Një ditë pas shpërthimit në pikën e karburantit në kryeqytet, arrestohet menaxheri i këtij biznesi. Menaxheri akuzohet për veprën penale të shkeljes së rregullave të sigurisë mbi lëndët plasëse dhe djegëse.

Gazetari Igli Çelmeta raporton për BalkanWeb se shpërthimi ka ndodhur në valvulën e sigurisë të dhomës së nëndheshme të gazit ngjitur me karburantin. 

Si pasojë e shpërthimit, janë plagosur shtetasi me inicialet M. Ç., (menaxher) dhe shtetasi me inicialet M. K. (shoferi i autobotit).

Ngjarja ndodhi dje rreth orës 13:30, në Rrugën Bardhyl.

NJOFTIMI I POLICISE
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4 arrestuan shtetasin M. S., 42 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”, menaxher në një pikë karburanti në Rrugën Bardhyl.

Ditën e djeshme, në karburantin ku ky shtetas punon, gjatë momentit të shkarkimit të lëndëve djegëse nga depozita e autobotit për në depozitat e tjera, ka ndodhur një shpërthim zjarri, dhe si pasojë është dëmtuar shtetasi M. S., dhe shtetasi M. K., shoferi i autobotit.

42-vjeçari ndodhet aktualisht në spital nën kujdesin e mjekëve, ndërsa shtetasi M. K., pas marrjes së ndihmës mjekësore është larguar në banesë. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: