Rrëshqitja e masivit shkëmbor në rrugën Prekal-Kir në Dukagjin bëri që ekskavatori ku ndodhej Zef Përndreu të përfundojë rreth 80 metra në humnerë.

56-vjeçari humbi jetën në mënyrë të menjëhershme duke mos arritur që t’i shpëtojë këtij aksidenti të rëndë. Rruga Prekal-Kir është në rikonstruksion e sipër. Në disa pjesë të këtij aksi është dashur ndërhyrje për të zgjeruar rrugën përmes ekskavatorëve. Në një pjesë të ngushtë të rrugës në tentativë për të shembur masivin shkëmbor, gurë të mëdhenj rrëshqitën në mënyrë të menjëhershme duke spostuar ekskavatorin, i cili përfundoi në humnerë duke i marrë jetë drejtuesit Zef Përndreu. Pas disa orësh trupi i viktimës u nxor nga humnera duke u dërguar në morgun e spitalit të Shkodrës.

Banorë të Dukagjinit rrëfejnë se ky aks rrugor edhe tani që është në riksontruksion e sipër vijon që të mbetet rruga e vdekjes ndërsa ndjejnë keqardhje për aksidentin me pasojë fatale të ekskavatoristit Zef Përndreu. Masivi shkëmbor ka bllokuar rrugën dhe për momentin është e pakalueshme. Banorët e fshatrave përreth u duhet që të shkapërcejnë gurët e mëdhenj duke rrezikuar jo pak për të kaluar në anën tjetër të rrugës dhe për të shkuar në drejtim të Shkodrës ose anasjelltas nga Shkodra në drejtim të fshatrave aty.

Ndërkohë edhe një ekskavator tjetër është i bllokuar nga masivi shkëmbor dhe ky aksident mund të ishte edhe më tragjik, por ekskavatoristi i dytë shpëtoi për mrekulli duke mos rënë në humnerë. Rruga e Dukagjinit në gjithë këto vite ka marrë afro 80 jetë njerëzisht nga aksidentet rrugore. Bashkia Shkodër me mbështetjen e qeverisë nisi rikonstruksionin e 17 kilometrave të aksit Prekal-Kir si një kërkesë e përhershme e banorëve.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: