NGA LEDJONA XHELADINAJ


Muzeu kombëtar i Artit Mesjetar në Korçë është një nga muzeumet më të mira, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Europë për llojin e objekteve që ruan dhe ekspozon. I çelur në vitin 1980, Muzeu Mesjetar i Korçës për fat i ka shpëtuar tranzicionit që ka pësuar Shqipëria, duke bërë të mundur ruajtjen e 8000 objekteve fetare, kryesisht ikona të vjetra. Por si lindi hapja e një muzeu të tillë, mbledhja dhe ruajtja e këtyre objekteve, në një kohë kur regjimi i kohës ndalonte besimin fetar dhe objektet religjioze, pa marrë parasysh vlerat e tyre artistike dhe kulturore?

Sot të gjitha këto objekte janë të hapura për tu vizituar nga kushdo, falë ngritjes së një godine të re në Korçë, e denjë për ekspozimin e këtyre veprave e cila u përurua në tetor të 2016. Ndërtimi i godinës së re Muzeut të Artit Mesjetar është një bashkëpunim i Ministrisë së Kulturës, Qeverise Greke dhe Bashkisë së Korçës.


Ky është një Muze i veçantë përsa i përket numrit të madh të mjeshtërve, autorëve të ikonave dhe larmisë së fondit të objekteve që administron (8000 objekte të Artit Mesjetar, ndër të cilat 6500 janë ikona). Objektet që ndodhen në këtë muze datojnë që në shekullin XII-XIII, e deri në ditët tona dhe kanë autorë emra të tillë si Onufri, Konstadini Shpataraku, David Selenica, vëllezërit Zografi, por ka edhe prej tyre të cilave nuk i dihen autorët.


Prejardhja e këtyre objekteve është nga e gjithë Shqipëria. Ndërsa pjesën më të madhe e zënë objektet dhe ikonat që i përkasin zonës së Korçës.

Të ekspozuara aktualisht janë 400 objekte dhe 250 prej tyre u ekspozuan për publikun për herë të parë. Syri të vizitorëve nuk mund t’i shpëtojë muri i artë, me 120 ikona të paekspozuara më parë.

Nëse ecim më tej zhvendosemi në “Ballkonin e bardhë”, aty gjendet simboli i këtij muzeu Ëngjëlli i Mihalit, një ikonë që daton në shekullin XIV. E njohur ndryshe edhe si “Xhokonda e Lindjes”.

Një tjetër ikonë e kryeengjëllit Mihal është gjetur në zonën e Oparit në Korçë, e cila është restauruar. Në çdo ikonë gjen informacionin përkatës të origjinës dhe autorit. Ikona që datojnë kryesisht në shekullin XVI.

Labirinti i zi është një tjetër ambient i muzeut, aty ku spikat e kuqja e Onufrit.

Në sallonin e kuq janë vendosur ikona të shekullit XVIII më autorë shqiptarë që kanë lënë gjurmët e tyre në trashëgiminë tonë artistike dhe kulturore.

Në muze gjendet dhe një ikonostas i hershëm që vjen nga Rehova e Kolonjës..

Ishulli i Maligradit ka edhe një kishë që daton në shekullin XIV. Dera e vjetër e kësaj kishe gjendet sot e ruajtur në Muzeun Mesjetar në Korçë.

Në gjithë këtë rrugëtim mbresëlënës në Muzeun Kombëtar të Artit Mesjetar në Korçë, nuk mund të mungonte edhe dhoma e parajsës. Një dhomë meditimi gjithashtu.

Mënyra e ekspozimit në Muze ka një frymë bashkëkohore dhe një rend kronologjik të zhvillimit të ikonografisë në Shqipëri. Ndërtesa e Muzeut siguron infrastrukture në parametra bashkëkohore teknike, teknologjike, sigurie, konservimi dhe ruajtjeje. Një gërshetim i ikonave me ngjyrat përkatëse, që ndryshojnë nga një ambient në tjetrin janë një tjetër element i arkitekturës së Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar në Korçë.

Vizitorët e këtij muzeu nuk janë vetëm studiues, por dhe qytetarë të thjeshtë nga Shqipëria dhe jashtë saj, që duan të marrin me vete një kujtim të bukur. Muzeu është i hapur nga e marta në të diel nga ora 9-14:00 dhe nga ora 17 deri në 19 pasdite.

Mbresat e tij çdo vizitor mund t’i hedhë në librin e përshtypjeve. Mbresa nga ky muze të bëjnë të rikthehesh sërish në këtë vend magjepsës, që dukshëm sjell një standard të ri të përçimit dhe ruajtjes së vlerave kombëtare në Shqipëri dhe që të bën krenar për këtë pasuri të paçmuar kulturore e cila i shpëtoi çmendurisë së viteve të tranzicionit dhe do t’i dëshmojë botës ndër breza, kulturën dhe trashëgiminë e Shqipërisë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: