Kryeministri Edi Rama mori pjesë në samitin Shqipëri-Izrael, ku u bënë bashkë rreth 40 kompani inovative izraelite me fokus sigurinë kibernetike dhe zhvillimin teknologjik të Shqipërisë dhe rajonit.

Në fjalën e tij, Rama vlerësoi marrëdhëniet mes dy vendeve, duke theksuar lidhjet historike mes dy popujve.

Ai u ndal edhe tek sulmet kibernetike iraniane ndaj Shqipërisë, duke i lidhur ato me strehimin që Tirana u dha mijëra iranianëve të opozitës. Sipas tij, regjimi iranian reagoi ndaj këtij veprimi duke sulmuar infrastrukturën digjitale shqiptare dhe sistemin e shërbimeve online të ndërtuar ndër vite.

Kreu i qeverisë shqiptare theksoi në fjalën e tij se Shqipëria mbetet një vend pa antisemitizëm dhe e ndjen veten një shtëpi të dytë për hebrenjtë.

“Për mua është gjithmonë lajm shumë i mirë kur një hebre vjen në vendin tonë dhe sa më shumë aq më mirë dhe është lajm shumë i mirë.

Po ashtu dua të falënderoj të gjithë ata që kanë qenë të përfshirë në këtë organizim jo të lehtë, sepse sa më shumë që e njoh Izraelin, aq më shumë e kuptoj që të bësh bashkë kaq shumë izraelit nuk është diçka e lehtë edhe pse miti thotë, “që ju jeni gjithmonë të bashkuar”.

Kështu që faleminderit që keni ardhur e që keni sjellë vullnetin tuaj pik së pari dhe me shpresë dijen tuaj për të na ndihmuar të ecim përpara në një rrugë që e kemi çelur duke i besuar teknologjisë së re, duke i besuar digjitalizimit të infrastrukturës sonë, e duke i besuar bekimit që është teknologjia e re për vende si tonat. Vende të cilat janë pas, por që përmes teknologjisë mund të bëjnë një kërcim përpara dhe mund të bëjnë gjëra që ndonjëherë vendet e mëdha, shumë më të zhvilluara, shumë më të suksesshme në mënyrat e vjetra e kanë më të vështirë t’i bëjnë.

Dikur një miku im i dashur, profesori Ricardo Hausmann, më thoshte se vendet nuk dallojnë me njëri-tjetrin në bazë të asaj çfarë zotërojnë, por në bazë të asaj që dinë dhe Izraeli është shembulli më i jashtëzakonshëm se ç’dallim mund të bëhet bazuar në dije dhe jo në burime. Ne besojmë fort te kjo marrëdhënie dhe kemi arsye për këtë, jo vetëm për shkak të historisë sonë që është një histori e lidhjes së krijuar në kohët më të errëta për popullin hebre, kur Shqipëria doli nga Lufta e Dytë Botërore si vendi i vetëm në Europë që numëronte më shumë hebrenj sesa përpara se të niste lufta.

Kjo së pari falë myslimanëve të Shqipërisë, të cilët morën çdo hebre si vëlla e motër dhe vunë jetët në rrezik për të mbrojtur hebrenjtë. Kjo është një histori që ne e shtrëngojmë fort dhe unë dhe qeveria ime po përpiqemi të bëjmë sa më shumë të jetë e mundur që t’ia rrëfejmë brezit të rinj, jo për hir të hebrenjve, por për hir tonin; jo për atë çka ka ndodhur në të shkuarën, por për mënyrën se si duhet të shfaqemi në botën që jetojmë dhe si duhet të përgatitemi për atë çfarë ndodh në të ardhmen, jo vetëm me hebrenjtë, por dhe me të tjerët.

E meqë ra fjala kur flasim për sigurinë kibernetike, e zbuluam sigurinë kibernetike në mënyrën më të vështirë edhe njëherë si rezultat i mikpritjes sonë. Ne ju hapëm derën disa mijëra iranianëve të cilët janë në opozitë dhe nuk e bëmë për shkak të ndonjë motivi politik. Nuk e bëmë që t’u jepnim një platformë në Shqipëri, të luftonin nga Shqipëria këtë regjim, e bëmë sepse jetët e tyre ishin në rrezik dhe askush nuk donte t’i shpëtonte. Ne ju hapëm dyert, ju dhamë strehë dhe bëmë një marrëveshje të cilën e kemi ende që ata mund të jetojnë në Shqipëri të rritin fëmijët e tyre këtu jashtë çdo rreziku dhe për aq kohë sa është e nevojshme. Megjithatë kjo erdhi me hakmarrje nga regjimi iranian që nuk e duronte dot këtë gjë dhe na sulmoi. Sulmoi atë që kishim ndërtuar pa reshtur me vite të tëra për të transformuar shërbimet tona publike nga një sistem tërësisht korruptiv e i zymtë që u shërbente qytetarëve mbështetur në ryshfete, në një sistem tërësisht të shpejtë, transparent, pa tarifa, që ofrohej online. U bëmë një vend që 95% të shërbimeve i ofron online përmes ekraneve brenda dhe jashtë vendit dhe këtë synuan ata. Synuan ta shkatërronin këtë për të na çuar mbrapsht, në kohën e errët të shërbimeve publike në nivelin më të ulët.

Në fakt ne qemë shumë të kënaqur kur pamë në atë moment që Izraeli u soll si mik dhe na ofroi ndihmë. Falë kësaj ndihme dhe ndihmës edhe të miqve tanë shumë të dashur nga Emiratet, plus disa ekspertëve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës i mbijetuam këtij sulmi. Mësuam sidoqoftë se na duhet të investojmë dhe të ndërtojmë një sistem mbrojtjeje dhe nuk është e lehtë sepse sistemi ynë mbrojtës duhet të përballonte sulmet e një armiku jo të lehtë, siç e dini shumë mirë të gjithë. Ndërkohë ndërpremë çdo marrëdhënie me Republikën e Iranit dhe e deklaruam shtet terrorist, që është. Sot mund të them me krenari që kemi një nivel krejt të ndryshëm të mbrojtjes kibernetike dhe një herë falë bashkëpunimit me Izraelin dhe me talentet izraelite. Jemi shumë të lumtur që jeni këtu e që mund të shohim se çfarë mund të bëjmë së bashku më tej.

Personaliteti i parë izraelit që vizitoi Shqipërinë ishte Shimon Peres, nëse s’gaboj, në vitin 1993. Më kujtohet sepse mbajti një konferencë për shtyp dhe dikush e pyeti. Zoti Perez, ishte ministër i Jashtëm aso kohe, vini nga një vend i vogël me një histori që në disa pjesë të vetat ngjajnë me historinë tonë sepse keni qenë një vend mjaft rural, tashmë jeni bërë një vend shumë i fortë. Çfarë këshille do të na jepnit? Shimon Peres tha diçka që unë nuk e harroj kurrë. Tha, “nuk mund t’ju jap këshilla, po thjesht një kujtesë. Mund të bësh omletë nga një vezë, por nuk bën dot një vezë nga një omletë”.

Historia jonë e ndryshimit dhe e ulje ngritjeve ka qenë histori e të bërit omletave dhe përpjekjeve për të nxjerrë vezë prej tyre. Kështu që kemi bërë gabime, kemi mësuar nga gabimet, jemi përpjekur të bëjmë më mirë dhe unë besoj se kjo marrëdhënie që unë dëshiroj të forcohet dita ditës me vendin tuaj dhe me popullin tuaj, përmes saj mund të shmangim disa gabime dhe mund të mësojmë më shpejt si t’i bëjmë omletat.

Meqë ra fjala, shijojeni ushqimin tonë, shijojeni mikpritjen tonë. Mos harroni kurrë që për hebrenjtë Shqipëria është shtëpi dhe dëshiron të mbetet e tillë dhe çfarëdo të mund të mendojnë shqiptarët për tema të ndryshme, për politikën e tyre, për qeverinë tuaj, ka një gjë që është absolutisht e sigurt dhe Galit, ambasadori, mund t’ua garantojë që nuk ka antisemitizëm në Shqipëri dhe hebrenjtë janë gjithmonë të mirëpritur.

Kemi parë po kështu dhe me kënaqësi të madhe rritjen me 700%  më shumë të vizitorëve hebrenj që vijnë në Shqipëri. Natyrisht është më shumë se 700% e një shifre që ishte gati në zero, por ne shpresojmë që të vazhdojmë. Kemi më së fundi një fluturim të drejtpërdrejtë dhe shpresojmë që të kemi edhe më shumë shkëmbime e vajtje-ardhje me ju”, tha ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb