Zyrtarët e Qeverisë së Kosovës dhe njohësit e zhvillimeve politike e kanë dënuarpresionin e Serbisë ndaj pjesëtarëve serbë të Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK), të cilët kanë nisur të parashtrojnë kërkesat për dalje nga kjo forcë.

Në fakt, tetë pjesëtarë serbë të Forcave të Sigurisë së Kosovës nga rajoni i Gjilanit kanë parashtruar kërkesat për dalje nga kjo forcë, për shkak të kërcënimeve dhe presionit gjithnjë e më të madh të Serbisë ndaj tyre, ndërkohë që lidhur me këto kërkesa, Ministria e Forcave të Sigurisë së Kosovës do të vendosë në gjashtë muajt e ardhshëm.

Presionet e Serbisë ndaj pjesëtarëve serbë të FSK-së janë shpeshtuar në muajt e fundit, fillimisht me paraburgimet në vendkalimet kufitare me Serbinë, e më pas edhe me deklaratat e autoriteteve serbe se atyre iu kërcënohet dënimi deri me 10 vjet, për shkak të pjesëmarrjes në formacionet e huaja të armatosura, shkruan rel.

Janë shënuar edhe disa raste të sulmeve me koktej molotovi ndaj pronës së këtyre pjesëtarëve.

Zëvendësministri i Forcave të Sigurisë së Kosovës, Burim Ramadani, thotë për Radion Evropa e Lirë se presionet e Serbisë ndaj pjesëtarëve serbë të FSK-së janë duke u rritur, veçanërisht nga muaji mars i këtij viti dhe kjo ka shkaktuar panik tek disa individë. Siç ka theksuar ai, FSK-ja po bën përpjekje që të largojë presionet e tilla, por megjithatë, sipas tij, secili mund të vendosë për vete. Për këtë situatë, thotë zëvendësministri Ramadani, janë njoftuar të gjithë mekanizmat ndërkombëtarë, përfshirë edhe NATO-n.

“Është krejtësisht e qartë se kërkesa për largim lidhet në formë të drejtpërdrejtë me presion e vazhdueshëm ndaj tyre dhe familjarëve të tyre, që kanë ndodhë sidomos gjatë këtyre muajve të fundit. Po flasim për pjesëtarët e FSK-së, të cilët kanë shërbyer për sigurinë e komunitetit të vet dhe për FSK-në, për vite të tëra. Është fatkeqësi veprimi i Serbisë ndaj serbëve të Kosovës dhe është krejtësisht e papranueshme kjo logjikë vullgare e reagimit”, tha Ramadani.

BalkanWeb

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: