Ministri turk i Mjedisit dhe Urbanizimit, Murat Kurum, tha se gjatë takimit të ministrave të mjedisit të G20 në Itali diskutuan masat urgjente për zvogëlimin e sasisë së emetimeve dhe grimcave të karbonit.

Kurum tha: “Ne jemi dëshmitarë që shumë vende anëtare të G7 po ndotin Tokën. Ne diskutuam nevojën për ndërmarrjen e hapave urgjentë për të zvogëluar sasinë e emisioneve dhe grimcave të karbonit”.

Ai tha se përmbytjet në të gjithë botën kanë treguar efektet negative të ndryshimeve klimatike që kërcënojnë sigurinë e jetës dhe pronës së qytetarëve dhe infrastrukturën e qyteteve.

“Tani ne po përballemi me migrime për shkak të ndryshimeve klimatike”, shtoi ai.

Ai tha se vendndodhja e takimit të ministrave të mjedisit të vendeve të G20, i cili u mbajt në qytetin e Napolit në Itali, rrëzë vullkanit Vesuvius, ishte kuptimplotë.

Kurum tha se ai gjithashtu kishte një takim shumë produktiv me të dërguarin special të Presidentit të SHBA-së për Klimën, John Kerry. “Ne diskutuam mundësinë e financimit të klimës dhe padrejtësinë e bërë ndaj vendit tonë në krahasim me vendet e tjera”, theksoi Kurum.

Duke iu referuar burimeve të ripërtëritshme të energjisë, Kurum deklaroi se Turqia, e cila renditet e 12-ta në botë dhe e 5-ta në Evropë, plotëson 52 për qind të energjisë së saj të instaluar nga energjia e rinovueshme.

“Ne jemi duke punuar për të gjeneruar 10 gigavat energji të erës dhe diellit çdo vit në 10 vitet e ardhshme, dhe për të rritur kapacitetin tonë të energjisë së rinovueshme”, tha ai.

Duke theksuar se Turqia ka rritur sasinë e zonës së mbrojtur në 11,5 për qind dhe se ata po punojnë për të arritur mesataren e Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD) prej 17 për qind, Kurum theksoi se ata kanë ndërtuar kopshte kombëtare dhe korridore ekologjike në katër linja ekologjike që do të lidhë veriun dhe jugun dhe lindjen dhe perëndimin e Turqisë.

“Ne jemi duke kryer projekte më të qëndrueshme se sa shumë vende. Ne do të përshpejtojmë këtë proces pas hyrjes në financat e klimës”, shtoi ai.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb