NGA SHABAN MURATI

Një detaj i rëndësishëm që është harruar të përfshihet në proverbin e vjetër që “Ballkani është fuçi baruti”, është fakti se baruti është serb. Por, për të shkundur kujtesën e diplomacisë të qeverive dhe shteteve të Ballkanit dhe të diplomacisë europiane shërben vetë qeveria dhe shteti serb, me kursin e tyre të nxitjes së konflikteve dhe të destabilizimit të rajonit. Shembulli më elokuent i këtij kursi është ngritja e qëllimshme nga Serbia e tensioneve në Bosnjë-Hercegovinë drejt pikës së një përplasjeje etnike, si në fillim të viteve ’90 të shekullit të kaluar. Treguesi i parë është inkurajimi dhe miratimi i hapur, që qeveria e Beogradit i bëri zyrtarisht në datën 1 shtator aksionit provokativ të shpallur nga udhëheqja e të ashtuquajturës “serpska republika” për të organizuar në 25 shtator një referendum në entitetin serb, që të sanksionojë datën 9 janar si ditën kombëtare të të ashtuquajturës “serpska republika”.

Është një provokacion brutal i serbëve të Bosnjës, ndaj shtetit të Bosnjë- Hercegovinës dhe ndaj popullit boshnjak, sepse 9 janari është data e shpalljes së të ashtuquajturës “serpska republika” në vitin 1992, ngjarje që u bë prologu i konfliktit të përgjakshëm, i masakrave dhe i gjenocidit serb ndaj popullit boshnjak. Me të drejtë, Gjykata Kushtetuese e Bosnjë- Hercegovinës e ka hedhur poshtë vendimin e parlamentit serb të Banja Lukës për të organizuar referendumin, duke e cilësuar antikushtetues dhe diskriminues ndaj popujve të tjerë të shtetit federal. Faktori ndërkombëtar e ka mbështetur fort këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese, sepse referendumi ringjall klimën e urrejtjes nacionaliste serbe ndaj popujve të tjerë dhe kërkon të glorifikojë të kaluarën kriminale të masakrave dhe të agresionit serb kundër popullit boshnjak. Por, udhëheqja e të ashtuquajturës “serpska republika” po e sfidon këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese dhe këtë qëndrim të faktorit ndërkombëtar. Në këtë sjellje sfiduese dhe kriminale, ajo ka pasur mbështetjen e Rusisë, e cila si dele e zezë është shkëputur nga qëndrimi i përbashkët i bashkësisë ndërkombëtare.

Faktori ndërkombëtar dhe në mënyrë të veçantë Bashkimi Europian, i kanë kërkuar qeverisë së Beogradit që të ndikojë dhe të detyrojë udhëheqësit e të ashtuquajturës “serpska republika” të heqin dorë nga ky provokim i rëndë ndaj historisë, viktimave dhe marrëdhënieve aktuale të popujve të federatës dhe vetë shtetit të Bosnje-Hercegovinës. Por, në 1 shtator, pas mbledhjes së përbashkët të presidentit serb, Tomislav Nikoliç; të kryeministrit serb, Aleksadër Vuçiç me presidentin dhe kryeministrin e të ashtuquajturës “serpska republika”, u shpall një komunikatë qeveritare e Serbisë, që thekson se: “Ne nuk duam të influencojmë në ndonjë mënyrë për të ndryshuar sjelljen politike të politikanëve të zgjedhur ligjërisht në atë entitet”. Kryeministri serb, Vuçiç bëri edhe deklaratën arrogante se Serbia ka mbështetur dhe do të mbështesë gjithmonë “serpska republikën” dhe institucionet e saj.

Pavarësisht se për të grimuar disi këtë përkrahje qeveria e Serbisë deklaroi se nuk e përkrah referendumin, por nuk ndërhyn, është e qartë se si mbledhja e përbashkët qeveritare, ashtu edhe të gjitha qëndrimet dhe veprimet e qeverisë së Serbisë janë një nxitje dhe mbështetje për provokimin e serbëve të Bosnjës. Duhet kuptuar se në këtë rast nuk bëhet fjalë për një bashkëpunim normal dhe përkrahje të një shteti për një pjesë të popullit të tij, që ndodhen në një shtet tjetër. Në këtë rast kemi të bëjmë me bashkëpunimin midis Serbisë dhe serbëve të Bosnjës, të cilët kanë qenë protagonistët e luftës kriminale dhe të gjenocidit të realizuar në Bosnjë në vitet 1992-1995 ndaj popullit boshnjak. Është një bashkëpunim i dënuar ndërkombëtarisht edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Krimeve të Luftës në ish-Jugosllavi, cila ka dënuar disa udhëheqës të lartë politikë dhe ushtarakë të Serbisë pikërisht për pjesëmarrjen e ushtrisë serbe në konfliktin e Bosnje-Hercegovinës.

Mbështetja që po i jep tani Serbia kursit separatist të udhëheqjes së serbëve të Bosnjës është një ringjallje e kujtesës së frikshme të viteve të konfliktit. Treguesi i dytë i inkurajimit të kësaj politike të rrezikshme, që po ndjek Serbia për të ndezur flakët e konfliktit në Bosnjë-Hercegovinë është rritja e bashkëpunimit ushtarak me serbët e Bosnjës. Pikërisht në prag të mbledhjes së përbashkët të krerëve të Beogradit me krerët e Banja Lukës, Serbia dhe e ashtuquajtura “serpska republika” organizuan të dielën e kaluar, manovra të përbashkëta të forcave speciale dhe policore, të quajtura “Drina 2016”, ku morën pjesë njësi tankiste, autoblinda, helikopterë ushtarakë dhe anije amfibe. Në këto manovra mori pjesë komandanti i përgjithshëm i forcave të armatosura të Serbisë, presidenti Tomislav Nikoliç.

Është vërtet flagrante që Serbia organizon manovra ushtarako-policore me serbët e Bosnjës në kufirin midis dy shteteve dhe pa pasur lejen apo marrëveshjen e shtetit të Bosnje-Hercegovinës. Është vërtet flagrante që Serbia organizon manovra të forcave speciale dhe policore me një pjesë të një shteti tjetër, gjë që përbën një skandal ndërkombëtar. Nuk e di se do t’u dukej autoriteteve serbe nëse forcat speciale të Kosovës do të organizonin manovra të përbashkëta me shqiptarët e Luginës së Preshevës, apo Kroacia të bënte manovra me kroatët e Serbisë apo Bullgaria me bullgarët e Serbisë. Duke organizuar këto manovra të forcave speciale, Serbia sfidon autoritetin dhe subjektivitetin ndërkombëtar të shtetit të Bosnje-Hercegovinës, anëtare e OKB, të cilën e ka fqinje dhe të cilën e ka njohur si shtet që në vitin 1995 me marrëveshjen e Dejtonit. Serbia bën përgatitje ushtarako-policore me seperatistët e të ashtuquajturës republikë të serbëve të Bosnjës, e cila u bë shkaku i konfliktit të përgjakshëm dhe që tani Banja Luka, me mbështetjen e Beogradit, kërkon ta ligjërojë si dita kombëtare e serbëve të Bosnjës.

E ashtuquajtura “serpska republika” është një krijim artificial nacionalist serb, i cili nuk ka ekzistuar as në kohën e mbretërisë jugosllave dhe as në kohën e federatës komuniste jugosllave, që drejtoheshin të dyja nga Serbia. Ajo është produkt i planeve të krijimit të Serbisë së Madhe e në funksion të të cilave Beogradi shpiku në vitin 1992 të ashtuquajturën “republikë të serbëve të Bosnjës”, e cila u bë shkaku i konfliktit të përgjakshëm dhe që këtë datë krimi ndërkombëtar kërkon ta celebrojë si datë lavdie. Për ata që kanë ndjekur prej shumë kohësh politikën e Serbisë në rajon, nuk është i befasishëm ky kurs i udhëheqjes së Serbisë. Unë kam theksuar vazhdimisht se e gjithë garnitura e sotme qeveritare e Serbisë, që nga presidenti Nikoliç, kryeministri Vuçiç, ministri i Jashtëm Daçiç dhe kryetarja e parlamentit, kanë qenë që të gjithë pjesë e strukturës qeveritare të Sllobodan Millosheviçit, organizatorit të katër luftërave kriminale të Serbisë kundër Bosnjës, Kosovës, Kroacisë dhe Sllovenisë.

Përkrahja që ata i japin sot Milorad Dodiçit është vazhdimi i kursit, që ndiqte protektori i tyre Millosheviç me përkrahjen ndaj Ratko Mlladiçit dhe Radovan Karaxhiçit. Një element i veçantë, që duhet të tërheqë vëmendjen e qeverive dhe të diplomacisë ballkanike, është përpjekja e qeverisë së sotme të Serbisë për të krijuar fantazmën e rrezikut, që gjoja i vjen Serbisë nga disa shtete ballkanike. Në datën 1 shtator, në komunikatën e tyre të përbashkët të botuar në faqen zyrtare të qeverisë serbe, presidenti i Serbisë dhe kryeministri i Serbisë, “dënuan sulmet e organizuara nga disa shtete në rajon ndaj serpska republikës dhe ndaj popullit serb, si dhe heshtjen hipokrite dhe asimetrike false dhe balancat e një pjese të komunitetit ndërkombëtar”. Në datën 2 shtator zëvendëskryeministri i parë dhe ministër i Jashtëm, Ivica Daçiç, në një komunikatë të posaçme të botuar në faqen zyrtare të MPJ të Serbisë përshëndeste vendimin e Vuçiçit dhe të Nikoliçit për referendumin e Banja Lukës dhe deklaronte se, “Serbia kundërshton politikën luftënxitëse antiserbe të ndjekur nga disa shtete në rajon, me qëllim që të provokojnë Serbinë”.

Nuk mund të mos bëhet pyetja se çfarë është dhe çfarë synon kjo histeri antirajonale, që qeveria e Beogradit po ngre këto ditë. Fryrja e të ashtuquajturit rrezik nga shtetet e rajonit për Serbinë dhe për popullin serb ka qenë një ndër artificet kryesore propagandistike të makinës së luftës të Sllobodan Millosheviçit. Duket si një sinjal ogurzi, i cili jo vetëm duhet të shqetësojë diplomacitë e shteteve të rajonit, por më e pakta duhet që të kërkohen shpjegime në Beograd. Është mëse e kuptueshme se akuzat e Beogradit për “rrezikun nga disa shtete të rajonit” u drejtohen shteteve të NATO-s në rajon. Në këtë frymë kryeministri serb atakoi faktorin perëndimor me termin “një pjesë e komunitetit ndërkombëtar”. Ai nuk kishte dhe nuk mund të ketë parasysh Rusinë në kritikën e tij, sepse Rusia ka qenë dhe është mbështetësi kryesor ndërkombëtar i të ashtuquajturës “serpska republika” në kursin e saj separatist.

Moska ka përkrahur referendumin provokativ të 25 shtatorit. Moska po trajnon forcat speciale dhe policore të Banja Lukës dhe po i furnizon me armatime serbët e Bosnjës. Presidenti i Rusisë e pret vazhdimisht udhëheqësin e serbëve të Bosnjës, Dodiç, me trajtimin si kryetar shteti. Moska ka forcuar lidhjet e shumëllojta me Milorad Dodiçin, i cili ka shprehur publikisht gatishmërinë që t’i akordojë Rusisë një bazë ushtarake në territorin e “serpska republikës”. Ajo që ngjall shqetësim është qëndrimi i lëkundur dhe tepër tolerues i Bashkimit Europian ndaj një shteti kandidat si Serbia, i cili ndjek një drejtim të kundërt me interesat e BE-së dhe të Perëndimit. Brukseli hesht për mbështetjen që Serbia i jep Banja Lukës në kursin separatist, hesht për manovrat e përbashkëta të paligjshme policore ushtarake, etj.

Nga pikëpamja diplomatike, heshtja nuk duket ndonjë taktikë produktive në marrëdhëniet me Serbinë, sepse e ka treguar mosefikasitetin e vet me thellimin e kursit strategjik dhe të lidhjeve gjithnjë e më të ngushta të Serbisë me Rusinë. Rusisë i interesojnë tensionet në Ballkan, i interesojnë konfliktet, me qëllim që vendet e rajonit, që janë jashtë integrimit euroatlantik të mos ndjekin këtë rrugë perëndimore. Në funksion të kësaj strategjie ruse të tensionit në Ballkan duhet parë agresiviteti i të ashtuquajturës “serpska republika”, si dhe mbështetja që Beogradi i jep këtij agresiviteti. Bosnjë-Hercegovina është vatra më e rrezikshme e destabilizimit të Ballkanit dhe atë vatër po kërkon ta mbajë të ndezur Rusia nëpërmjet Serbisë. Baruti në Ballkan është serb dhe shkrepësja, që vjen rrotull tij është Serbia. BE dhe NATO e dinë adresën e rrezikut dhe mendoj se i kanë forcën dhe mjetet për ta shuar shkrepësen para se të bjerë mbi barutin.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: