhe ndihmesën e tij për t’i ndalur këto zhvillime. Përtej saj, aty ku përfundon gjykimi, po edhe vlerësimi, për të tjerët në veprat letrare, estetike e filozofike të tij, aty vazhdon gjykimi për veten, por tashmë në Ditarin e tij.

Në fushë të interpretimit, tipologjizimit, teoritizimit dhe vlerësimit të procesit letrar shqiptar, në fushë të mendimit largvajtës historik, Rexhep Qosja është i njohur për sintezat e mëdha shkencore, pos me “Historinë e letërsisë shqipe” I-III, edhe me veprat “Çështja shqiptare – historia dhe politika”, vëllimet “Populli i ndaluar”, “Paqja e përgjakshme”, “Porosia e madhe” etj. Me këto vepra dhe me të tjera të kësaj natyre, ai e ka bërë për herë të parë sintezën integrale të historisë së popullit shqiptar, të letërsisë dhe të kulturës së tij, pa ndarje kufijsh politikë, kulturorë dhe historikë, duke i parë ata si të tërë në fatet historike të Europës dhe si një etni sociokulturore, etnopsikologjike, politike e gjuhësore në zhvillimin e qytetërimit të tij. Në këtë rrjedhë, veprën e tij për më shumë se gjysmë shekulli e ka shquar koncepti antidogmatik dhe qasja moderne e hulumtimit dhe studimit.

A është kjo arsyeja pse në këtë ecje, në këtë rrugëtim historik, Profesor Qosja me jetën dhe me veprën nuk e përfaqëson vetëm idhullin e shqiptarizmës: Naim Frashërin, po sintezën e madhe të kësaj periudhe të lavdishme historike. Kjo, sigurisht, është edhe arsyeja pse vepra e tij shkencore, letrare dhe politike e ka ndihmuar kalimin e popullit shqiptar në kapërcyell të shekullit XXI.

Profesori ynë vazhdon të na magjepsë me mjeshtërinë e të rrëfyerit të tij edhe me veprat letrare: “Vdekja më vjen prej syve të tillë”, “Një dashuri dhe shtatë faje”, “Nata është dita jonë”, “Bijtë e askujt” I, II, si dhe me tekstet e dramave dhe monodramave të vëllimit “Mite të zhveshura”. Me veprat nga krijimtaria letrare, të botuara ndërmjet viteve 1973-2014, ai e ka përherësuar dhuntinë e magjisë së fjalës shqipe, si dhe përmasën postmoderne të letërsisë shqipe.
Veprat e tij shquhen për gjuhën e jashtëzakonshme dhe prurjet e saj jo vetëm të natyrës fonetike e fjalëformuese, por edhe sintaksore e stilistike, një arritje kjo rrallë e shënuar në letrat shqipe. Ata që kanë lexuar projektet e tij gjithëkombëtare për institucionet shkencore në fund të viteve ’60; ata që kanë lexuar konceptet e tij për gjuhën letrare në vitet ’70; ata që kanë lexuar vlerësimet e tij për shqipen standarde dhe terminologjinë shkencore në studimet kritike dhe historiko-letrare të viteve ’80; në të vërtetë, ata që e kanë lexuar veprën e tij letrare, publicistike, historike, politike, historiko-letrare dhe polemike nuk e kanë vështirë të kuptojnë pse ai e shquan kaq shumë rëndësinë dhe pasurinë e gjuhës shqipe, si dhe dimensionin përbashkues të saj në jetën e popullit shqiptar. Për më tej, ata që e kanë lexuar me kujdes pasurinë leksikore dhe kuptimore të fjalësit të tij, nuk e kanë të vështirë të shohin se pasuria e gjuhës shqipe nuk vjen vetëm prej një dialekti a një dialekti tjetër, por edhe prej dhuntisë së krijuesit për të gjurmuar dhe pasuruar gjuhën e tij me fjalë, nocione, terma, neologjizma apo togfjalësha të rinj. Në romanin e tij të fundit “Bijtë e askujt” gjuha shqipe flet fonetikisht, morfologjikisht, sintaktikisht, semantikisht, semiologjikisht. Flet me tingullin, me temën, me parashtesën dhe prapashtesën, me kompozitën, me togfjalëshin dhe si kurrë më parë në letrat shqipe, flet me shenjat e interpunksionit. Flet me fjalën, fjalinë, paragrafin. Në historinë e letrave shqipe zor të gjendet një vepër letrare, publicistike, historike dhe madje polemizuese, zor të gjendet një vepër, në të cilën më parë se sa prej përmbajtjes, lexuesi udhëhiqet prej gjuhës, në të vërtetë prej fjalëve-terma (në studimet shkencore) dhe prej fjalëve-simbole (në tekstet letrare), si në veprat e profesor Qosjes. Të gjitha këto janë në funksion, para se gjithash, të diskursit të komunikimit të tij me bashkëkohësit, i cili përgjithësisht në Ditarin e tij merr arketipa të veçantë.

Në komunikim me bashkëkohësit dhe institucionet e kohës në Kosovë, ai është sistematik dhe përgjithësisht i prerë; në komunikim me institucionet ndërkombëtare ai del diplomatik, por para së gjithash pragmatik; në komunikim me institucionet dhe përfaqësuesit serbë i vendosur dhe akademik; ndërsa në kontekst të lëvizjes kombëtare dhe rinore (e brenda tyre edhe me studentët), posaçërisht emocional. Janë të shumta faqet e vëllimeve të Ditarit, me plotë pasazhe, të shkruara me ditë të tëra, me situata të veçanta dhe me kontekste ekzistenciale, ku ngjyra emocionale e raporteve të tij me fatet e rinisë së Kosovës, të popullit me gjendje të vështirë sociale e të tjerë, merr dimensione plotësisht shpirtërore.
Gjatë viteve të tij shkencore dhe intelektuale, profesor Rexhep Qosja është shquar, në mënyrë të veçantë, me përpjekjet e tij integruese në fushë të mendimit shkencor, si dhe për etikën e fjalës e të mendimit në kulturën shqiptare, në kohën kur ajo ndalohej për shkaqe politike, ideologjike dhe “parimore”. Krijues, që nuk e ka pranuar dogmatizmin dhe folklorizimin, profesor Qosja me kohë është çliruar prej fjalësit ideologjik dhe fjalësit krahinor, por duke qenë krijues me njohje të gjerë të traditës kombëtare dhe trashëgimisë letrare të përbotshme, ai ka ditur t’i bëjë të përdorshme vlerat historike dhe mitike nacionale si vlera estetike universale.
Kështu, në vitet ’70 ai është shquar për përpjekjen e tij që kulturën shqiptare ta paraqesë si pjesë integrale dhe të natyrshme të kulturës europiane, sado që kjo përpjekje e ka vënë në konflikt me regjimin e ideologjizuar të institucioneve politike dhe shkencore të Tiranës; në vitet ’80, Rexhep Qosja e ka mbrojtur me këmbëngulje përbërësin europian të qytetërimit shqiptar, sado që kjo e ka vënë në konflikt me institucionet politike dhe shkencore të Beogradit; ndërsa në vitin 1981, ai u bë pjesë e lëvizjes së madhe studentore dhe kombëtare në mbrojtjen politike, fizike dhe qytetare të popullatës shqiptare në Kosovë nga gjenocidi i politikës së Beogradit, duke u bërë edhe bardi moral e intelektual i saj. Në këtë periudhë, me fjalën e tij në Kongresin e Lidhjes së Shkrimtarëve të Jugosllavisë në Novi-Sad, ai përfundimisht e ka filluar dejugosllavizimin e mendimit shqiptar.

Në vitet ’90, kur zëra të caktuar filluan të shquajnë karakterin krahinor (të kulturës shqiptare), dialektor (të gjuhës shqipe) dhe përdallues (të religjionit të shqiptarëve), duke e shquar njërin më shumë se tjetrin dhe madje njërin kundër tjetrit, Rexhep Qosja mbrojti me guximin e tij intelektual pasurinë universale të qytetërimit shqiptar, pa dalluar prejardhjen Perëndimore, Lindore a Bizantine të tij. Dhe e bëri këtë edhe në një periudhë tjetër po kaq dramatike në jetën tonë. Situata të tilla, për fat të keq, në jetën tonë u përsëritën edhe më vonë, kur rrethana të reja u shfaqën jo vetëm në shoqërinë shqiptare në Shqipëri, po edhe në shoqërinë shqiptare në Kosovë. Në fillim të shekullit XXI, kur shoqëria shqiptare po përpiqej ta kalonte rubikonin e tranzicionit demokratik në Shqipëri dhe ndërtimin e institucioneve shtetërore në Kosovë, u shfaqën mjaft zëra, të cilët shquanin të ashtuquajturin identitet kosovar dhe të ashtuquajturën gjuhë kosovare, duke e kushtëzuar madje edhe mbivendosjen e një shtrese krishterimi në identitetin kosovar, si kusht për t’u identifikuar me përmbajtjen qytetëruese europiane. Dhe zërat shfaqeshin në një kohë që hapësira e Kosovës ishte vetëm një hapësirë gjeografike e dizajnuar nga strukturat shtetërore jugosllave, që në kushte të reja të zhvillimeve ndërkombëtare po merrte konturet e një shteti të ri, ndërsa etnonimi, përkatësisht etimologjia e emrit kosovar në kontekstin historik ishte vetëm një fjalë e prejardhur nga sllavishtja dhe e shtrirë andej në hapësirën sllave të Europës Qendrore dhe Lindore. Në këto rrethana të reja, kur inteligjencia në Kosovë dhe përgjithësisht në të gjithë hapësirën shqiptare merrej me probleme të karakterit partiak, klanor dhe personal, profesor Qosja botoi traktatin “Ideologjia e shpërbërjes”, me të cilin atakoi jo thjesht individë a grupe të caktuara të interesit, po një dimension shumë shqetësues që rrezikonte të merrte përmasa historike në jetën e popullit shqiptar.

Ditëlindjen e 78-të të tij, profesor Rexhep Qosja po e shënon me një projekt të madh, Ditari “Dëshmitar në kohë historike (1966-2014)”, I-IX, që në një mënyrë a një tjetër do të jetë projekti përbashkues i përvojës së tij jetësore: mendore, letrare, kulturore, historike, gjuhësore, politike etj. Nëse kompleti i tij i botuar vitet e fundit përfshinte kontributin e tij në studimet historiko-letrare, letrare, historike-dokumentare dhe polemizuese, në këtë projekt të madh është përfshirë një fushë tjetër, po kaq e çmueshme dhe e munguar në jetën tonë: Ditari. Kjo është edhe arsyeja pse ditëlindjes së tij të 78-të, pritet t’i gëzohen lexues të shumtë, kryesisht të brezit të mesëm dhe të ri, dhe prej përmbajtjes së tij pritet të shqetësohen më shumë disa të tjerë, bashkëkohës të tij. Pasi ka botuar disa nga veprat e tij, në 29 vëllime, në këtë moshë, profesor Qosja ka hapur siparin e botimit të Ditarit në nëntë vëllime, që bashkë me tri vëllime të botuara më parë, në variantin e tanishëm përmblidhet në 12 vëllime.

Në biografinë e profesor Rexhep Qosjes, që nga viti 1968 e deri më sot është vështirë të gjendet qoftë edhe një vepër e vetme, e cila nuk i ka gëzuar dhe nuk i ka shqetësuar bashkëkohësit e tij. E si të mos jetë kështu edhe me Ditarin e tij, që përfaqëson sigurisht ngjarjen më të rëndësishme në jetën kulturore, letrare dhe shkencore të dekadave të fundit të botës shqiptare. Prej bibliografisë së tij nuk është vështirë të shihet se profesor Qosja i ka shqetësuar bashkëkohësit e tij me studimet dhe me vepra studimore, e kjo do të thotë me studimet biografike të botuara herë pas here, sikur janë studimet monografike për Fan S. Nolin dhe Lasgush Poradecin dhe me trajtesa eseistike sikur janë ato për letërsinë, kritikën dhe gjuhën, përkatësisht terminologjinë e saj, të cilat në ndërkohë të plota janë botuar në veprat “Shkrimtarë dhe periudha” dhe “Anatomia e kulturës” dhe sidomos në veprën “Morfologjia e një fushate”. Profesor Qosja i ka shqetësuar bashkëkohësit e tij, institucionet dhe bërësit e politikës shtetërore të kohës me reagimet letrare, kulturore dhe intelektuale e politike edhe me trajtesat e botuara në shtypin shqiptar dhe në shtypin jugosllav, të cilat ndërkohë janë botuar në vëllimet “Populli i ndaluar”, “Demokracia e shpërfillur” dhe “Shqipëria dhe Kosova – Si janë dhe si do të duhej të jenë”, prandaj nuk ka si të mos i shqetësoi edhe me Ditarin, më të cilin sikur mund të shihet, shumë herë në tekstin e tij, nuk ishte në gjendje të pajtohej me shpirtin e tij edhe kur bënte kompromis me bashkëkohësit. Dhe pse të mos thuhet kështu, pavarësisht se deri më tani janë botuar vetëm katër vëllimet, përkatësisht shtatë vëllimet e para të ditarëve të tij. Në këtë mënyrë, më shumë se të tjerëve, individëve dhe grupeve a klaneve të caktuara, si dhe institucioneve të kohës, e kjo do të thotë më shumë dhe më shpesh se me veprat filozofike, letrare dhe historike, gjykimin ia bën vetes në vëllimet e Ditarit të tij.
Profesor Qosja është intelektuali, që për më shumë se një gjysmë shekulli pandërprerë ka qenë i pranishëm pothuajse në të gjitha institucionet më të larta shkencore, akademike dhe kulturore. Ai ka qenë i pranishëm dhe personalitet me ndikim në disa nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore, shkencore dhe politike të hapësirës shqiptare, a të Europës, të lidhura ngushtë me fatet shqiptare dhe të rajonit, prandaj është e kuptueshme pse Ditari i tij 9-12 vëllimesh me titull “Dëshmitar në kohë historike” pritet të jetë jo vetëm një ditar personal i tij, por edhe një histori politike, kulturore dhe intelektuale e gjysmës së dytë të shekullit XX dhe dekadave të para të shekullit XXI. Prej katër vëllimeve të para, ndërkaq, nuk është vështirë të shihet se në shumë aspekte ky Ditar tejkalon modelet e një ditari të zakonshëm. Për shkak se në këto vëllime, shpesh, skajshëm përjashtohen fatet individuale dhe familjare të tij, ato mund të lexohen si vëllime shënimesh të ngjarjeve më të rëndësishme të kohës, që më shumë se me të kanë të bëjnë me institucionet apo ngjarjet kombëtare, ato mund të lexohen si vëllime esesh, të botuara dikur në vëllimin “Fjalor demokratik”, si vëllime trajtesash të përmbledhura dikur në vëllimin “Anatomia e kulturës”, apo si vëllim trajtesash dhe intervistash të përmbledhura dikur në vëllimin “Nocione të reja albanologjike” etj.

Sigurisht, kjo është edhe arsyeja pse profesor Qosja thotë se Ditarin e tij e ka menduar si një enciklopedi. Dhe jo vetëm kaq. Enciklopeditë kanë parametrat normative të tyre e Ditari i profesor Qosjes i kalon të gjithë ato parametra; enciklopeditë i kanë njësitë e vogla, të mesme a të mëdha të tyre, që kushtëzohen kur prej vlerave historike që përfaqësojnë ato, kur prej ndikimeve politike që kanë, ndërsa në vëllimet e Ditarit të profesor Qosjes, vlerësimi i tyre përcaktohet prej dimensionit historik të bëmave të tyre në momentin kur është shkruar për individët apo dukurinë e caktuar dhe prej ndjenjave që shpreh autori i tyre në raport me zhvillimet kulturore, shkencore dhe historike; në enciklopeditë e mëdha apo të vogla njësitë e tyre zakonisht mbyllen brenda paragrafëve të caktuar, ndërsa në Ditarin e profesor Qosjes paraqitja e tyre bartet vit pas viti, dekadë pas dekade dhe dalin në plan të parë zakonisht në kontekst të marrëdhënieve të tij në çastet historike apo në kontekst të shijes së tij estetike; në enciklopeditë nacionale dhe ato të përgjithshme shpesh bëhen rehabilitime të individëve, fenomeneve apo ngjarjeve të caktuara, ndërsa në Ditarin e profesor Qosjes jepet e gjithë ngritja e jetës sonë kulturore, shkencore, arsimore, institucionale, me përmasa historike dhe kur e kur edhe politike, krahasuar edhe me zhvillimet e kohës në ish-Jugosllavi dhe në botë, duke i nxjerrë në pah brenda kësaj kohe shumë situata tragjikomike të këtyre zhvillimeve. Në ditarët e tij, të gjithë pa përjashtim sillen para gjykimit të historisë si dhe vetja e tij. Siç dihet, matja me peshoren e historisë është një prej veçorive të përhershme të tij. Sigurisht, jo pa pasoja në jetën shoqërore të tij. Sikur është e ditur, historisë i qëndrojnë pak dukuri, fenomene, institucione dhe vetje. Në histori, ku edhe shekujt ndonjëherë e humbin të qenit, më parë se sa përkrahësit e shumët, e ke të sigurt vetminë. Këtë fat, në situata a kthesa të forta historike të popullit shqiptar si dhe në periudha të caktuara, profesor Qosja e ka provuar jo një herë gjatë këtij gjysmëshekulli të projektuar në Ditarët e tij. Sado luftën mendore e ka bërë me shpatë si Muhamedi, dënimin e ka provuar si Jezu Krishti!
Jetë të gjatë, z. Profesor!
(Fjalë e mbajtur në përurimin e Ditarit “Dëshmitarë në kohë historike” dhe filmit dokumentar në 78-vjetorin
e lindjes në Prishtinë)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb