LEZHË

Katër të mitur janë autorët që dhunuan muret e kalasë së Lezhës dy ditë më parë. Burime pranë policisë së Lezhës bëjnë me dije se të miturit e përdornin oborrin e kalasë për të luajtur top, ndërsa së fundmi, roja i kalasë nuk i ka lejuar që të futen pa prerë biletat. Katër të miturit nga mosha 13 deri në moshën 15 vjeç, ka gjuajtur rastin kur në zyrën e informacionit nuk ndodhej njeri dhe kanë shtyrë shkëmbinjtë nga muret e kalasë duke i hedhur.

Të miturit janë marrë në pyetje në komisariatin e policisë së Lezhës në prani të psikologut dhe më pas janë lënë të lirë.

Akti vandal ka ndodhur gjatë natës duke u gdhirë e diel. Gurët e mureve u hodhën mbi zyrën e informacionit e cila është shkatërruar thuajse plotësisht.

Dëmtimi është konstatuar mëngjesin e së dielës nga punonjësit e kalasë të cilët kanë njoftuar menjëherë policinë. Sipas specialistit të Monumenteve të Kulturës Ded Margjoni dëmi i shkaktuar është i konsiderueshëm.

Kjo është e disata herë që Kalaja e Lezhës dhunohet nga persona të papërgjegjshëm, por jo në përmasa të tilla. Në këtë monument kulture mungon roja gjatë natës apo survejimi me kamera vëzhgimi, çka do të minimizonte dëmtimin e mureve antike.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb