“Në rol unë sjell pjesën e shpirtit që ka dhembur”. Kur Viktor Zhusti me thotë këtë frazë ora ka kaluar 21:00 të mbrëmjes. Shfaqja e premierës ka mbaruar dhe jemi në skenë, aty ku pak minuta më parë ishte ulur me Yllka Mujo. Salla tashmë është bosh. Dhe publiku unë janë ekipi i ndriçimit dhe regjisorja Rozi Kostani.
Jemi në të njëjtën tavolinë ku ai “luante xhin” duke humbur lojë pas loje, lojën dhe ngapak edhe veten. Kur e pyes për mungesën e dashurisë, ai përgjigjet:
“Mungesa e dashurisë e shkatërron njeriun. Mungesa e dashurisë për tjetrin dhe per jetën, për veten. Ata humbën dashurinë për jetën dhe ngapak edhe veten. Shfaqja ka disa shtresa dhe dy personazhet rrëfejnë veten dhe problemet e shoqërisë, trajtimin e moshës së tretë, etj”.

Ai – Zoti Uedher dhe ajo, Fonsia, njihen në verandën e një azili. Dhe luajnë xhin.
Ai më flokët e thinjur dhe me dëshirën për të fituar, ajo ende joshëse dhe me dëshirën për të jetuar.
Loja është sa pjesë integrale e shfaqjes, gjithaq metafora e madhe.
Viktor Zhusti dhe Yllka Mujo sjellin në role pjesën e shpirtit që ju ka dhembur në një shfaqje në Teatrin e Metropolit. Dy aktorët e njohur rrëfejnë pjesën dhe nënshtresat e premierës ndërsa interpretojnë dy të moshuar në azil, ndërsa regjisorja Rozi Kostani rindërton mizanskenat e shfaqjes përmes tri planeve paralele që shoqërojnë duetin e aktorëve.

“Loja tregon nënshtresat njerëzore, hap pas hapi. Shfaqja ka humor e ka njëherësh dëshirën për të jetuar. Përmes roleve njeh veten tënde sepse jeta të jep mësime që vijnë ne teatër” thotë Yllka Mujo.

Herën e dytë ajo shfaqet në skenë e vështirë bukur, me një fustan në ngjyra pranvere, me një lule mbi flokë dhe me dëshirën për të nisur një histori që do ta bëjë azilin t’i përngjajë më shumë jetës.
“Ajo nuk e kupton. Dhe beson se mund të ndërtojë diçka. Nuk e kupton se ai nuk mundet. Sepse ata që kanë probleme i fshehin shumë mirë. Ndërsa Fonsia beson dhe fal. Si shumë femra. Femrat falin shumë vetëm për pak çaste lumturi. Më pëlqen kurbatura e rolit tim, nga pika kulmore e kreshendoja në rënien e pashmangshme” shton Yllka Mujo. Treshja 3 shfaqjes, Yllka Mujo, Viktor Zhusti dhe Rozi Kostani kanë kaluar kohë për t’i dhënë formë shfaqjes “Një lojë xhin”.
E gjitha vjen në tri plane, plani i largët është kori i kishës presbiteriane, plani i dytë është vetë azili ku njeriu ka humbur fuqinë mbi trupin e mendjen dhe plani i parë janë Yllka me Viktorin që ndërthurin tri planet, azilin, shfaqjen, mesazhet, braktisjen e moshës së tretë, jetën e ikur pa jetuar, dhunën në azile dhe ditët e fundit të jetës.

Regjisorja Rozi Kostani, thotë se metafora e lojes se xhinit ne nje pjese teatrale shkon përtej lojës. “Është lufta e përditshme për të ‘fituar’ dhe për tu ringritur edhe kur humb. Kur lexova pjesën e përkthyer nga Artur Lena imagjinova pikërisht Yllken e Viktorin. Dhe e doja këtë shtrirjen në tri plane. Dua që disa mesazhe e detaje të vijnë butë pa u bërtitur siç vijnë në jetë “-thotë ajo.

Shfaqja do jetë në Teatrin Metropol deri në fund të muajit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb