NGA: FATMIRA NIKOLLI
Adrian Paci, në një intervistë të një viti më parë për “GSH”, i pyetur se çfarë do bëjmë me gjithë këtë liri të pakufi, teksa citonte psikologun e sociologun italian Massimo Ricalcatti, thoshte se e kemi kapërcyer kompleksin e Edipit e jemi në momentin kur vuajmë kompleksin e Telemakut- ne nuk e vrasim më babanë për t’i marrë pushtetin e gruan, por rrimë në shtëpi me nënën dhe presim kthimin e babait.
Sot, një vit më vonë, kur një sondazh i OSBE-së bën me dije se pothuaj gjysma e shqiptarëve duan Enver Hoxhën, prof. Sami Repishti, në një intervistë për “GSH” thotë se masa popullore e pazhvilluar ka nevojë për një “prind” që kujdeset; ky “prind” ofron sigurimin e rendit publik me dhunë dhe punësimin e njerëzve si robotë të mekanizuar. Duket pra, se askush nuk do më lirinë, por “bukë e punë”. Profesori, tanimë në të 90-at e tij, në një intervistë të gjatë për “GSH” sjell një analizë të gjatë e brilante, që është (edhe) një këndvështrim psikologjik; as hakmarrës, as subjektiv, si dëshmitar i vuajtjeve e dhimbjeve. Ai tregon se: punësimi ishte skllavëri e detyrim, se torturat qenë ndër më makabret, se sa u vranë, pushkatuan a internuan, e se në fund, kjo amnezi kolektive duhet të mbarojë. “Jemi në fazën e ‘kohës së pastrimeve’, një nevojë e domosdoshme për korrigjime ‘mitesh’ e zbulime ‘faktesh’ që akoma rëndojnë me peshën e tyre negative”. Më poshtë intervista e profesorit, ish-i dënuar i komunizmit.

-Ka një raport të OSBE që tregon se më shumë se 50% e shqiptarëve e duan Enver Hoxhën. A është shqetësues ky raport?
Para së gjithash, më duhet të rrëfej se nuk kam lexue Raportin e OSBE të plotë. Kam lexue pjesë të tij dhe komentet.
Asht shqetësues raporti? Po dhe jo!
Asht shqetësues sepse “normalisht” nji popullsi, si ajo e Shqipërisë, që ka përjetue 50 vjet diktaturë fashiste, naziste dhe komuniste dhe shtypjet e tyne të paevitueshme për vetë natyrën e çdo diktature, duhej të kishte arrijtë në përfundimin se çdo diktaturë asht e dënueshme apriori nga nji shoqni civile e lirë dhe e edukueme. Në rastin e kundërt, nji shoqni civile që nuk dënon diktaturën asht ose e frikësueme nga persekutimi ose e paedukueme. Këto janë masa popullore të pazhvillueme që nuk kanë aftësi me sigurue nji jetë për vete dhe për familjen, masa që kanë nevojë për nji “prind” që kujdesohet; në rastin tonë nji “pushtet” që i zhvesh nga çdo nismë e lirë, dhe i mobilizon në sherbim të nji kauze që ata nuk kuptojnë, po që pranojnë në heshtje. Sepse, “prindi” ofron sigurimin e rendit publik me dhunë, dhe punësimin e tyne si robotë të mekanizuem.

Me vdekjen e “prindit” kjo aleancë jo e natyrshme thyehet, pushteti eliminohet bashkë me dhunën dhe me të edhe siguria e rendit e ajo e punësimit si skllav. Të trajtuem si “fëmijë”, këto masa popullore nuk janë në gjendje me u kujdesue për vehte, mbeten si të thuesh “jetimë” dhe të papërgatitun me përballue sfidën e “qytetarit të lirë”, në nji “vend të lirë” e me gjetë kurajon e nevojshme për nisma private që sigurojnë mbijetesën.

“Pushteti” i ri që zëvendson nuk luen rolin e “prindit” dhe kufizohet me sigurue nji ambient të përshtatshëm në të cilin “qytetarët” e lirë gjejnë nji zgjidhje të problemit të sigurisë e të rendit, dhe “punësim” simbas aftësive personale. Kur ky “pushtet” i ri dështon në misionin e vet, krijohet kaosi social e shgënjimi i qytetarëve. Shumë qytetarë humbin shpresën për nji jetë ma të mirë. Problemi i bukës së përditëshme merr nji randësi kryesore, dhe liritë themelore të individit dhe ato të qytetarit humbin peshën e tyne specifike. “Duam bukë! Duam punë!” bahet slogani i ditës.
Kthimi në botën e “së kaluemes” paraqitet si nji zgjidhje; fatkeqsisht, kjo zgjidhje asht në esencë imorale sepse aprovon krimet politike të pushtetit të kaluem, pranon nënshtrimin e plotë të qytetarëve të lirë, pranon jetën e nji roboti mekanik, pa mend e pa zemër.

Kam përshtypjen që nji zhvillim i këtill politik e social ka ngja në Shqipëri! Për rastin e afër 100.000 ish anëtarëve dhe kandidatëve të ish PKSH/PPSH mund të spjegohet me thanjen e shkrimtarit Georges Sanders: “Kam njohë individë që kanë fillue me idenë ‘me ndreqë botën’, dhe që kanë kuptue se bota nuk ndreqet…Bota refuzon me marrë formën që dëshirojmë, ku ‘unë asht qendra e universit; atëherë unë urrej të gjithë botën”. Kjo asht psikologjia e diktaturës së dështueme dhe diktatorit maniak- që eventualisht përfundojnë në klubin e fundërrinave të historisë. Këto “fundërrina” që kanë humbë gjithçka synojnë krijimin e kaosit që dëshmojmë edhe në Shqipëri.

Asht shqetësues Raporti? Jo!
Ai asht përfundimi i nji sondazhi të kryem nga nji institucion serioz, dhe që ne shqiptarët duhet të respektojmë, dhe të përfitojmë nga eksperienca që na ofrohet. Raporti asht nji kumbonë alarmi që duhet të ndigjohet nga të gjithë ne. Ka ardhë koha të shohim ngjarje, akte, individë në vendin tonë me nji sy objektiv. Mjaft me folklore, mjafton me nënshtrimin e historiografisë sonë çapkënllëqeve të sundimtarit. Jemi në fazën e “kohës së pastrimeve”, nji nevojë e domosdoshme për korrigjime “mitesh” e zbulime “faktesh” që akoma randojnë me peshën e tyne negative. Natyrisht, kujtesa e jonë asht shpesh herë selektive, prandej relative dhe e kufizueme, dhe faktet historike, sado kokëforta që të jenë, mund të kundërshtohen. Shkrimi i historisë ka dy parime themelore: faktet e rregjistrueme (dokumentacioni) dhe konteksti i aktit historik. E para, na jep konfirmimin e ekzistencës së “faktit” dhe eliminon “shpifjen”, kaq e shpeshtë në historinë tonë. E dyta, trajton subjektin (faktin historik) në kohën dhe hapësinën kur dhe ku “fakti” ka ngjarë. Si shembull:

Në parathanjen e “Historia e Skenderbeut (1947), Imzot Fan S. Noli shkruen se çdo personalitet në histori kalon nepër tri faza: e para, glorifikimi i tij, e dyta, asgjasimi tij, e treta, rivlerësimi i tij. Nji teori e këtill nuk përjashton as edhe diktatorin stalinist të formës ma të keqe, Enver Hoxha. Kam përshtypjen se kjo fazë e tretë po çfaqet sot në Shqipëri. (Rrëfim: kam dënue dhe vazhdoi të dënoj këte diktator, pa asnji hezitim ose rezervë!)

Por ka disa fakte historike paraqitja e të cilëve asht e pa kundërshtueshme. Siç janë: invazioni otoman i shekullit XV ka qenë dhe mbetet nji okupacion i dhunëshëm ushtarak, dhe shërbimi i “pashallarëve” shqiptarë në mbajtjen dhe forcimin e këtij invazioni të dhunshëm janë akte për dënim. Sistemi i latifundistëve, i “bejlerëve” ka qenë shtypës, dhe vorfënia që ai sistem shtypës krijoi, sidomos në fshatin shqiptar asht nji akt që duhet dënue. Krijimi i klikave sunduese, para dhe mbas Pavarësisë sonë të 28 nandorit 1912, janë gjithashtu akte për dënim, sepse në esencën e tyne ata kanë përjetësue privilegjet e fitueme nga “favoret” e të huejit që kërkonte “shërbim”. Dhe në kulmin e këtij fenomeni imoral dhe anti-njerëzor, kemi “diktaturën e proletariatit” nji sllavnim total e brutal i afër katër miljonë shqiptarëve që u detyruen me u gjunjëzue nga frika për 45 vjet të gjata. “Me nderue” kauzën e diktaturës don të thotë me ofendue randë kombin shqiptar, dhe sidomos memorjen e qindëra mijëra viktimave të sakrifikueme nga “gënjeshtra e madhe” sepse luftuen kultin e vdekjes e shtypjes. “Ata që qendruen në kambë pa ulë kokën në vitet që shumica u gjunjëzue, jane herojtë e kohës që kanë jetue” shkruente nji shkrimtare e re shkodrane. Dhe asht nji fakt që ky aspekt i kombit tonë përban edhe kryenaltësinë tonë kombëtare. Me kundërshtue diktaturën e çfarëdo ngjyre qoftë –fashiste, naziste e tjera- asht nji akt sublim që fisnikëron traditën shqiptare për liri. Kjo pjesë rezistuese e kombit tonë përban sot kryenaltësinë tonë kombëtare.

Me folë, me shkrue, dhe me pranue “akte” të këtilla të historisë sonë kombëtare që nuk mund të kontestohen nga asnji qytetar i ndershëm, nga asnji mendje e ndritun, asht nji përpjekje fisnike. Me zbulue “historinë tonë shqetësuese” ashte nji akt çlirimtar, nji ndërmarrje burrënore që demaskon “të keqen” e imponueme mbi ne me dhunën e armëve.

-Sipas Raportit, më shumë shqiptarë mendojnë se Enveri ka pasur ndikim pozitiv në historinë e vendit (45%) sesa ndikim negativ (42%). A mund të sillni në vëmendje atë që është harruar nga 45% e shqiptarëve?
Ka shumë shqiptarë që shikojnë terrorin e PKSH/PPSH si nji vazhdim i natyrshëm i Luftës kundër okupatorëve fashistë e nazistë (1939-1944)dhe admirimin e tyne të drejtë për atë luftë heroike dhe politikisht korrekte e gjejnë të vështirë me e ndryshue. Natyrisht, kjo masë populli krenohet për këtë luftë “çlirimtare” ose për arsye emocionale ose për pa aftësi me kuptue dallimin rranjësor me rregjimin që solli. Për mue, e ashtuquejtuna “Luftë Nacional-Çlirimtare” ka qenë nji mashtrim i madh komunist. Ajo luftë, në esencë ka shfrytëzue frymën patriotike të popullit tonë me sigurue nji fitore që synonte vendosjen e diktaturës komuniste në vend, pjesë e planeve ma të mëdha të përgatituna jashtë Shqipërisë. Asnji herë gjatë Luftës… PKSH nuk ka pranue ndamjen e meritës së rezistencës me nji tjetër forcë jashtë kontrollit të saj. Qellimi ka qenë i dyfishtë: mos me lejue nji parti, grup, organizatë tjetër me konkurrue për të drejtën e pjesëmarrjes në Qeveritë e mbasluftës si rrjedhim i kontributit gjatë “Luftës”. “Të mos lejohet asnji grup i armatosun me luftue okupatorin pa autorizimin tonë” deklaronte E.Hoxha.

E dyta, vetëm nji parti e fortë dhe e vetme do të merrte përsipër fatin e vendit, pa kontestues, dhe pa qeveri të koalicionit. Që në fillim, PKSH u ba forca e vetme dominuese, dhe qeveria shqiptare nji instrument i thjeshtë në sherbim të PKSH-së. Vetë E.Hoxha ishte sekretar i parë i PKSH, Komandant i Përgjithshëm i FA, Kryministër, Minister i Jashtëm dhe i Mbrojtjes. President u caktue Dr.Omer Nishani ish-anëtar i Këshillit të Naltë Fashist Korporativ gjatë okupacionit fashist, nji vegël e bindun pa asnji autoritet veç ceremonialeve… Ky përqendrim i padiskutueshëm i Shtetit dhe Partisë në duert e E. Hoxhës tregon prirjen e tij me qenë nji diktator i padiskutueshëm. E.Hoxha vendosi dhe preferoi diktaturën personale.

-Vetëm 22% mendojnë që trashëgimia e së shkuarës komuniste është problemi i madh dhe vetëm 8% janë të interesuar të mësojnë më shumë për periudhën komuniste, ndërsa 91% mendojnë se shteti komunist ka garantuar punësim për të gjithë. Çfarë ishte në fakt ky punësim? A respektoheshin të drejtat e njeriut e të punëtorit në komunizëm?
Mosnjohja e realitetit komunist në Shqipëri rrjedh nga nji injorancë totale për arsye të izolimit të plotë në vendbanime –sidomos fshati, ose nji amnezi e plotë dhe vullnetare.
Po t’i shtojmë kësaj edhe mungesën e punës edukative mbas vitit 1991, me njohë ma mirë të kaluemen komuniste me dokumentimin e krimeve komuniste, dënimin e elementit kriminal komunist, botimin e tregimeve nga viktimet, tekstet shkollore, filma, radio-televizioni, ekspozita etj. Nga Qeveritë e “tranzicionit” në demokraci, kuptohet pse asht e mundun që sot popullsia në përgjithësi, e sidomos brezi i ri post-komunist që nuk ka përjetue jetën në ferrin komunist, janë akoma sot pa nji interesim për të kaluemen tonë tragjike (1944-1991). Ma shumë se 7.000 viktima të pafajshëm (450 gra) janë pushkatue me gjykime tallëse ose pa gjykime fare; afërsisht 30.000 qytetarë janë burgosë politikisht me dekada të gjata; rreth 50.000 familjarë të anmiqve të rregjimit janë internue (disa për 47 vjet pa ndërpremje) Ish-historiani komunist, Prof. Arben Puto shkruente: “…Enver Hoxha përqafoi hap mbas hapi metodat e ideologjisë komuniste…duke ndjekur verbërisht dogmat staliniste, të ndërmarrë dhe të zbatojë në shkallë të gjerë nji politikë shtypje të pamëshirëshme…. Të persekutuarit vit pas viti nuk ishin më nji minoritet. Ata përbënin një popullsi të tërë…” I dinte populli këto? Sigurisht! Kjo më bie në mendje thanjen e ish Ministrit të Mbrojtjes, Gjeneral Beqir Balluku, që në seancat e torturës në Sigurim përsëriste: “Ore, i din Enveri këto që bëni juve?” Sigurisht i dinte!

Gjenerali Vaskë Gjini, i Shtatmadhorisë, i dënuar “si puçist”, në Burrel (1982) tregon: “Këtu torturat janë të tmerrshme, çnjerëzore, por droga e imponuar forcërisht është e padurueshme. Në efektivin e saj, vdes e rigjallesh orë e çast, Bie pa ndjenja e çohem i dërrmuar here pas here. Përpara tyre vdekja më duket mjaltë… Filluan të hakërrehen se do të vrisnin gruan dhe fëmijtë… vetëm e vetëm … të dëshmoja… Hetuesi më thoshte: “Ne të vrasim dhe për këtë nuk i japim llogari askujt”. Nëse kriminelët e Sigurimit, bajnë të gjitha këto për ish shokët e luftës dhe anëtarët e PPSH së përbashkët, çfarë u bajshin kundërshtarëve të tjerë, “armiq të popullit”? Ja lë imagjinatës së lexuesit.
Punësimi? Ishte i detyrueshëm! Pa punësim nuk mirrej triska e bukës, dhe pa bukë nuk jetohet! Natyrisht, punët ma të randa ishin për “armiqtë e popullit”. Sindikatat (Bashkimet Profesionale) që parimisht janë për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve, kanë qenë “nji levë e Partisë”, që në fakt ishte kontrolli i Partisë mbi punëtorët. Ky ka qenë punësimi “sui generis” komunist në Shqipëri!

– 60% mendojnë se ka pasur mundësi të lëvizësh lirisht brenda vendit gjatë periudhës komuniste. Si ishte liria e lëvizjes në komunizëm?
Kjo pyetje asht shqetësuese. Kërkohet të mohohet realiteti. Unë kam udhëtue nga Shkodra në Tiranë për arsye mjeksore. Para së gjithash duhej “leja” nga Policia.
E dyta: kontrolli gjatë udhëtimit asht krye pesë herë për “pasaportë”. Udhëtimi jashtë vendit ishte vetëm për zyrtarët dhe familjet e udhëheqjes…

– A krijon frikë ky sondazh? A jemi ne një popull që harron shpejt? A janë harruar ata që iknin, ata që u vranë në kufi?
Kjo asht nji pyetje që shqetëson! Vështirësitë e jetës mbas vitit 1991 kanë qenë të atilla sa që popullsia kishte vetëm nji preokupim: me shpëtue nga frika e komunizmit, dhe me sigurue nji punë me dinjitet. Zgjidhja ma e preferueme ka qenë largimi nga Shqipëria. Në vitin 2015, rreth 1.1 miljonë shqiptarë rezultojnë të larguem nga vendi në kërkim të nji jete ma të mirë e ma të sigurtë të shpërndamë nëpër botë. Largimi masiv ka qenë denimi ma kumbues i sistemit komunist në Shqipëri. Hallet personale e familjare kanë preokupue të gjithë vëmendjen e fatkeqve. Kujtimi i së kaluemes dhe vajtimi i viktimave mbetet shqetësimi i madh i familjeve të “prekuna” randë e që kanë humbë shpresën e nji jete ma të mirë në Shqipëri. Kjo asht tragjedia që solli komunizmi në Shqipëri. Gjithashtu mungesa e demaskimit të organizuem të komunizmit ka shkaktue pakësimin e interesimit me njohë të kaluemen që sjell harresën. Ky asht nji fenomen i përbashkët për të gjithë ish vendet komuniste.

-A keni ju një mesazh për ata që në fakt kanë mall për atë kohë?
Po! Para së gjithash më dhemb zemra kur mendoj që ka akoma shqiptarë që nuk janë në gjendje me pranue shnjerëzimin që solli komunizmi në vendin tonë. Për të gjithë vëllaznit e motrat e mia: Mos e harroni Nanën tonë të përbashkët! Mos e harroni nevojën e madhe për ndihmë dhe ngushëllim të nji pjese të popullsisë shqiptare. Sot, nuk mendohet për hakmarrje. Ish të persekutuemët kanë shkrue nji faqe të artë në historinë e vendit tonë me përbuzjen e hakmarrjes, megjithëse plagët e tyne kullojnë gjak akoma. Çdo afrim ma i fortë mund të vij vetëm kur “fajtorët”, kriminelët që shkaktuen vdekje e shkatërrim të kuptojnë peshen e randë të krimit të tyne të pajustifikueshëm. Ata duhet t’i kërkojnë falje: viktimës ma parë dhe Krijuesit ma vonë.

Shqipëria asht atdheu i jonë i përbashkët. Ajo pret nga ne, të gjithë ne, t’i sherbejmë me dashuni e devocion. Shqipëria asht e jona, ajo nuk asht “çiflliku i babajt” për tu nda në mes të grupeve politike, pavarësisht nga emni e ngjyra e tyne. “Pushtetarët” janë në thelb vetëm sherbestarë të Shqipërisë, dhe si të tillë ata gëzojnë besimin tonë. Së bashku mund të “lëvizim malet” për këte vend dhe për këte popull. Të ndamë nuk fitojmë kurrë, e vendi i jonë rrëshqet çdo ditë drejt greminës që e kërcënon. Le të mos lejojmë këte katastrofë të bjerë mbi popullin e pafaj! Shqipëria ka nevojë edhe për nji opozitë europiane e serioze, si sot ashtu edhe nesër. Ajo ka nevojë për nji opozitë të gatëshme me qeverisë, jo me slogane futuriste, por me programe të studjueme mirë e që i përshtaten konditave të vendit tonë, dhe kohës që jetojmë, e gatëshme me fitue disa beteja dhe me pranue humbjen e disa të tjerave, por gjithëherë me pikësynimin e ngritjes së nivelit të jetesës, ekonomik dhe kulturor mbi atë ekzistues, pa nxitim, mburrje, e zemrim, si dhe sigurinë personale të gjithë qytetarëve!

Janë qytetarët e thjeshtë që më frymëzojnë, të gjithë ata që ndihmojnë njeni-tjetrin, të gjithë ata që punojnë me ndershmëni dhe respektojnë ligjin, të gjithë ata që luftojnë për të drejtat e njeriut në vend dhe në botë. Sepse këta janë individët që më mbushin me krenari dhe që më ushqejnë me nji ndjenjë madhështie hyjnore. Dhe për mue, ky asht patriotizmi i vërtetë shqiptar, dhe universal!

– Çfarë na thotë ky studim në një kohë që ende nuk janë dënuar krimet e komunizmit, as bashkëpunëtorët e tij?
Studimi i kryem nga OSCE asht nji kumbonë alarmi që na fton të zgjohemi nga gjumi i randë. Me korrupsion endemik, me krim të përhapun, dhe me kanabis që dominon ekonominë e vendit nuk ndërtohet as shteti, as demokracia. Pikësynimi i ynë asht hymja në familjen civile të Bashkimit Europian. Europa asht shtëpia e jonë! Por kjo hymje duhet të jetë dinjitoze dhe jo tue trokitë derë në derë sikur jemi lypsarë. Unë refuzoj hymjen në BE pa dinjitet të merituem; na duhet të shkojmë në Europë si nji komb “europian” që respekton vlerat morale të besës, burrënisë, nderit, tolerancës fetare, mikpritjes e tjera vlera tradicionale për shekuj me rradhë; me hye si nji popull që respekton “shtetin ligjor”, paqën me fqinjtë, demokracinë e mbrendëshme e drejtësinë, sidomos drejtësinë; si nji popull që fiton bukën me djersën e ballit e jo me krimin e akte të papranueshme nga bota europiane. Unë kam besim të plotë se do të vijë dita kur të gjithë do të festojmë ardhjen e ditëve ma të mira për vendin tuej e timin, për Shqipërinë e të gjithë shqiptarëve pa dallim, pa përjashtim, nji Shqipëri ku të gjithë ne jetojmë pa frikën e shtypjes dhe pa frikën e urisë.
(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb