NGA ERMELINDA HOXHAJ

Rezistenca ndaj antibiotikëve paraqet një nga kërcënimet më të mëdha për shëndetin dhe zhvillimin global, ndërkohë që kërcënimi është në rritje. Këtë vit, bota shënon për të dytin vit Javën Botërore të Ndërgjegjësimit për Antibiotikët, 14-20 nëntor 2016, me një fokus të veçantë te punonjësit e shëndetësisë, të cilët duhet të ndërgjegjësohen dhe të japin antibiotikë vetëm në rastet kur është e domosdoshme. Rezistenca ndaj antibiotikëve në vendin tonë është më se dyfishi mbi mesataren europiane për të gjithë antibiotikët.

Rezistenca ndaj antibiotikëve është një fenomen që ndërlidhet me shkallën dhe mënyrën e përdorimit të antibiotikëve ku faktori kryesor në shfaqjen e rezistencës është përdorimi i pakontrolluar i antibiotikëve. Sipas ekspertëve të epidemiologjisë dhe infeksioneve, faktor tjetër ndikues është edhe mungesa e strategjisë dhe e planit veprues për kontrollin e rezistencës ndaj antibiotikëve. Ndaj OBSH dhe Ministria e Shëndetësisë, theksojnë se punonjësit e shëndetësisë luajnë një rol veçanërisht thelbësor për të mbrojtur fuqinë e antibiotikëve, duke bërë kujdes në përshkrimin e tyre.

Antibiotikët & rezistenca
Fuqia e antibiotikëve me kalimin e viteve po vjen duke u zbehur. Kjo për shkak se mikrobet po bëhen rezistentë ndaj tyre. Në vendin tonë studimet e realizuara në këtë fushë edhe pse jo të plota, tregojnë se rezistenca antimikrobiale është më se dyfishi i mesatares europiane për pothuajse të gjithë antibiotikët e përdorur në praktikën klinike spitalore dhe ambulatore.

Po ashtu, edhe infeksionet spitalore ndërlikohen nga bakteret rezistente ndaj antibiotikëve. Rezistenca ndaj antibiotikëve sipas OBSH është duke u rritur rrezikshëm në nivele të larta në të gjitha pjesët e botës, duke përfshirë edhe të gjithë Europën dhe veçanërisht Ballkanin.

Sipas raporteve të OBSH-së për barrën në nivel botëror të infeksioneve endemike të lidhura me kujdesin shëndetësor, vetëm në Europë, infeksionet që transmetohen në institucione shëndetësore shkaktojnë 16 milion ditë shtesë kohë shtrimi në spital, 37 000 vdekje që i atribuohen infeksioneve spitalore si dhe kontribuojnë në 110 000 vdekje shtesë çdo vit.

Humbjet financiare vjetore vlerësohen në rreth 7 miliardë euro, duke llogaritur vetëm kostot e drejtpërdrejta. “Rezistenca ndaj antibiotikëve përshpejtohet nga keqpërdorimi dhe mbi përdorimi i antibiotikëve, si dhe nga masat e pamjaftueshme të kontrollit dhe parandalimit të infeksioneve.”-theksohet nga MSH. Ndaj me rastin e kësaj jave bëhet apel që mjekët të mos nënshkruajnë receta me antibiotikë vetëm në bazë dyshimesh.

(GazetaShqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: