NGA ZONJA VJOLLCA
Perbërësit
200 gr kuinoa (firma Teuta)
400 ml ujë / lëng perimesh
1 tufë asparag
Vaj ulliri për zgarë
Kripë, piper i zi
80 gr ullinj të zi
70 gr djath kaçkavall dhie
Borzilok, majdanoz
1 lç mustardë, 1 lç mjaltë
2-3 lgj uthull e kuqe rrushi
2 lgj vaj ulliri Olitalia
Kripë, piper i zi
Pergatitja
Fillimisht vendosim ujin ose lëngun e perimevë të ziejnë. Ndërkohë përgatisim dresingun. Në një tas përziejmë uthullën me mjaltë dhe mustardë. Më pas shtojmë gradualisht vajin e ullirit Olitalia derisa të formohet një masë kremoze. Rregullojmë shijen me kripë dhe piper të zi dhe e lemë mënjëanë.

Shtojmë kuinoan në tenxheren me ujë të vluar, nëse ju gjenden mund të shtoni në ujë 2 degë trumzë të freskët. I vendosim kapakun tenxheres dhe e lemë kuinoan të ziejë në temperaturë nën mesatare ngadalë për 25 minuta. Më pas e largojmë kuinoan nga zjarri, e lemë të qëndrojë për 5 minuta, më pas e thërrmojmë me majën e pirunit.

Ngrohim një tigan zgare. Marinojmë asparagët me vaj ulliri Olitalia, kripë, piper të zi dhe i pjekim nga të gjitha anët për 5 minuta derisa ato të jenë gatuar. I largojmë nga tigani dhe në dërrasën e punës i presim ato në 3-4 pjesë secila.

Vendosim kuinoan në një tas, shtojmë copat e asparagut, ullinjtë të prerë në unaza, djath kaçkavall, borzilok të freskët dhe majdanoz. Shtojmë në fund pak nga dresingu i përgatitur dhe pjesën e dresingut që tepron e vendosim në një tas ku e servirim së bashku me sallatën dhe secili mund të spërkasë sallatën me masën që dëshiron.
(da.xha/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb