Shihej si zëvendësuesi Erling Haaland, karakteristikat dhe numri i golave të shënuar në sezonin e fundit ishin fantastike, por Sebastian Haller nuk mund të stërvitet apo luajë futboll për momentin. Dhe nuk bëhet fjalë për një dëmtim, siç ndodh rëndom me futbollistët, por për një tumor që i është shfaqur ditët e fundit.

Ndonëse kaloi vizitat mjekësore pa probleme dhe firmosi kontratën e re me Borussian e Dortmundit, ish-sulmuesi i Ajax njoftoi klubin gjerman se nuk po ndihej mirë dhe pas një sërë analizash, u zbulua edhe arsyeja. 28-vjeçari vuan nga kanceri dhe duhet t’i nënshtrohet një kure të detajuar për të luftuar ndaj së keqes në trupin e tij.

Lojtari ka marrë të gjithë mbështetjen e klubit gjerman që do t’i qëndrojë përkrah në këtë moment të vështirë, ndërsa e pret të rikthehet i fortë në fushë. Dortmund ka kërkuar të respektohet privatësia e futbollistit nga Bregu i Fildishtë.

Në sezonin e fundit, Haller ishte një nga sulmuesit më të spikatur të sezonit në Europë, teksa me fanellën e Ajax ia doli të realizonte 47 gola në 66 paraqitje, teksa u shpall edhe shënuesi më i mirë në Holandë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb