Hervin Çuli është rizgjedhur Drejtor i Teatrit Kombëtar për katër vitet e ardhshme. Pas propozimit të emrit të tij nga Ministria e Kulturës, një Vendim i Këshillit të Ministrave e ka emëruar atë për së dyti në krye të institucionit kaq të debatuar dy muajt e fundit. Ai është emëruar për një mandat të dytë, ndërsa në garë me të ishin Ema Andrea, Genc Fuga e Laert Vasili. Rizgjedhja e tij nuk ishte surprizë për komunitetin artistik.

PRIORITET: CILËSIA
Çuli dje i kontaktuar nga “Gazeta Shqiptare” ka folur për prioritetet e mandatit të dytë.
“Një nga pikat më të rëndësishme besoj se është slogani i teatrit. Ne më parë kishim sloganin, ‘Eja në teatër’, ndërsa tani kemi një slogan tjetër, ‘Teatri Kombëtar, teatri i të gjithë shqiptarëve’. Pra, dalëngadalë, kemi filluar disa koproduksione, me qytetet e tjera. Kemi një me Korçën, një me Shkodrën dhe një me Durrësin, ku Teatri Kombëtar do jetë në bashkëproduksion. Ajo që dua të them, është se do të kemi një shtrirje të Teatrit Kombëtar me koproduksione në të gjithë Shqipërinë”.

Çuli tha dje për “GSH”, se ëndrra e madhe është të bashkëpunojë me 6-7 teatrot kryesorë në vend, që synon nxitjen e publikut të ndjekë shfaqjet edhe nëpër rrethe. “Do nxitet publiku i rretheve sepse do të çojmë atje, aktorë të Teatrit Kombëtar; por edhe Teatri Kombëtar do të fitojë premiera më shumë. Pra, kemi qarkullim më të madh publiku, edhe qarkullim më të madh aktorësh e padyshim edhe premiera më tepër, e, pos këtyre, edhe punësime me shumë”. Sipas Çulit, nëse Teatri Kombëtar ka sot 5 regjisorë maksimumi në repertorin e tij, me koproduksionet me rrethet, i bie të jenë 8-9 regjisorë. “8-9 shpresoj të kemi sivjet, që i aktivizojmë, i fusim në konkurrencë, i fusim në punë. Kjo është një nga gjërat më të rëndësishme”.

Në vijim të sqarimit të prioriteteve të tij, Çuli sqaroi për “GSh”, se ka edhe diçka tjetër që synon ta realizojnë në këtë 4-vjeçar. “Një gjë tjetër është një gjë që unë mendoj se duhet ta rregullojmë është cilësia. Nëse në katër vitet e para, ishte prioritet kthimi i publikut në institucion, tani prioriteti ndryshon. Unë në idetë e mia, që nuk e di nëse i kam realizuar se patjetër që ka edhe shumë gjëra që janë për t’u diskutuar, por besoj të paktën se arritëm ta sjellim publikun në sallën e TK-së. Për këtë ne hapëm dyert me gjithë skenën e pavarur, duke aktivizuar 24 regjisorë në katër vjet. Përveç emrave që kanë qenë produksione të TK, bashkë me emrat e skenës së pavarur, janë ngjitur 24 produksione të TK dhe bashkëpunime të TK-së. Kjo ka qenë prioriteti, kthimi i publikut, rritja e numrit të shfaqjeve, e sa më tepër alternativa”,-tha Çuli.

Por, katër vitet e dyta, ai tha se ka ardhur koha ta rikonceptojmë. “Është nevoja për filtra më të fortë të cilësisë artistike. Kjo do të thotë që nëse deri dje ne prisnim aplikimet, pra bordi i TK priste aplikimet, kërkesat e regjisorëve për të vënë shfaqje në skenë, ne tani do të kalojmë tek një moment tjetër. Do të kemi vendime bordi për të ftuar regjisorë karriere, me garanci”. I pyetur nëse do bëhet, siç u bë me Dino Mustafiç, Hervin Çuli tha se, “po, siç bëjmë me të huaj, që kalojnë në filtrin e bordit. Do vendosë bordi që x regjisor, na jep garanci të fortë për të qenë pjesë e repertorit e Teatrit Kombëtar. Do jemi ne që do ftojmë regjisorë që na japin garanci. Por, edhe tek produksionet pavarura filtri do të jetë më i fortë. Nëse deri sot, kemi dashur sa më shumë publik, e sa më shumë shfaqje që qarkullojnë, edhe shfaqjet e skenës së pavarur, do të kenë një filtër që të jenë brenda cilësisë që duam”. Një prioritet tjetër shumë i rëndësishëm është për Çulin, mbështetja e dramës shqipe. “Sepse viti 2019-2020, do të jetë vetëm me vepra të dramaturgjisë shqipe”.
Lajmin e plote mund ta lexoni ne GSh.al: http://www.gsh.al/2018/04/12/rizgjidhet-drejtor-flet-hervin-culi-cfare-do-bej-me-teatrin-dhe-qendrimi-im-per-godinen/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: