Dy shpërthime janë raportuar në Ngushticën e Hormuzit, pasi dy cisterna nafte dyshohet se kanë goditur mina detare gjatë lundrimit në këtë korridor strategjik për transportin ndërkombëtar të naftës.

Lajmi është bërë i ditur nga Garda Revolucionare e Iranit, e cila pretendon se dy anijet po lëviznin në një itinerar që Teherani e konsideron të paautorizuar.

Incidenti vjen në një moment tensionesh të larta në rajon, ndërsa Irani ka vendosur kufizime për lëvizjen e anijeve në Ngushticën e Hormuzit dhe ka paralajmëruar masa ndaj mjeteve lundruese që nuk respektojnë rregullat e përcaktuara prej tij.

Ngushtica e Hormuzit është një nga pikat më të rëndësishme strategjike në tregtinë botërore, pasi përmes saj transportohet një pjesë e konsiderueshme e naftës nga vendet e Gjirit Persik drejt tregjeve ndërkombëtare. Kontrolli mbi këtë korridor është kthyer në një instrument të rëndësishëm presioni nga ana e Teheranit ndaj Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera të rajonit.

Deri më tani nuk ka informacione të konfirmuara për identitetin e dy cisternave, shkallën e dëmeve apo gjendjen e ekuipazheve. Gjithashtu, nuk dihet nëse shpërthimet kanë shkaktuar viktima apo të plagosur.

Agjencia Reuters raportoi më 1 nëntor për njoftimin e Gardës Revolucionare iraniane, ndërsa rrethanat e incidentit dhe pretendimi për goditjen e minave detare nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb