Miq, të afërm, kolegë e studentë i kanë dhënë sot lamtumirën e fundit artistes së njohur Mimika Luca e cila u nda ditën e djeshme nga jeta në moshën 85-vjeçare.

Ata kanë treguar diçka nga jeta e saj dhe mbresat e punës me artisten e dashur.

Ermira Gjata: Unë kam pasur fatin ta njoh Mimikën sepse kam luajtur me të, qoftë në film, qoftë ne teatër. Kemi qenë kolege bashkë në shkollë, vite përpara dhe e njoh si një grua shumë të talentuar, aktore brilante, e cila i ka qëmtuar me shumë dashuri rolet e saj duke ndarë karakterin dhe duke e spikatur atë si në skenë ashtu dhe në ekran. Ajo ishte dhe një pedagoge e zonja, shumë e mirë. Përpiqej për të rritur nivelin e saj intelektual dhe shumë e dashur në shoqëri. Pastaj Mimika ishte një mëmë e përkushtuar, një grua e denjë, e dashur dhe një mëmë mjaft familjare që iu përkushtua fëmijëve saj, pastaj dhe një gjyshe shumë e mirë që ka bërë shumë për familjen. Mimika ka qenë dhe është për mua në piedestalin e atyre aktorëve të cilët shkruan me germa të arta interpretimin aktorial si në skenë ashtu dhe në ekran dhe u bënë shkolla për të mësuar dhe ne brezat e ardhshëm.

Altin Basha: Humbja e zonjës Mimika Luca nuk është një humbje e madhe vetëm për familjen e saj. Është një humbje e madhe për familjen e artit shqiptar. Ajo është një figurë ikonike e Teatrit Kombëtar shqiptar, është një figurë fondamentale, një themeluese e tij dhe padyshim që ikjet e figurave të tilla tronditin gjithë trashëgiminë tonë. Ajo vetëm fizikisht do të mungojë, sepse puna dhe vepra e saj rezonon në pavdekësi. Ajo e ka lënë gjurmën e saj të pashlyeshme në panteonin e vlerave të teatrit shqiptar. Shpresoj që ne dhe brezat e ardhshëm ta mbajmë gjallë kujtimin e tyre si një model se si artisti mund ta zhvillojë aktivitetin e tij në modesti, por në madhështinë e vlerave që krijon në artin e tij.

Ajshe Stari: Me Mimikën kemi qenë shoqe klase në shkollën e lartë për aktorë. Mimika ishte më përpara në Tetarin e Operas dhe Baletit dhe prej atje u fut në shkollën tonë sidomos për orët artistike, siç ishin për dramën, për fjalën artistike, këto gjëra që i duheshin më shumë në teatër.
Kur gjen bashkëpunim me kolegët dhe të shkon puna më mirë dhe arritja do jetë shumë e mirë. Punët që kam pasur me Mimikën kanë qenë shumë të suksesshme

Bujar Kapexhiu: Është e dhimbshme kur mendon që ikën një njeri i afërt, jo vetëm i familjes, por i shoqërisë, një njeri me të cilin ke punuar dhe ke dhënë gjithë pasionin. ishte një nga figurat më të shquara të artit shqiptar, si në art ashtu dhe në kinematografi. Sa pak kemi mbetur. Jemi krenarë, Jemi të qetë nëse do themi që me punën e tyre kanë lënë në artin shqiptar një gjurmë që nuk do të harrohet. Mimika është një nga yjet e artit shqiptar, e cila nuk do të shuhet kurrë. Pasioni i saj është i jashtëzakonshëm. Urojmë që brezi i ri të ndjekë rrugën e kësaj tradite.

Raimonda Bulku: Ishte një aktore e veçantë, me një mënyrë interpretimi shumë të veçantë, e ngrohtë. Aktore dhe pedagoge shumë e mirë. Më vjen keq që vitet e fundit nuk kishte një punë që ne ta ruanim.

Herion Mustafaraj: Shqipërisë i humbi një artiste e madhe që ka lënë gjurmë në shpirtin tonë. Ka qenë e të gjitha zhanreve duke përfaqësuar dhe ngritur në piedestal figurën e gruas shqiptare. Jam impresionuar nga personaliteti i saj si njeri, e dashur, e qetë. Ashtu do mbesë në kujtimin tim. Sa më shumë Mimika të ketë Shqipëria aq më mirë do jetë për këtë vend.

Frederik Ndoci: Po më largohet një mësuese, gruaja e një kolegu, nëna e dy miqve. Më donte shumë.

Rudolf Marku: Kam pasur fatin t’i njoh nga afër çiftin Luca. Me zonjën Mimika jo vetëm që ishte një aktore e shkëlqyer e skenës dhe teatrit, por mbi të gjitha ka qenë njeri i mrekullueshëm.

Nora Malaj: Na vjen keq kur përcjellim disa figura me të cilat jemi rritur dhe frymëzuar. Unë i thosha teta Mimika. Sot emri i Mimika Lucës tregon vlerën e qytetarisë, forcën e gruas, imazhin e gruas në art në kohë të vështira. Imazhin e gruas nënë që ka mbështetur dy fëmijë të suksesshëm. Imazhin e asaj gruaje që dha gjithçka.

Përfaqësues nga Dukagjini: Kemi ardhur nga Shkodra dhe Dukagjini, andej nga ishte dhe Ndreka. Kishim një detyrim moral për ta nderuar znj. Mimika Luca.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb