Tjetër motiv për përplasje mes Kosovës e Serbisë. Provokimi vjen nga Beogradi, por nuk ka mundur të mos reagojë Prishtina.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka njoftuar se dy pjesëtarë serbë të Forcës së Sigurisë së Kosovës janë ndaluar nga autoritetet serbe, në vendkalimin kufitar në Jarinjë.

Ai ka thënë se këto ndalime janë në “vazhdën e presioneve dhe persekutimeve çnjerëzore” që autoritetet në Beograd po bën nga komuniteteve joshumicë.
Sipas kryeministrit Haradinaj, ndalimet e tilla janë të “papranueshme” dhe ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të tyre. Përveç pjesëtarëve serbë të FSK-së, të cilët janë përballur me vështirësi në vendkalimet kufitare me Serbinë, autoritetet serbe kanë ndaluar edhe disa përfaqësues politikë serbë.

“Në vazhdën e presioneve dhe persekutimeve çnjerëzore ndaj pjesëtarëve të FSK-së të komuniteteve jo-shumicë, sot në vendkalimin kufitar shtetëror në Jarinjë, nga autoritetet serbe janë ndaluar Alen dhe Anel Ujkanovic. Ndalimi i tyre është tërësisht i papranueshëm dhe kërkojmë lirimin e menjëhershëm të tyre. Rastet si ky, popullit të Kosovës i kujtojnë kohën dhe regjimin e Milloshevicit, i cili si duket ende jeton tek fqinji ynë Verior”, shkruan Haradinaj në “Facebook”.

Në vitin 2018, pas presioneve, siç u tha nga Beogradi zyrtar, dhjetëra pjesëtarë të FSK-së braktisën radhët e kësaj force.
Kuvendi i Kosovës në dhjetorin e vitit të kaluar miratoi tri ligje, të cilat i hapën rrugën e transformimit të kësaj force në Ushtri. Procesi i transformimit të FSK-së pritet të zgjasë dhjetë vjet.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb