SHKODER- Prokuroria e Shkodrës kërkon 35 vjet burg për Shpëtim Sadikun, i akuzuar për “vrasje me paramendim për hakmarrje”. Ai ka ekzekutuar shtetasin Palok Lazri në 20.11.2013, tek zona e quajtur Ura Dervishbeg, në qytetin e Shkodrës, si edhe për armëmbajtje pa leje.

Sipas hetimit të Prokurorisë së Shkodrës, rezulton se viktima ka pasur një konflikt me vëllain e autorit, për shkak të një borxhi që nuk ia kishte kthyer. Viktima ishte ndërtues dhe vëllai i autorit, shtetasi Ardit Sadiku punonte tek kompania e e Lazrit si roje dhe shofer.

Shtetasi Ardit Sadiku kishte pretendimin se shtetasi Lazri i kishte detyrim rreth 100 mijë lekë të reja, për punën e kryer dhe të papaguar. Raportet mes Lazrit (viktimës) dhe vëllait të autorit kishin qenë konfliktuale prej disa kohësh para ngjarjes, madje në një rast, vëllai i autorit e ka qëlluar me thikë të vogël shtetasin Lazri në vitin 2012 dhe për këtë është dënuar me 8 muaj burgim.

Pavarësisht dënimit, raportet ndërmjet Lazrit dhe vëllait të autorit, shtetasit Ardit Sadiku, kanë vijuar të jenë konfliktuale, pasi pagesa që pretendohej ende nuk ishte paguar.

Pikërisht, ky konflikt i zgjatur në kohë, konsiderohet nga Prokuroria e Shkodrës si arsyeja kryesore që shtetasi Shpëtim Sadiku, në dt. 20.11.2013 ka ndjekur lëvizjet e shtetasit Palok Lazri dhe e ka qëlluar tre herë me pistoletë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Hetimi ndaj autorit të dyshuar është zhvilluar me masën e sigurimit “arrest në burg”.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: