Ambasadorja e SHBA, Yuri Kim, dhe ajo e Suedisë, Elsa Håstad, kanë organizuar një forum me 13 organizata, që merren me çështjen e dhunës me bazë gjinore, që fatkeqësisht është shumëfishuar gjatë pandemisë, për shkak të izolimit.

Ambasada e SHBA shkruan në “Facebook” se dy ambasadoret kanë diskutuar hapur mbi përpjekjet e shtuara të organizatave dhe sfidat e tyre në përgjigje të ndikimit që pandemia ka pasur në viktimat e dhunës me bazë gjinore, nga rreziku më i lartë i dhunës nga pjestarë të familjes.

Sipas ambasadës amerikane, vetëm gjatë muajit prill ka pasur denoncime për 975 raste dhune, ndërsa një vit më parë po në këtë muaj janë regjistruar 312 telefonata denoncuese nga gra dhe vajza.

Mesazhi i plotë:

Për të adresuar shqetësimin në rritje të numrit të lartë të rasteve të dhunës me bazë gjinore gjatë kufizimeve të COVID-19, Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara Yuri Kim dhe Ambasadorja e Suedisë Elsa Håstad organizuan një forum me 13 organizata që punojnë me këtë çështje. Të dyja Ambasadoret patën një diskutim shumë të hapur mbi përpjekjet e shtuara të organizatave dhe sfidat e tyre në përgjigje të ndikimit që pandemia ka pasur në viktimat e dhunës me bazë gjinore, nga rreziku më i lartë i dhunës nga pjestarë të familjes, mungesën e mjeteve financiare për shkak të punësimit informal, rrezikun më të lartë të problemeve shëndetësore, deri tek rritja e vështirësive në qasjen ndaj drejtësisë për shkak të masave kufizuese.

Në prill, Linja Kombëtare për Gra dhe Vajza mori 975 telefonata raportuese krahasuar me 312 në prill të 2019-ës, dhe 90% e tyre morën shërbime mbështetëse nga organizatat vendore që punojnë me çështjet e dhunës me bazë gjinore. Ambasadoret bënë thirrje për nevojshmërinë e një përgjigjeje më gjithëpërfshirëse nga publiku dhe institucionet qeveritare, përfshirë edhe policinë, në parandalimin e dhunës me bazë gjinore dhe dhënien e mbështetjes së nevojshme për viktimat e saj.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb