Inter rikthehet fuqishëm, rikthehet shpejt në krye të Serie A pas fitores 0-1 në transfertë përballë Fiorentinës. Pa Calhanoglu dhe Barella, por me Asllanin titullar, zikaltërit kaluan këtë transfertë të “zjarrtë”. Si gjithnjë, ai që bëri liderin ishte kapiteni Martinez, goli i tij rezultoi një trepikësh. Shkëlqeu me një asist dhe me një paraqitje në nivel të lartë ylli kuqezi, kjo ishte një provë e fortë për Asllanin të cilin mesfushori kuqezi e kaloi me sukses.

Në një sfidë mes të barabartësh, me pak raste për shënim, momenti i parë përcaktues erdhi në minutën e 14-të, ku Asllani nga goditja e këndit shërbeu për Martinez në shtyllën e parë, me argjentinasin që me kokë dërgoi topin në rrjetë. Sommer u kthye protagonist absolut në pjesën e dytë, me portierin zikaltër që shkaktoi një 11-metësh në minutën e 77-të, por ishte po vetë Sommer që korrigjoi gjithçka duke i pritur penalltinë Nico Gonzalez. Rezultati mbeti i pandryshuar deri në fund, me Inter që del me tre pikë duke marrë të vetëm kreun e Serie A në kuotën e 54 pikëve, një më shumë se Juve dhe me një ndeshje më pak. Në përfundim të sfidës, Asllani mori duartrokitjet e mediave, por mbi të gjitha mori elozhe nga trajneri Inzaghi:

“U tregua i shkëlqyer, por unë nuk kisha asnjë dyshim. Kisha dyshime vetëm nëse do të pranonte të qëndronte edhe një tjetër vit pas Calanoglu-s. Ai është 100% brenda ekipit, stërvitet mirë dhe është fat për një trajner të ketë një djalosh të tillë. Jam i lumtur për asistin e tij dhe për paraqitjen e bërë”, u shpreh Inzaghi pas ndeshjes duke bërë dhe një koment për duelin me Juven: “Do të jetë një sfidë mes dy ekipeve që po zhvillojnë një rrugëtim fantastik. Batutat e Allegrit nuk më bezdisin pasi nuk ka dashakeqësi. Nga e marta do të mendojmë për Juven”, theksoi ndër të tjera Inzaghi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb