Pamjet që shihni vijnë nga kompania e re e babait të Arbër Çekjat, Selim Çekaj, i cili u arrestua në kuadër të një operacioni droge, ku në një kontejner me banane u gjetën 49 kg kokainë.

Gazetarja Dorjana Bezat ka siguruar për “BalkanWeb” pamjet nga firma e re që ka hapur Çekaj në Maminas, i cili kishte porositur dhe ngarkesën me banane që vinte nga Ekuadori. Droga u gjet e fshehur në dy krahët e kontejnerit, e ndarë në pako me nja 1.3 kg secila. Kompania “Ecoalmax” tregtonte fruta nga Amerika Latine, ndërsa jashtë kësaj magazine nuk ka tabela identifikuese. Bezat raportoi në një lidhje live se nga dëshmia e punonjësve të sigurisë, thuhet se policia ka qenë gjatë natës dhe ka bërë kontroll brenda ambienteve të firmës, e cila sot është e mbyllur dhe aty nuk shihet asnjë person.

Mes të tjerash gazetarja tha se ka pasur indicie nga ana e policisë se një ngarkesë me kokainë do të vinte në portin e Durrësit. Kontejneri me banane është nisur nga Ekuadori dhe më pas drejt portit të Mersinit në Turqi, ndërsa ndalesa e fundit ishte porti i Durrësit. Kontejneri mbërriti 2-3 ditë më parë në Durrës, ndërsa kaloi në skaner dhe në kontrollet e qenit antidrogë.

Pas këtyre procedurave, u vu re se brenda tij kishte diçka të dyshimte dhe pas kontrolleve të imtësishme u zbulua sasia e drogës. Gazetarja tha se administratori i firmës që kishte porositur mallin, në këtë rast Selim Çekaj është thirrur nga policia për të bërë verifikimet sipas procedurës. Mësohet se 72-vjeçari nuk ka pranuar që të hapë kontejnerin, pa u çuar në magazinë pasi brenda kishte fruta që merrte nga Ekuadori. Kjo çoi në dyshime të forta nga ana e policisë se aty fshihej diçka e paligjshme. Ndaj edhe policia bëri ndërhyrjen në port, ku u gjetën 37 pako me drogë.

Kujtojmë se Arbër Çekaj, u shpall në kërkim pas zbulimit të një sasie të madhe droge në Portin e Durrësit, ku u sekuestruan 613 kokainë që vinte nga Ekuadori, brenda një kontejneri me banane. Disa muaj më vonë, Çekaj u arrestua në Gjermani më 4 maj të 2018-ës.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb