Seanca paraprake ndaj ish-presidentit Ilir Meta dhe Monika Kryemadhit ka dështuar sërish, këtë herë për shkak të mungesës së gjyqtares Rudina Palloj.
Në sallën e gjyqit, situata u shoqërua edhe me përplasjen lidhur me qëndrimin e avokatëve.
Mësohet se gjatë seancës gjykata i kërkoi avokatit të ish-presidentit, Bujar Musta të jepte qëndrimin e tij për bojkotin.
Ai u pyet nëse vullneti do të ishte për të qenë prezent po të mos ishte në kushtet e një bojkoti. Përgjigja e avokatit ishte pozitive.
Ndërsa ish-presidenti Ilir Meta tha se vullneti i tij për të vazhduar procesin është i plotë.
“Kjo situatë nuk është krijuar as për shkakun tim, as për shkak të avokatit tim. Dua të nënvizoj vullnetin tim për të vazhduar procesin. Avokati im gjendet përballë një konflikti mes gjykatës dhe Dhomës Kombëtare të Avokatisë. Ai nuk mund të rrezikojë licencën e tij. Nëse ndërroj avokatin, 55 fashikujt që mora do të më kushtojnë edhe më shumë kohë për të kryer mbrojtjen.”, ka thënë Meta.
Seanca e radhës pritet të zhvillohet sipas vendimit të gjykatës, ndërsa procesi ndaj të pandehurve vijon të jetë në fazën paraprake.
