Në programin “Dola te Ola” në televizionin News24 këtë të diel ishte i ftuar regjisori i njohur Gëzim Kame.
Gjatë bisedës regjisori zbuloi se së bashku me aktorin Viktor Zhusti kanë gati një vepër për ta vënë në skenë. Ai tha se e kanë dërguar në Teatrin Kombëtar dhe janë në pritje të vendimit të bordit. Vepra është shkruar nga Viktor Zhusti. “Është një vepër shumë interesante, një komedi e jashtëzakonshme”, tha Kame.
Ai foli edhe për miqësinë e ngushtë që ka me Zhustin. “Është një yll që nuk shuhet kurrë. Qoftë në intelekt, qoftë në profesion”. E teksa regjisori fliste me shumë dashuri për mikun e tij, në program u shfaq një videomesazh surprizë nga Viktor Zhusti, i cili po ashtu shprehu vlerësimet dhe konsideratën e lartë që ka për regjisorin.
“Miqësia jonë është kaq e lashtë sa është e pabesueshme. Është miqësi artistike dhe njerëzore. Je një shkollë e artit shqiptar”, tha Zhusti ndër të tjera, dhe i kërkoi regjisorit që të mos dorëzohet pasi ka ende shumë për të dhënë.

Gëzim Kame tregoi se aktori i kërkon të mos dorëzohet, pasi ai mërzitet me burokracirat që ndodhin rëndom në vendin tonë dhe shpesh mendon të tërhiqet.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb