Ish-deputetja afgane, Mursal Nabizada dhe roja e saj e sigurisë u qëlluan për vdekje në shtëpinë e saj në Kabul mëngjesin e ditës së djeshme.

Lajmi është bërë i ditur nga policia e Kabulit.

Nabizada përfaqësoi Kabulin në parlamentin e Afganistanit nga viti 2019 derisa qeveria u rrëzua nga talebanët në gusht 2021. Ajo ishte një nga të paktat ish-ligjvënëse femra që mbeti në Afganistan pas marrjes së pushtetit nga talibanët.

Zëdhënësi i policisë së Kabulit ka bërë me dije se po ashtu gjatë sulmit u plagos dhe vëllai i Nabizadas, teksa ka shtuar se është duke u hetuar ngjarja për të ditur se kush është organizatori i atentatit.

Të shtënat e së dielës janë hera e parë që një ligjvënës nga administrata e mëparshme vritet në qytet që kur talebanët morën pushtetin, por ka pasur shenja të një përkeqësimi të situatës së sigurisë në kryeqytetin e vendit. Javën e kaluar, të paktën pesë persona u vranë në një shpërthim pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme afgane të mërkurën.

Që kur talebanët morën kontrollin e vendit, sulme të shumta kanë marrë dhjetëra jetë në kryeqytet.

Në shtator të vitit të kaluar, një sulm vetëvrasës vrau të paktën 25 persona, kryesisht gra të reja, në një qendër arsimore në Kabul. Po në të njëjtin muaj, gjashtë persona, përfshirë dy punonjës të Ambasadës Ruse, u vranë në një shpërthim vetëvrasës.

Ndërsa në gusht, një shpërthim në një xhami gjatë lutjeve të mbrëmjes vrau 21 persona dhe plagosi 33.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb