Më 9 dhjetor 1999, Robert McNeil, një ekspert i shquar i mjekësisë ligjore britanike, u telefonua në shtëpinë e tij nga Bill Hunt, një nga patologët më të njohur të mjekësisë ligjore në Mbretërinë e Bashkuar.

Hunt i kërkoi McNeil-it që ta shoqëronte atë në Maqedoni, ku ai ishte ngarkuar nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, që të kryente një mision, të fshehtë e të rëndësishëm, mjeko-ligjor.

“Bill Hunt nuk donte të më thoshte shumë gjëra në telefon. Ishte sekret. Vetëm ne të dy duhet të shkonim në Maqedoninë e Veriut. Ai më dha thjesht disa informacione në vija të përgjithshme të misionit”, thotë McNeil për BIRN, në një intervistë nga shtëpia e tij në Glasgou.

“Atij i kishin thënë se Arkani ishte përgjegjës për vrasjen e një familjeje të tërë nga Kosova dhe jam i sigurt se ishte një familje prej katër anëtarësh. Nuk i di emrat, e as moshën e tyre”, thotë ai.

Zhelko Razhnatoviç, i njohur si Arkan, ishte shefi paraushtarak serb më famëkeq i luftërave të viteve 1990. Njësia e tij, “Garda Vullnetare Serbe”, ose siç njiheshin ndryshe “Tigrat e Arkanit”, u akuzua për krime luftës në gjithë ish-Jugosllavinë.

Tribunali i Hagës fillimisht e kishte ngritur aktakuzë ndaj Razhnjatoviç në shtator të vitit 1997 për krime të kryera në Kroaci dhe Bosnjë dhe aktakuza ishte mbajtur sekret. Këtë herë ai po hetohej edhe për krime në Kosovë.

“Bill më shpjegoi më tej se familja nga Kosova ishte torturuar mizorisht dhe se më pas ishte qëlluar me armë dhe vrarë. Arkani e kishte shkrepur vetë armën”, thotë McNeil. “Ajo që Hunt theksoi për këtë çështje ishte se ata që na kërkonin të shkonim atje, kishin prova se viktimat ishin vrarë personalisht nga Arkani, diku në Kosovë”.

“Ata nuk donin të rrezikonin”

McNeil dhe Hunt kishin punuar së bashku më parë, duke ekzaminuar viktimat e masakrave në Bosnje, përfshirë edhe Srebrenicën. Në verën e vitit 1999, McNeil gjithashtu punoi me ekipet mjeko-ligjore të Tribunalit të Hagës të dislokuara në Kosovë për të kryer ekzaminimet për shkaqet e vdekjes së viktimave.

McNeil kujton se trupat e viktimave ishin zhvarrosur fshehurazi dhe ishin çuar nga Kosova në një vend të sigurt në Maqedoninë e Veriut, ku po prisnin për ekzaminim mjeko-ligjor.

“Nuk e kisha ende idenë se ku po shkonim, ku ndodheshin saktësisht trupat, nëse ishin në morgun e policisë apo në spital. Nuk e kisha atë informacion”, thotë ai.

“Në linjën tonë të punës, nuk është e pazakontë që ne të mos dimë shumë paraprakisht për viktimat që do të ekzaminojmë. Zakonisht, në atë fazë ne nuk bënim shumë pyetje për identitetin ose vendndodhjen e viktimave”.

Arkani, e kishte nisur karrierën e tij kriminale si hajdut kur ishte ende adoleshent. Më pas nisi të kryente grabitje të armatosura dhe grabitje bankash në vende të ndryshme në Evropën Perëndimore, duke u arratisur nga burgjet në Belgjikë dhe Gjermani.

Pas kthimit në Serbi, ai vazhdoi të kryente krime dhe gjithashtu u bë udhëheqësi i grupit të tifozëve të “Ylli i Kuq” të Beogradit dhe disa nga huliganët e grupit u bënë pjesë e njësisë së tij, “Garda Vullnetare Serbe”, kur ajo u krijua në vitin 1990, derisa po afrohej shpërbërja e përgjakshme e Jugosllavisë.

Arkani shihej si një individ i rrezikshëm që mbështetej fshehurazi nga regjimi i Sllobodan Millosheviçit, dhe mbajtjes sekret të aktakuzës nga Tribunali i Hagës, trupat e viktimave duhej të mbroheshin ndërkohë që po vazhdonte hetimi i prokurorëve të tribunalit.

Ronhaviv003balkan 600x400
Ronhaviv003balkan 600×400

“Për shkak se ishte një rast i një profili shumë të lartë, ata nuk donin të rrezikonin që me trupat të ndodhte ndonjë gjë”, thotë McNeil.

Ai tregon se masat paraprake të sigurisë ishin të bazuara sepse “ ishte djegur morgu i përkohshëm i ngritur afër Prizrenit në Kosovë, ku ne kishim punuar (për Tribunalin e Hagës) në ekzaminimin e trupave të viktimave të tjera të luftës”.

“Arkani dinte shumë gjëra”

“Në fillim të janarit ishim gati të shkonim, por na u desh të qëndronim në gatishmëri për një kohë derisa OKB-ja të vendoste se do të ishte e sigurt të udhëtonim në Maqedoninë e Veriut për të kryer punën që të përkonte me kohën kur ata mund të kapnin Arkanin”, kujton ai.

Por udhëtimi nuk do të realizohej kurrë. Në mbrëmjen e 15 janarit të vitit 2000, McNeil mori një telefonatë nga Hunt, i cili i tha se misioni mjeko-ligjor duhej anuluar.

“Mbaj mend zërin e tij të çuditshëm që më tha se Arkani ishte vrarë nga një polic jashtë shërbimit në një hotel në Beograd”, thotë ai.

Arkani kishte qenë duke pirë në hotelin luksoz “InterContinental” në kryeqytetin serb, kur një burrë iu afrua dhe hapi zjarr nga afër. Kreu paraushtarak 47-vjeçar u godit me një plumb në sy dhe ndërroi jetë rrugës për në spital.

Një oficer i ri i quajtur Dobrosav Gavriç u dënua për vrasjen, por u arratis nga Serbia dhe përfundoi në Afrikën e Jugut, ku bëri një betejë të gjatë kundër ekstradimit në Beograd.

Përderisa kishte teori të ndryshme se pse Arkani u vra, McNeil thotë se në atë kohë besohej gjerësisht se Millosheviçi ” e kishte marrë vesh për aktakuzën dhe donte t’ia mbyllte gojën”.

“Bill që më tha se, sipas mendimit të tij, besohej se Millosheviçi mund të ketë qenë pas vrasjes. Arkani dinte shumë për rolin e Millosheviçit në gjenocidin në Bosnjë dhe mizoritë në Kosovë”, shpjegon ai.

Vetë Millosheviçi vdiq në vitin 2006, para marrjes së vendimit së gjykatës në Hagë. Hunt vdiq në vitin 2019.

“I njohur për egërsi”

Pas braktisjes së misionit mjeko-ligjor në Maqedoninë e Veriut, dokumentacioni i mbledhur gjatë hetimit të prokurorëve të Hagës rreth vrasjes së familjes në Kosovë nuk u bë kurrë publik.

Aktakuza e parë ndaj Arkanit u ngrit në vitin 1997 nga kryeprokurorja, Louise Arbour, ndërsa aktakuzë e dytë sipas Departamentit Amerikan të Shtetit u ngrit nga prokurori amerikan Clint Williamson.

Menjëherë pas vdekjes së Arkanit në janar 2000, kryeprokurorja e atëhershme e Hagës, Carla Del Ponte, tha se aktakuza e tij mbetet “ mbyllur”.

Del Ponte shtoi se përmbajtja e aktakuzës mbetej “subjekt i një urdhri për moszbulim dhe ai urdhër është ende në fuqi… Nuk jam gati të zbuloj krime specifike ose vendndodhje të përmendura në aktakuzë”, shtoi ajo.

Megjithatë, ajo deklaroi se krimet e Arkanit gjatë kohës së luftës “në Sllavoninë lindore të Kroacisë, dhe në Bosnjë për gjithë periudhën mes 1991 dhe 1995, janë hetuar dhe dokumentuar tërësisht”.

Graham Blewitt, zëvendës/kryeprokuror i Tribunalit të Hagës në atë kohë, i ka thënë BIRN se hetimi ndaj Arkan u zgjerua pas fillimit të luftës në Kosovë në vitin 1998 sepse “dyshohej se ai ishte i përfshirë në veprime kriminale shtesë”.

Në një intervistë nga shtëpia e tij në Sidni të Australisë, Blewitt shpjegoi pse tribunali vendosi të mos publikojë pjesën e Kosovës në hetimin e Arkanit.

“Nëse nuk ka pasur aktakuzë zyrtare, nuk ka pasur procedura gjyqësore, që do të thotë, nuk është depozituar zyrtarisht ndonjë dokument në zyrën e regjistrit”, thotë ai.

“Nëse kjo do të kishte ndodhur, atëherë ajo do të ishte e disponueshme për publikun. Rrethanat më tregojnë se ajo nuk arriti kurrë në atë nivel që prokurori të mund ta kishte nxjerrë si dokument zyrtar”.

Sipas vendimeve të Tribunalit të Hagës, paramilitarët e Arkanit shkuan në Kosovë, kryesisht si pjesë e njësive të sigurimit shtetëror serb, veçanërisht njësisë së frikshme të Operacioneve Speciale, JSO.

Deri më tani, nuk ishte konfirmuar se Arkani kishte qenë personalisht në Kosovë gjatë luftës, ndonëse “tigrat” e tij morën pjesë në dhunë.

Një raport i publikuar nga misioni i OSBE-së në Kosovë në dhjetor të vitit 1999 dokumentoi prezencën gjatë luftës të paramilitarëve të Arkanit.

“Reputacioni i tigrave për egërsi ishte aq i njohur saqë ushtria jugosllave përhapte herë pas here frikë mes shqiptarëve, duke paralajmëruar ardhjen e tyre, si mënyrë për ta detyruar popullatën të largohej”, thuhet në raport.

McNeil thotë se ai mundi të zbulonte disa detaje të akuzave që lidhen me Kosovën në aktakuzën e prokurorit Williamson, të cilat nuk u bënë kurrë publike.

Ai shpjegoi se aktakuza thoshte se kishte prova që njerëzit e Arkanit, të veshur me uniformat të zeza, kishin një kamp stërvitor në veri të qytetit të Mitrovicës në Kosovë dhe kryesisht vepronin aty afër, po ashtu në Pejë, Prizren e Gjakovë.

Me braktisjen e misionit mjeko-ligjor dhe vdekjen e Arkanit, mundësia për të sjellë këdo para drejtësisë për vrasjet e familjes kishte përfunduar. Deri më tani është dënuar vetëm një nga “Tigrat” e Arkanit; Boban Arsiç u shpall fajtor në mungesë për vrasjen e një çifti në një fshat kroat në vitin 1992.

Por asnjë nga njerëzit e Arkanit nuk është sjellë kurrë para drejtësisë për krimet e kryera gjatë luftës së Kosovës.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: